Haradinaj me fjalë boshe ndaj ministrit Vitia, ja çfarë thonë analistët!

Politika

Haradinaj me fjalë boshe ndaj ministrit Vitia, ja çfarë thonë analistët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 gusht 2021 Në ora: 08:22
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor dhe tashmë janë bërë publik edhe emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave të Kosovës.

Duke u zbuluar emrat e kandidatëve, konkurrenca po rritet e bashkë me të edhe fushata, shkruan “Bota sot”.

Pothuajse të gjitha partitë politike kanë dhënë emrat e kandidatëve të tyre.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen kohëve të fundit është kandidimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës.

LVV ka kandiduar ministrin Vitia, kështu duke u shprehur që puna e tij ka treguar mund të jetë i denjë për këtë pozitë.

Por kandidimi i tij nuk u prit aq mirë, të menjëhershme ishin reagimet nga opozita.

Së fundi, ishte kreu i AAK, Ramush Haradinaj ai i cili u deklarua për kandidimin e Vitisë.

Haradinaj ka thënë se kandidimi i tij në kohën kur situata pandemike është jashtë kontrollit, e shpërfaq edhe një herë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.

“Në kohën kur situata pandemike është jashtë kontrollit dhe Kosova po shënon numër të lartë të rasteve me infeksion, mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë, ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës”, u shpreh ai.

Ai ka lutur stafin shëndetësor që ta kujdesen për qytetarët, pavarësisht kësaj gjendje që ai e quan mosinteresim nga ana e qeverisë.

“Pavarësisht nga mosinteresimi i Qeverisë, lus stafin shëndetësor në nivel vendi, që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në kujdesin për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj ndër të tjera në deklaratën e tij.

Mehmeti: Akuzat e Ramushit janë qesharake

Në lidhje me këtë temë, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, tha se ministri Vitia është ndër ministrat më të mirë të qeverisë Kurti dhe suksesi që ai po arrin, i sjell edhe kritikat e pabaza të opozitës.

Image
Faton Mehmeti

“Ministri Vitia ka qenë dhe është ndër ministrat më të mirë të qeverisë Kurti, andaj edhe atakohet më shumë, kjo është logjike. Edhe kur kishte vetëm një rast me Covid, edhe tani që shifrat janë alarmante, ministri Vitia është goditur edhe kur ka mbyll vendin edhe kur e ka hapur, me pak fjalë opozita në çdo situatë e kritikon”, u shpreh ai.

Më tej, analisti i quan akuzat e Haradinajt qesharake, duke shtuar që as ai vet nuk i kupton e aq më pak të kritikojë një ministër që ka sjellë ndryshime në shëndetësinë e Kosovës.

“Akuzat e Ramushit janë qesharake, nëse Vitia qenka kaq i dobët si mund të kritikohet se po largohet nga pozita e ministrit. Si mund të kritikosh dikë për dështim dhe të akuzosh pse po ikën, qesharake! Kam përshtypje se as vet z.Haradinaj nuk e di çfarë thotë, as çfarë kritikon dhe as çfarë kërkon. Gjithsesi ministri Vitia mbetët ministri më i suksesshëm i shëndetësisë që ka pasur Kosova deri tani”, tha Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Kelmendi: Shëndeti është bazë e të ardhmes së Kosovës

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se kandidimi i Vitisë lejohet mirëpo që njëkohësisht mbajtja e pozitës së ministrit mund ta dëmtojë fushën e shëndetësisë Sipas tij, rritja e rasteve po vazhdon këto ditë dhe të merret me fushatën, ministrinë e lë anash punëve që lidhet me shëndetin e qytetarit.

"Kandidimi për pozita të ndryshme është e drejtë e çdo kujt të bëhet. Në aspektin ligjor nuk ka ndalesa. Por, çështja shtrohet në aspektin e të drejtës së pushtetit ekzekutiv dhe në fushën e shëndetit të qytetarëve. Dalja e Arben Vitisë në kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, duke mos e lëshuar pozitën e ministrit të shëndetësisë, është e dëmshme dhe me papërgjegjësi. Në kohën kur infektimet me koronavirus janë rritur dukshëm, sidomos varianti Delta, dalja në kandidim, e përjashton mundësinë e kryerjes së detyrës si ministër. Kjo është e papërgjegjshme dhe tipike antihumanitare, sepse lihet anash dukshëm çështja e shëndetit të qytetarëve”, thotë ai.

Më tej, ai shton se Vitia duhet të jap dorëheqje nga posti i ministrit apo të tërhiqet nga kandidimi, pasi që të dyja nuk mund të shkojnë bashkë, por që sipas tij do të duhej t’i jepet rëndësi postit të ministrit, duke pasur parasysh gjendjen me Covid.

Ndryshe profesori thotë se është e padrejtë të lihet pozita e ministrit për kandidim në qytetin e Prishtinës pasi mbetet në situatë të rëndë qytetari.

“Arben Vitia duhet të jap dorëheqje nga posti ministrit apo të tërhiqet nga kandidimi për kryetar të Prishtinës. Të dyja nuk shkojnë bashkë. Njëra lihet anash. E këtu duket se interesi është më i madh për kryetar. Vetë kjo e lë keq çështjen e shëndetësisë në pandemi. Në Kosovë kemi tash nga 1500 raste me koronavirus në ditë. Spitalet janë mbushur me të infektuar. Shume edhe po vdesin. Lënia e kësaj gjendjeje kështu në llogari të kandidimit për kryetar është papërgjegjësi dhe shkelje e rëndë e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Votën e ka marrë VV për të qeverisur. Ikja nga pushteti dhe përgjegjësia, sikundër po bëhet me shumë ministri, shih atë të Punëve të Jashtme, të Drejtësisë, të Punëve të Brendshme, të arsimit etj., tregon se VV është larguar nga detyrat pse ka marr votën. Tash është lënë populli në mëshirë. Këtu ka përgjegjësi VV. Sidomos në çështjen e shëndetit”, ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat