Partitë tashmë kanë bërë publike kandidatët e tyre për kryetar në zgjedhje lokale.
Por ajo që është më e veçantë në këto zgjedhjet është se partitë politike shqiptare në Mitrovicën e Veriut janë bërë bashkë që ta sfidojnë Listën Serbe atje, e cila udhëheq aktualisht.
Profesori Muhamet Kelmendi, këtë bashkim e ka quajtur vendim të qëlluar dhe me vend.
Ai në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se bashkimi i partive është i qëlluar dhe tash duhet të punojnë në drejtim për të bindur votuesit për votë.
“Fushata elektorale veç ka filluar. Kandidatët u paraqitën nga partitë politike dhe tash priten punë në drejtim të bindjes së votuesit për votë. Se si do të reflektohen ndryshimet e kandidatëve nëpër komuna është vështirë të themi! Por, mirë është ndryshimi. Kjo tregon se ka filluar çështja të analizohet më mirë nga partitë dhe udhëheqja. Si reflektohet kjo?
Tash është vështirë të theksohet me siguri. Kjo për faktin se nuk kemi asnjë sondazh për të mundur me dhënë mendim konkret mbi përfundimin”, thotë profesori.
Sipas tij, kandidatët janë paradqitur mbi bazën e analizave partiake që i kanë bërë në terren.
“Megjithatë, duket se ndërrimi i kandidatëve është bërë nga partitë mbi bazën e analizave partiake, që ato i kanë bërë në terren. Mbi atë analizë janë paraqitur kandidatët dhe kështu konsiderohet se do të sigurohen suksese. Si dhe mbi cilat ide politike nuk mund të dihet!”, thekson ai.
Në fund, ai thotë se dalja e përbashkët: VV, PDK, LDK, AAK dhe AKR është një zgjidhje shumë e qëlluar dhe me vend e poashtu së bashku dalin më të fortë.
"Për mua vetëm në Mitrovicën e veriut është siguruar një koalicion i gjerë midis partive politike, pa VV, që të dilet përballë Listes serbe. A do të korret sukses mbetet të shihet. Mirëpo, dalja e përbashkët: VV, PDK, LDK, AAK dhe AKR është një zgjidhje shumë e qëlluar dhe me vend. Së bashku dalin më të fortë në rezultatet përfundimtare. Rezultatet tjera, me kandidatë të rinjë a të vjetër, është një çështje që në fund qon të një përfundim, te ai se partia vendos përfundimisht", përfundon profesori Muhamet Kelmendi.