Dështimi i Thaçit mbi qiellin gjerman/“Ballkani i Hapur” një rulet rus për shqiptarët, si i frenoi Biden ëndrrat serbe për Kosovën

Politika

Dështimi i Thaçit mbi qiellin gjerman/“Ballkani i Hapur” një rulet rus për shqiptarët, si i frenoi Biden ëndrrat serbe për Kosovën

Nga: G.B Më: 21 gusht 2021 Në ora: 12:22
Thaçi, Vuçiç dhe Rama, foto ilustrim nga "Bota sot"

Minishengeni Ballkanik i nisur dy vite më parë, së fundi u shndërrua në Ballkan të Hapur.

Në Forumin e mbajtur në Shkup, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut vendosën që t'i ndryshonin emrin kësaj iniciative.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është ndër ideatorët e kësaj iniciative, u kritikua mjaft për rreshtimin krah Serbisë dhe daljen kundër Kosovës.

Kjo e fundit e kundërshtoi që nga fillimi këtë nismë dhe kundër vazhdon të jetë ende, duke e parë si të dëmshme për shtetin.

Por, me "Ballkanin e Hapur" u ndërlidh së fundi edhe ideja e shkëmbimit të territoreve, ëndërr kjo e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Lidhur me këtë, për gazetën "Bota sot" ka folur njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi, i cili "Ballkanin e Hapur" e ka quajtur një rulet rus për shqiptarët, derisa ka thënë se Rusia përmes Serbisë tenton ta paralizojë integrimin e Ballkanit në BE dhe NATO.

"Ideja e Vuçiqit për Serbinë e madhe ende jeton. Ai edhe pas 27 vitesh e mban gjallë Republika Srbska-n me ndihma dhe lloj-lloj planesh pan-sllave së bashku me Rusinë duke e bërë Federatën e Bosnjës një krijesë jofunksionale. Rusia përmes Serbisë mundohet të paralizojë integrimin e shteteve ballkanike në BE dhe anëtarësimin e tyre në NATO. Dëshira e Moskës përmes fushatave të ripërsëritura për të vënë ndikim të përhershëm në Ballkan shpesh edhe ka dështuar, si në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, megjithatë, ajo nuk tregon shenja të braktisjes së Ballkanit, duke i përkrahur politikanët e ekstremit të djathtë dhe politikanët autoritarë si Vuçiq, Dodik, dhe ish kryeministri Gruevski", është shprehur ai.

Sipas tij, me Thaçin si president dhe Isa Mustafën si kryeministër, Kosova përjetoi debakël, të cilët e ulën pazarin me Serbinë dhe e nënshkruan Asociacionin, ndërsa që Thaçi përkrahu idenë e Vuçiqit për këmbim territoresh.

"Derisa, Thaçi akomodoi vetveten si kryetar i Kosovës, për shërbime të ulëta dhe manipuluese e instalon Isa Mustafën si kryeministër, edhe pse ky ishte një humbës në zgjedhje. Me Isën në krye të qeverisë dhe me Thaçin kryetar, Kosova pësoi debakël si në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe në politikat shtetërore. Ata e ulën pazarin në dialog me Serbinë, bënë koncesione me Zajednicën, dhe e vodhën shtetin pamëshirshëm. Thaçi lansoi dhe përkrahu një ide serbomadhe të Vuçiqit për këmbim territoresh. Ai e mashtronte në sy opinionin Kosovar herë duke thëne se duhet bërë kompromise të dhimbshme në emër të paqes dhe pavarësisë e herë duke e ripërsëritur refrenin se Kosova nuk do të japi asgjë, por do t’i bashkëngjitej Kosova Lindore, Lugina e Preshevës", ka vlerësuar Bekteshi.

Më tej, ai thotë se afrimi i tepruar i Thaçit me Vuçiqin lidhet me Putinin, derisa atij iu kërkua që ta vizitonte Kosovën dhe ta hapte ambasadë në Prishtinë. Po ashtu, analisti përmend Haradinajn i cili ia la në dorë dialogun Thaçit dhe vet e nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi.

"Afrimi i tepruar i Hashim Thaçit me Vuçiqin dhe përmes tij lidhet edhe me Putinin, duke i kërkuar Putinit që të vizitojë Kosovën dhe Rusia të hapte ambasadën e saj në Prishtinë. Ishte ky një gjest fëmijëror i Thaçit kur dihet se Rusia ka për qellim influencën e saj në Ballkan dhe frenimin amerikan. Këtyre aventurave thaçiane u ndihmoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj duke ia lënë në përgjegjësi dialogun Thaçit. Edhe Haradinaj si Isa Mustafa bëhet kryeministër si humbës, por duke u bërë instrument i H.TH edhe pas rezistencës së tij epike për Çakorrin, është mu Haradinaj që e nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi duke i humbur Kosova 8200 hektarë", ka deklaruar Ramazan Bekteshi.

Sipas tij, Thaçi i bëri të gjitha këto për shkëmbim territoresh dhe u përkrah nga Edi Rama e Baaton Haxhiu, por që aventurat e tij dështuan gjatë fluturimit të tij për në SHBA.

Image
Ramazan Bekteshi

"Të gjitha këto aventura të HTH për këmbim territoresh, asnjë nga partia e tij PDK nuk doli haptas që ta kritikojë planin e tij të rrezikshëm, as Bolton, as Grenell, por e mbajtën në heshtje derisa doli e vërteta. Dështimi i planit të HTH ndodhi gjatë fluturimit të tij për në Washington dhe aborti i fluturimit derisa ishte në qiellin gjerman. Të gjithë këta aventura me tokën kosovare të Hashim Thaçit, i përkrahu miku i tij Rama i rekrutuar në këtë lojë të rrezikshme nga Baton Haxhiu", ka shtuar ai tutje.

Bekteshi thotë se tani pa Thaçin dhe gërshërët e tij, shanset për Vuçiqin sikur janë zbehur, derisa Rama mban gjallë Minishengenin, një ide e vjetër serbo-ruse.

"Tani, pa Thaçin dhe gërshërët e tij, shanset për Vuçiqin sikur janë zbehur. Sërish janë shqiptarët, ata që ‘minishengenin’ e mbajnë të gjallë, këtë ide te vjetër dhe një plan serbo-rus. Derisa Hoti e nënshkroi ‘minishengenin’ në Washington DC, çuditërisht të gjithë heshtën përveç Albinit dhe Vjosës, por kur Rama i dha përkrahje vëllazërore Vuçiqit në Shkup, shqiptarët u zgjuan, por, kur atyre u doli gjumi ‘minishengeni i ri’ kremtonte suksesin në Korçë me tinguj të muzikës serbe që dikur i kishte frymëzuar kriminelët e luftës për të kryer masakra makabre ndaj shqiptarëve që si mban mend Evropa", ka theksuar ai.

Sipas analistit, Ballkani i Hapur për Rusinë është një lojë dhe ajo vazhdon garën për të dominuar në Ballkan.

"Ballkani i Hapur për Rusinë është një lojë jo vetëm për influencë ekonomike dhe politike por edhe të devijojë vëmendjen nga aktivitetet e saj ilegale në Ukrainë dhe shtete tjera evropiane. Rusia vazhdon të garojë në Ballkan për ndikim më të madh jo vetëm me BE-në dhe SHBA-në por edhe me Turqinë dhe Kinën", ka vlerësuar Bekteshi.

Fajtore për Ballkanin e Hapur sipas tij është edhe Evropa e përçarë dhe politikat e gabuara të Trump, por që tani me ardhjen e Biden në krye të Amerikës, janë shuar ëndrrat serbe për shkëmbim territoresh dhe aventurat ruse në Ballkan.

"Pos shqiptarëve që janë kontribuues të Open Balkan, fajtore është edhe Evropa e përçarë dhe politikat e gabuara të ish-presidentit Trump, politikat e tij pa koherencë e konsistencë në rajon, krijuan hapësirë për Rusinë dhe aleaten e saj Serbinë. Ardhja e Biden-it në krye të politikës amerikane sikur i ka frenuar aventurat ruse në Ballkan me këtë edhe ëndrrën serbe për këmbim tokash", ka thënë ai.

Sipas tij, derisa shqiptarët përçahen, Rusia vazhdon veprimin në Ballkan, në Tiranë e Prishtinë dhe luan me sentimentin fetar dhe vëllazërinë ortodokse, që këndon në Korçë dhe e nxit në Tiranë.

"Derisa shqiptarët vazhdojnë të përçahen, Rusia vazhdon të veprojnë në Ballkan me Sputnik-un e saj (serb e shqiptar), të instaluar në Tiranë e Prishtinë dhe me sulmet e saj kibernetike. Derisa shqiptarët grinden, ajo luan edhe me sentimentin fetar, me vëllazërinë ortodokse, që këndon në Korçë dhe e nxit në Tiranë, përmes elementeve muço-nanoiste dhe brekushkave të piktorit", ka përfunduar Ramazan Bekteshi për gazetën "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat