“Ballkani i Hapur”, emri i ri i Minishengenit Ballkanit vazhdon të jetë aktual dhe mjaft i përfolur.
Iniciativa e nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, gjeti kundërshtim të fuqishëm nga ana e Kosovës.
Madje, kryeministri shqiptar Edi Rama mori kritika të shumta për këtë iniciativë, duke dalë haptas kundër Kosovës dhe pro Serbisë.
Po ashtu, pati lajme nga mediat dhe analizat ruse se pas Ballkanit të Hapur fshihet ideja e shkëmbimit të territoreve me Kosovën, një synim ky prej kohësh i Vuçiqit.
Kjo ide që ishte përkrahur edhe nga ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte kundërshtuar nga shtetet mike të Kosovës.
Por, sa mund të jenë të vërtetat deklarimet se kjo ide fshihet pas Ballkanit të Hapur? A ekziston ende rreziku për Kosovën dhe sa janë shanset që Vuçiq ta përmbushë synimin e tij?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja.
Ai ka thënë se kjo iniciativë nuk ka të bëjë me ndryshim kufijsh.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/21/auto_850x636_auto_fadil155307133816220523581629523122.jpg)
“Ideja për “Ballkanin e Hapur” nuk ka të bëjë me ndërrim kufijsh por me legjitimim të gjendjes aktuale në të cilën Serbia e konsideron Kosovën pjesë të vet ndërsa Kosova e konsideron veten të pavarur, ndërsa fqinjët për një interes të kufijve të hapur i pranojnë të dyja këto opsione përjashtuese dhe bëhen sikur nuk ekzistojnë”, është shprehur ai.
Ai tregon pse Kosova nuk mund të bëhet pjesë e këtij projekti.
“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e këtij projekti pa normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore e fqinjësore me Serbinë”, ka vlerësuar Lepaja.
Sipas tij, përfshirja në heshtje jep mesazh që Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje apo të funksionojë pa e përfillur kushtetutën dhe ligjet e saj.
“Përfshirja në heshtje në këtë projekt jep mesazhin që Kosova është e gatshme të hyjë në marrëdhënie jokushtetuese, pra duke u detyruar të nënshkruajë marrëveshje apo të funksionojë pa e përfillur kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.