Prishtina test për matjen e fuqisë së LDK-së në nivel nacional

Politika

Prishtina test për matjen e fuqisë së LDK-së në nivel nacional

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 22 gusht 2021 Në ora: 21:54
Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama

Lidhja Demokratike e Kosovës po shpreson në rikthimin.

Caku i tyre kryesor është fitorja e garës në Komunën e Prishtinës, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një deklaratë për mediat vendore, ka thënë se nëse partia e tij nuk e fiton Prishtinën, nuk do të jetë rikthim i saj pavarësisht fitoreve në komunat tjera.

Pro, si duhet kjo nuk do të jetë aq e lehtë.

Sipas analistëve politik, LDK-së i duhet ende punë dhe reforma brenda saj që të rikthehet siç ka qenë dikur.

Sa i përket, kandidatit të LDK-së për kryeqytetin, ata shohin se kjo parti me kandidatin e tyre Përparim Ramën do të shkojnë në balotazh.

Bytyçi: LDK-së i duhen ende reforma

Opinionisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka dyshime nëse LDK-ja do të rikthehet fuqishëm apo jo.

Image
Adem Bytyçi

Ai deklaron se kjo parti duhet të bëjë shumë punë dhe reforma të brendshme për të rikthyer reputacionin e dikurshëm.

“Që nga lufta deri më tani asnjëherë parashikimet lidhur me sukseset e LDK-së, nuk kanë rezultuar të sakta. Edhe sikur të ndodhte edhe pse është tejet diskutabile të fitonte Prishtinën LDK-ja, nuk do të thotë se ky subjekt politik do të rikthehet përsëri e fuqishme si në të kaluarën në skenën politike. I duhen shumë punë dhe reforma të brendshme për të bërë LDK-në, për ta rikthyer imazhin dhe reputacionin që e ka patur në të kaluarën”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ademi ka përmendur emrat e personave me të cilët kjo parti e ka të pamundur që të rimerr përkrahjen e qytetarëve.

“Me Lutfi Hazira, Agim Velia, Isa Mustafa dhe Avdullah Hotin, është e pa mundur që LDK, ta fitojë simpatinë dhe përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, të cilën e kishte dikur. Edhe pse disa nga të lartpërmendurit nuk janë më aty, influenca e tyre nga jashtë në strukturat e LDK-së, është tejet e madhe ...”, ka vlërësuar ai.

Po ashtu, ai ka treguar se a do t`i sjell fitore rikandidimii i kryetarëve të mëparshëm.

“Po të gjykohet drejtë rikandidimii i kryetarëve të mëparshëm në komunat në të cilat ka qeverisur LDK-ja në zgjedhjet lokale të tetorit nuk ka për t'i sjellë fitore asaj”, ka theksuar Bytyqi për “Bota sot”.

Sfidat e LDK për Prishtinën dhe rikthimin e madh

Opinionisti tjetër, Ruzhdi Peçani, në një bashkëbsiedim për “Bota sot”, ka deklaruar se gara e fortë në zgjedhjet lokale mes partive politike është për Prishtinën.

Image
Ruzhdi Peçani

“Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit në Kosovë pothuajse ka filluar. Partitë politike tani më kanë deklaruar kandidatët e tyre për kryetar komunash .Tanimë zgjedhjet lokale të 17 tetorit po ofrohen. Ajo që zgjon kërshërinë janë zgjedhjet në Komunën e Prishtinës , pra kandidatët për kryetar komune. Opinioni, edhe jashtë Prishtinës, ka zgjuar kureshtjen se kush mund të fitoj zgjedhjet? Kështu gara e fortë mes partive politike është kjo për Prishtinën”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për deklaratën e Haziriit për rikthimin e LDK-së.

“LDK edhe më herët kishte filluar të promovoj “rikthimin e madh të LDK”. Dhe qëndron kjo që ka deklaruar Lutfi Haziri: “ nëse LDK nuk e fiton Prishtinën, nuk do të jetë rikthim i partisë pavarësisht fitoreve në komunat tjera” Atëherë cilat janë sfidat për LDK dhe kandidiatin e saj për kryetar z.Përparim Rama?

Edhe pse në zgjedhjet lokale, kandidatët janë zakonisht më të rëndësishëm se sa partia të cilës ata i përkasin, po në rrethanat politike dhe gjeopolitike që sot është Kosova do ketë ndikim se nga cila parti vije kandidati, kështu do jetë një test apo tregues për popullaritetin për Qeverinë, po edhe partitë politike duke u shndërruar kështu në testin e parë serioz pas 14 shkurtit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, kandidati i LDK-së do jetë në balotazh, ndërkaq ka përmendur mangësitë e Ramës.

“Kandidati i LDK z. Përparim Rama, edhe pse mungojnë sondazhet, mendoj se do jetë në balotazh. Po, cilat janë mangësitë për të? Si personalitet publik njohur vetëm si një arkitekt të suksesshëm edhe jashtë. Por, halli qëndron se është i panjohur për opinionin si personalitet publik-politik në menaxhim dhe administrim publik. Menaxhimi i një projekti ndërtimit apo arkitektonik me një menaxhim dhe administrim publik përbëjnë një ndryshim të madh”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Peçani ka përmendur pesë pika, të cilat i shohin qytetarët e Prishtinës.

“Koncepti i udhëheqjes dhe administrimit të mirë si dhe korniza ligjore e qeverisjes lokale tregon indeksin e administratës së mirë qytetarët e Prishtinës e shohin në këto pesë pika:

Përgjegjësi, transparencë, hapje dhe participim, barazi, parashikim, efikasitet, veprim dhe antikorrupsion. Kështu duke i trajtuar këto ndaras si grupe të principeve.

Me kuptimin udhëheqje të mirë (angl. good governance)kuptojmë administratë e mirë (angl. good administration). Nga këndvështrimi qytetarëve, principet udhëheqjes apo menaxhimit shërbejnë për avancimin e mënyrës se si administrata (burokracia)do vepron. Të drejtat dhe liritë e qytetarëve duhet të qëndrojnë në thelbin e konceptit të menaxhimit të mirë. Një administratë e mirë duhet të respektoj vlerat e shtetit ligjor dhe të drejtat e qytetarëve si dhe pjesëmarrjen në vendim marrje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Vështirë se Përparim Rama do fitojë garën për Prishtinën dhe rikthimin e madh të LDK”

Më tej, Peçani ka deklaruar se Rama promovohet kryesisht si arkitekt, ndërkaq mbetet të shihet programi i tij.

“Kështu z.Rama këto ditë shihet ekskluzivisht afër ndërtesave dhe promovohet kryesisht si arkitekt. Mbetet të shohim programin e tij për mjedisin, shëndetësinë, arsimin, kulturën, zhvillimin rural dhe tjera. Këto nuk janë arkitekturë. Po të jetë Përparim Rama në balotazh, këtu qëndron enigma apo kurthi që mund të bie vetë z.Rama?!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërkaq, Peçani ka folur edhe për pazare politike, dhe ka trguar se çfarë do të thotë kjo.

Ai ka ritheksuar se Rama e ka të vështirë që të fitojë garën në Prishtinën.

“Të deklarohen PDK,AAK,AKR se do mbështesin z.Rama, kjo do thoshte futje në pazare politike, që elektorati “i ikur” që shpresohet të kthehen nuk do i jepnin votën z.Përparim Rama, apo do ketë “ikje” sërish nga LDK në këto zgjedhje. Një fitore në Prishtinë, po të ndodhi me pazare politike, nuk do thoshte se ndodhi “rikthimi i madh”. Kujtoj se vështirë Përparim Rama do fitojë garën për Prishtinën dhe rikthimin e madh të LDK. Qytetarët Prishtinës nuk kanë harruar, se po nga LDK kur ishte në qeveri, ishin dënuar me mos nxjerrjen e Ligjit për Prishtinën si kryeqytet”, ka thënë ai për “Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat