Gjeneral Qehaja tregon ku do të mund të vendosen afganët në Kosovë, ka një paralajmërim për institucionet e sigurisë

Politika

Gjeneral Qehaja tregon ku do të mund të vendosen afganët në Kosovë, ka një paralajmërim për institucionet e sigurisë

Nga: A.Zh Më: 18 gusht 2021 Në ora: 20:02
Gjenerali Ramadan Qehaja

Gjenerali, njëherësh njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja, ka folur për refugjatët afganë, të cilët do të strehohen në Kosovë, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Kosovës.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vepruar mirë, kur ka pranuar kërkesën e SHBA-së.

Qehaja vlerëson se Kosova i ka borxh SHBA-së për kontributin në çlirimin dhe pavarësinë e saj.

“Duke mos hyrë në shkaqet e krijimit të kushteve për rikthimin e talebanëve në Afganistan, dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës ka vepruar mirë kur ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për vendosjen e një numri të afganëve këtu në territorin e Kosovës aq më parë që SHBA-ve, ashtu të shprehem, u kemi borxh që t’i kryejmë kërkesat eventuale të tyre duke ditur kontributin që ato e dhanë ne çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës që ne i gëzojmë”, është shprehur gjenerali Qehaja.

Eksperti i sigurisë ka folur edhe për vendet se ku do t ë mund të vendosen refugjatët nga Afganistani.

“Vlerësime se sa mund të jetë kapaciteti ynë për vendosjen e afganëve, unë nuk kam bërë, por kujtoj se një numër i tyre mund të pranohet dhe vendoset në ish-kampet ushtarake të KFOR-it e gjetiu në territorin e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Megjithëkëtë, Qehaja ka porositur për kujdes të shtuar në aspektin e sigurisë, pasi mund të priten tentativa të destabilizimit të situatës së sigurisë nga shërbime të huaja – armike të Kosovës.

Sipas tij, SHBA, bashkë më organet vendore, duhet të jap të dhënat personale për çdo afgan që do të futet në territorin e Kosovës.

“Kuptohet se duhet pasur kujdes të shtuar në aspektin e sigurisë me rastin e prezencës së afganëve në territorin tonë. Mendoj se SHBA-të në bashkëpunim me organet tona të sigurisë do t’i japin të dhënat personale për çdo individ, duke mos lejuar ndonjë tentativë të destabilizimit të situatës së sigurisë e që mund të priten nga shërbimet e huaja armiqësisht të orientuara ndaj Kosovës”, ka theksuar gjenerali Ramadan Qehaja.

Kosova, bashkë më Shqipërinë, ishte ndër vendet e para, që u bashkua me SHBA-në dhe ofroi ndihmë për njerëzit në rrezik nga ardhja e regjimit taleban në Afganistan./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat