Thaçi e humbi autoritetin me idenë e shkëmbimit të territoreve, Haradinaj me Çakorrin e Zhlebin/ Nga ky veprim varet karriera politike e Albin Kurtit

Politika

Thaçi e humbi autoritetin me idenë e shkëmbimit të territoreve, Haradinaj me Çakorrin e Zhlebin/ Nga ky veprim varet karriera politike e Albin Kurtit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 gusht 2021 Në ora: 10:43
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, investimi i të cilës është në mbi 6 milionë euro e që do të bëhet nga qeveria serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, hodhi gurthemelin për ndërtimin e këtij Universiteti në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiç”, tha Petkoviç.

Ndërsa, rektori i Univestitetit të Prishtinës, Zdravko Vitoseviç, tha që arsimi është themeli i qëndrimit dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë.

Lidhur me atë se a mund të bëj diçka Qeveria e Kosoves për ta ndaluar ndërtimin e këtij Universiteti, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjve politike, derisa vet zyra e kryeministrit nuk ka dhënë përgjigje.

“Ky universitet nuk funksionin në bazë të ligjit të Kosovës”

Image
Muhamet Kelmendi

Lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot”, juristi Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se veriu funksionon i pavarur nga Republika e Kosovës, sepse të gjitha fushat pothuajse funksionojnë nga shteti serb.

Kelmendi potencoi se sipas ligjit mund të ndërtohen univeristete kur i plotësojnë kushtet, por siç tha ai ky universitet nuk funksionon sipas ligjit të Kosovës, por në bazë të shtetit serb.

“Veriu është de-fakto i ndarë nga Kosova, Veriu i vendit funksionon i pavarur nga Republika e Kosovës. Pothuajese të gjitha fushat funksionojnë nën ombrellën e shtetit serb. Ndërtimi i objekteve është në kompetencë të komunave. Këtu del edhe baza juridike e ndërtimit të objektit në Mitrovicën e Veriut, që nga shteti serb iu vunë themelet. Çështja del si institucion universitar? Natyrisht se sipas Ligjit mbi Arsimin e Lartë të Kosovës mund të ndërtohen dhe të hapen universitete kur i plotësojnë ato institucione kushtet ligjore dhe ato akreditohen nga Agjensia e Akreditimit të Republikës së Kosovës. Ky Universitet nuk është krijuar dhe nuk funksionon sipas Ligjit të Arsimit të Lartë të Kosovës, por të shtetit serb”, ka potencuar ai.

Më tej ka shtuar se shteti të intervenoj dhe më pastaj të veprohet sipas ligjit të vendit, por që sipas tij, do të jetë i pamundur intervenimi i Qeverisë në këtë çështje.

Tutje, Kelmendi theksoi se gjendje të njëjtë kemi në të gjitha fushat në veri të Kosovës, ndërsa, pritet që nga Asociacioni të ndahet shteti ynë.

“Këtu ka mundësi që shteti ynë të intervenon për të mundur që të veprohet sipas Ligjit të vendit dhe të bëhet akreditimi i tij nga organet e Kosovës. A do të veprohet nga Qeveria e Kosovës kështu dhe në këtë insutitucion nuk ma merr mendja fare. Kjo Qeveri, si ato të kaluara, do të tolerojnë këtë institucion të shtetit serb në Mitrovicën e Veriut. Zaten këso gjendje kemi në të gjitha fushat në veri të Kosovës. Atje është administrata e pavarur, gjykatat, arsimi, shëndetësia deri edhe rendi e siguria janë të pavarura nga Prishtina. De-facto ajo pjesë është e ndarë nga Kosova. Pritet që me Asociacion të ndahet edhe de-jure nga shteti i ynë”, përfundoi Kelmendi.

“Detyra e Kurtit të mbrojë territorin e Republikës së Kosovës”

Image
Sulejman Mehazi

Analisti Sulejman Mehazi, ka theksuar se ndërtimi i këtij Universiteti është provokim për Qeverinë e Kosovës, madje sipas tij do të jetë dhe sprovë e madhe për Kurtin.

Ai shtoi se nga ky Universitet do të varet ngritja apo rënia e Kurtit.

“Ndërtimi paralel i Universitetit të Prishtinës" serb në Mitrovicë të Veriut është më shumë se provokim për Qeverinë e Kosovës dhe është e patolerueshme për shefin e qeverisë së Kosovës Albin Kurtin. Universiteti fantom serb në Mirovicë të Veriut do të jetë sprovë e madhe për Kurtin dhe qeverine e tij, tendencë serioze serbe për të rëzuar e humbur autoritetit e mëtutjeshëm të Albin Kurtit para qytetarëve të Kosovës. Ngritja apo rënia e kryeministrit të Kosovës Kurtit do të varet prej veprimeve të këtij "Universiteti të Prishtinës" serb në Mitrovicë të Veriut”, tha ai.

Më tej, ai ka theksuar se nëse Kurti e lejon këtë Universitet, atëherë edhe ai do të hyjë në grupin e politikanëve të dështuar, sepse detyra e tij është të mbroj integritetin territorial të Kosovës.

“Hashim Thaçi autoritetin e humbi me idetë serbe të shkembimeve të territoreve, po ashtu edhe Ramush Haradinaj humbi autoritetin e tij politik me Çakorrin e Zhlebin, nëse Albin Kurti toleron e lejon "Universitetit e Prishtinës" serb në Mitrovicë të Veriut, atëherë merr fund karriera e tij politike e do hyjë në grupin e politikaneve të dështuar. Detyra e kryeministrit Albin Kurtit është të mbrojë fuqishëm integritetin territorial të Republikes së Kosoves, pasi ky universitet serb me emrin e Prishtinës e jo të Beogradit sulmon rëndë tërë territorin e Kosovës”, potencoi Mehazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat