Kryeministri Edi Rama gjatë ditës së sotme ka reaguar në lidhje me lajmin se Kosova do të strehojë afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e NATO-s në Afganistan.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre.
Gjithashtu ai thekson se nëse edhe Kosovës i është kërkuar një gjë e tillë, ajo duhet të përgjigjet pozitivisht.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili u shpreh se reagimi i kryeministrit Rama për pranimin e afganëve ka për qëllim të tregojë kinse kujdesin që ka për Kosovën.
Por ishin dy deklaratat e presidentes Osmani dhe qeverisë që treguan qëndrimin e Kosovës për këtë çështje.
Profesori bën dallimin mes fjalimit të Ramës dhe Osmanit, e që thotë se Rama e ka fjalimin me qëndrim personal ndërsa Osmani radhit arsyjet.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/15/auto_auto_auto_enver-bytyci158822734816262938681629055671.jpg)
“Reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sot sa i përket pranimit të afganëve të rrezikuar nga talibanët në Afganistan duhej të ishte i një lloji solemn. Ai thjesht do të duhej të shpjegonte arsyet e këtij akti njerëzor dhe strategjik në përputhje me interesat e Perendimit, gjë që e bëri me shumë përgjegjësi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Po t’i marrim të dy deklaratat, atë të pëparshme nga Edi Rama dhe të dytën nga Vjosa Osmani, kupton qartë dallimin e madh midis tyre. Mundet që dikush të pyes se çfarë rëndësie ka modeli i të deklaruarit në këtë rast? Por kjo dëshmon edhe karakterin dhe përkushtimin e liderit. Vjosa Osmani shkruan në mënyrë racionale dhe radhit arsyet pse ka premtuar pa mëdyshje strehimin e të përndjekurve afganë në Kosovë. Edi Rama flet emocionalisht dhe shfaqet me një qëndrim personal në këtë çështje. Vjosa Osmani nuk e ndjen nevojën që vendimin e Kosovës ta shpjegojë me traditën e besës, sepse aty ku ka besë nuk ka nevojë të ritheksohet ajo. Ndërsa Rama e nis me kanunin, traditën, besën, sepse ai nuk ka të bëjë asgjë me këto kategori dhe nocione morale të shoqërisë shqiptare”, u shpreh ai.
Dy arsyjet që Rama deklaroi për Kosovën për çështjen e talibanëve
Duke vazhduar profesori përmend dy arsyjet që Rama lëshoi deklaratën për Kosovën, e para lidhet me përdorimin e çështjes për të sulmuar rishtazi “kundërshtarët” e kësaj kërkese amerikane dhe së dyti ishte një lloj urdhëri nga Rama që të tregohej më i shpejtë mirëpo që presidentja dhe qeveria ia hodhën poshtë këtë deklaratë.
“Por ajo që bie në sy në komunkimin e zotit Rama lidhet me dy aspekte do të thoja të turpshme: Së pari e përdori çështjen për të sulmuar rishtazi “kundërshtarët” e kësaj kërkese amerikane. Në fakt që kur Rojter e ka publikuar këtë lajm, unë nuk kam vërejtur kundërshtarë, përveçse disa batuta, të cilat drejtohen kundër Edi Ramës dhe jo kundër ardhjes së afganëve. Kjo do të thotë se ai ose është mbërthyer nga halucinacionet, ose është frikësuar se do t’i ndodhë si me armët kimike në vjeshtën e vitit 2013. Në këtë aspekt i drejtohet opozitës sikur të ishte Stalini. Ende pa e ditur qëndrimin e saj, ende pa marrë ndonjë info rreth kësaj. Mesa duket ai ka dashur që opozita dhe shqiptarët t’i kundërvihen kësaj kërkese logjike të SHBA-ve, që të luajë në fushën e vet të politikës në funksion të vjedhjes së pushtetit të tij. Së dyti, në komunikimin e zotit Rama vura re një lloj komande, urdhëri, që edhe ajo ta pranojë kërkesën amerikane për afganët. Por mesa duket ishte i painformuar për këtë. Qeveria e Kosovës dha menjëherë kumtesën e saj se po e përmbyll marrëveshjen për këtë çështje me amerikanët”, thotë profesori.
Bytyçi nga ana tjetër përmend që deklaratën e Osmanit e cila njoftoi publikun për çdo detaj që duhet të dihet duke ia bërë me dije Ramës që Kosova ka sqarimet e saja për çdo çështje që prek atë.
“Ndërsa pak më vonë presidentja Osmani kumtoi se që me 16 korrik e ka marrë këtë kërkesë nga ambasadori Kossnet në emër të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken. Ajo njoftoi se që në takimin e parë, pa hezituar aspak, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për t’i pranuar afganët e kërcënuar, në territorin e Kosovës. Pra, qeveria dhe presidentja e Kosovës, përveçse bënë sqarimet e duhura për opinionin publik, i dhanë një përgjigje të fortë, ndonëse indirekte, deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë. I thanë atij se është i vonuar në rekomandimin në formë urdhëri që i dha Prishtinës, sepse pranimi i afganëve kishte ndodhur para një muaji”, tha ai.
Ndryshe deklarata e Ramës sipas profesorit ka pasur synimin të shihet kinse ai dhe Vuçiq janë pro Amerikës.
“Rama sillet në këtë mënyrë, sepse dëshiron si gjithnjë ta vendos Kosovën në një pozitë të vështirë, sepse ia ka me hile në çdo çast e për çdo gjë asaj, sepse dëshiron që Kosova të bëjë gafa në qasjet e saj politike, sepse ka hall që t’i konkretizojë akuzat e para pak ditëve për gjoja „anti-amerikanizmin e qeverisë së Kosovës“, duke aluduar se Rama dhe Vuçiç na qenkan pro-amerikanë”, theksoi profesori.
Më tej, profesori potencon që Vjosa Osmani flet dukshëm në emër të institucionit dhe përfaqësimit që ka.
Ndërsa Edi Rama në komunikimin e tij duket qartë se flet vetëm në emrin e tij personal.
“Në fakt Vjosa Osmani ia dëshmoi të kundërtën. Se lidershipi i Kosovës jo vetëm është pro-amerikan, por edhe shumë i përgjegjshëm për fatin e vendit dhe dinjitetin e aleatëve. Një dallim tjetër nga deklarimet e dy liderëve, atij të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, ka të bëjë me faktin se Vjosa Osmani flet dukshëm në emër të institucionit dhe përfaqësimit që ka. Ndërsa, Edi Rama në komunikimin e tij duket qartë se flet vetëm në emrin e tij personal. Pra shteti është një qenie konkrete dhe e qenësishme në Kosovë, ndërkohë që në Shqipëri duket se shteti është Edi Rama. Gjithçka e personalizon, deri sa dhe rrëmben “meriten” se ai ishte i pari që e ngriti këtë çështje në samitin e fundit të NATO-s”, shprehet ai.
Rama dhe propaganda e tij!
Bytyçi nuk e sheh të çuditshme këtë deklaratë të Ramës, pasi sipas tij kreyministri i Shqipërisë vazhdimisht bënë këso lloj deklarata për të propaganduar, mirëpo që këtë propagandë Rama asnjëhere nuk e bëri për interes të vendit, gjithmonë ka shikuar atë personal.
Nëse ai do ta përdorte protagonizmin në shërbim të kombit nuk do të bëhej palë me Beogradin dhe presidentin e Serbisë kundër Kosovës, shton më tej, profesori.
“Nuk është çudi që ai ta ketë ngritur. Po ku fle djalli në këtë mes? Ai i bën këto veprimi për protagonizëm. A ka të keqe të jesh protagonist? Nëse përmbush interesat e vendit që përfaqëson, nuk asnjë të keqe. Por Rama asnjëherë nuk bën protagonistin për interesat e vendit e të kombit. E ushtron këtë profesion si mashtrues në emër të interesave të veta të pushtetit dhe mbrojtjes së pasurisë e nga krimet e tij korruptive. Beson se me këto metoda do t’i shpëtojë ndëshkimit të drejtësisë dhe për këtë është në kërkim të ndihmës amerikane! Nëse ai do ta përdorte protagonizmin në shërbim të kombit nuk do të bëhej palë me Beogradin dhe presidentin e Serbisë kundër Kosovës. Dhe jo në një ose dy raste, por në mënyrë permanente, pa pushuar asnjë çast, deri te iniciativa e fundit e Open Balkan! Duhet njohur Rama për ta vlerësuar sjelljen e tij. Sigurisht kjo këshillë nuk vlen për ata që paguhen prej tij për ta mashtruar opinionin publik, as për ata që një ditë e mallkojnë dhe mbas pak kohe vihen në shërbimin e tij symbyllur. Të tillë ka edhe në Kosovë dhe madje jo pak”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.