Kundërshtarët kanë kërkuar që ministri Arben Vitia të japë dorëheqje për shkak të keq-menaxhimit të pandemisë.
Për këtë ka pasur reagim edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka thënë që kryeministri Albin Kurti duhet të jap dorëheqje.
“Në këtë rast besoj që kërkesa legjitime për dorëheqje i drejtohet Kurtit dhe apeloj te ai që nëse ky është kualiteti se si do të përballet ai me sfidat që i ka Kosova, në këtë rast me pandeminë, atëherë më mirë është me dhënë dorëheqje sot, mos e mbajt peng popullin dhe mos me i vonu veprimet e duhura rreth pandemisë”, thuhet ndër tjera në deklaratën e tij të bërë një ditë më herët.
Analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Ramush Haradinaj është qesharake, sa që as ai vet nuk e beson.
“Deklaratë qesharake, edhe vet Ramushi nuk e beson atë që ka thënë. Prandaj, këto deklarata nuk bën të merren serioze. Realisht asnjë qeveri s’do mund të menaxhonte më mirë situatën me covid se qeveria Kurti”, ka thënë ai.
Sipas tij, po të ishte Haradinaj kryeministër në këtë situatë të tillë, vendi do të falimentonte.
“Paramendo për një moment nëse Ramushi do ishte kryeministër në një situatë të tillë, situata do të ishte edhe më skandaloze, viktima më shumë dhe infektime 10 fish më shumë. Fat për ne që Kurti është kryeministër në këtë periudhë delikate, ndryshe vendi do falemimentonte nga covid-19”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.