Në zgjedhjet jashtëzakonshme parlamentare fushata zgjedhore u mbajt pavarësisht pandemisë, ndonëse kishte kritika të shumta se po përhapej koronavirusi.
Për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor, partitë tashmë kanë caktuar edhe kandidatët për kryetarë të komunave dhe asamblistë.
Por, Kosova ditët e fundit po përballet me rritje enorme të numrit të rasteve me CoVID-19, ku aktualisht po dalin mbi 2 mijë të infektuar në ditë. Për shkak të kësaj, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe masat anti-covid.
Në situata normale duhet të zhvillohet fushata, por në situatën aktuale po konsiderohet veprim jo i mirë mbajtja e tubimeve elektorale nga partitë politike, në kohë pandemie.
Analistët po thonë që fushata do të ishte mirë që të bëhej përmes rrjeteve sociale.
Mehazi: Qeveria e Kurtit të mos veprojë si Qeveria e Hotit
Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se partitë tani do të arsyetohen me vaksinat e marra nga qytetarët.
“Gjendja alarmante e të infektuarve me Covid-19 nuk do ndikojë që mos të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, nëse gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit partitë politike ishin të pamëshirshme ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk mbrohej popullata mu atëherë kur ishte kulmi i të infektuarve e ku tani me vaksinat e zbuluara.
Partitë politike në shkurt bënin tubime pafarë vaksinimi e ku gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale të tetorit që partitë lehtësisht do arsyetohen me vaksinat e marra të qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai thotë se, partive politike gjatë zgjedhjeve parlamendatre nuk iu ka interesuar shëndeti i popullit por vetëm votat, andaj edhe në këto zgjedhje mund të ndodhë njejtë.
“Fushata zgjedhore parlamentare e shkurtit tregoi se partitë politike më shumë ju interesonte numri i votave sesa numri i madh i të infektuarve dhe as që brengoseshin për shendetin e qytetarëve, përveç votave asgjë s'ju interesonte, kështu mund të ndodh edhe gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit.Tubimet e dasmave, të stadiumeve futbollistike, të kafeneve nuk do lejohen e do dënohen, kurse tubimet gjatë fushatave politike zgjedhore do lejohen e nuk do dënohen fare. Tubimet e qytetarëve do ndalohen e dënohen, kurse tubimet e fushatave partiake as nuk do ndalohen e as nuk do dënohen”, ka thënë profesori.
Në fund Mehazi shton se Qeveria e Kurtit do bëhej e pandershme sikur të vepronte si qeveria paraprake e Hotit, që gjatë tubimeve zgjedhore nuk interesohej për shëndetin e qytetarëve.
“Qeveria e Kurtit nuk do bëhej e ndershme sikur të vepronte si qeveria paraprake e Hotit, që gjatë tubimeve zgjedhore fare nuk interesohej për shëndetin e qytetarëve nga virusi global Covid-19. Nëse gjatë fushatës zgjedhore të tetorit qeveria e Kurtit nuk merr masa anti-kovid për të mbrojtur qytetarët e Kosovës, atëherë asgjë nuk do bëjë përveç rritjes së vdekshmërisë së popullatës së Kosovës nga Covid-19 e Delta-21”, përfundon profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.
Krasniqi: Fushata zgjedhore do ta shumëfishonte numrin e rasteve
Edhe analisti Islam Krasniqi, shprehet se fushata zgjedhore do ta shumëfishonte numrin e rasteve.
“Tani koha është rënduar shumë nga Covid 19, po ashtu çdo ditë e më shumë po rrezikohen qytetarët tanë dhe vazhdimi i fushatave zgjedhore do t'a shumëfishojë Covidin i cili do të dëmtonte çdo sektor”, ka thënë Krasniqi.
Ai jep idenë që fushata zgjedhore të bëhen vetëm përmes formave elektornike, mediave e televizioneve për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Sipas tij, partitë politke nëse bëjnë thirrje për fushata, atëherë mund të rritet numri i rasteve dhe dëshmojnë që klasa politike e djegë popullin për vete.
“Mirë do të ishte që fushatat të bëhen vetëm në forma elektronike për mes mediave apo televizioneve duke ju qëndruar turmave të qytetarëve për t'u ruajtur nga Covid-19. Klasa politike për interesa të veta djeg gjithçka dhe nuk ju intereson gjendja e qytetarëve, siç e kemi parë në zgjedhjet e fundit tubime në kohë pandemie, pa maska apo mjete mbrojtëse anti-Covid. Andaj, thirrja për të marrë pjesë nëpër fushata zgjedhore është rrezikim për qytetarët pasi që mund të fitohet dhe bartet virusi te të tjerët duke shtuar numrin e rasteve dhe vdekjeve, e që dëshmon se kjo klasë e djegë popullin për vete!”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.