Edhe në Kosovë sikurse në gjithë botën është rikthyer kriza e pandemisë për shkak të virusit Corona.
Kanë filluar të rikthehen sërish masat e që dikë në fushën e ekonomisë po e dëmtojnë shumë.
Një krizë të tillë ekonomike, vështirë se mund ta përballojë sërish Kosova, një vend i varfër me të ardhura të dobëta, por me një numër të madh të infektuarve. Kosova është shpallur si zonë e rrezikshme, me shifra të mëdha të të prekurve nga Covidi, andaj medoemos duhet ndërmarrë masa.
Por si duhet vepruar në këtë rast që ekonomia të mos gjunjëzohet?
Ahmeti: Varianti Delta do të ketë efekt të menjëhershëm në ekonominë e Kosovës
Kështu, njohësi i çështjeve ekonomike, Bardh Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kriza e sërishme me Covid do të ketë efekt të menjëhershëm tek ekonomia e Kosovës. Ai ka numëruar edhe arsyet që po dërgojnë deri tek kjo krizë ekonomike.
“Vala e re e koronavirusit, varianti Delta, do të ketë efekt të menjëhershëm në ekonominë e vendit. Përkeqësimi i situatës me pandeminë, ndikon në uljen e kërkesës në treg dhe konsumit, si rezultat i humbjes së besimit të konsumatorëve. Masat e reja për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndaluar në tërësi aktivitetin e një pjese të gastronomisë, si dhe ka kufizuar aktivitetin e një pjese tjetër të ekonomisë. Efekti negativ, prek përtej gastronomisë, pasi që shumë sektor të tjerë janë të lidhur me punën e gastronomisë, furnizime dhe shërbime të tjera. Prandaj, efekti për buxhetin e shtetit dhe ekonominë në tërësi do të jetë i prekshëm, të hyrat në buxhetin e shtetit do të bien, të papunët që do të kërkojnë mbështetje nga pako e ringjalljes ekonomike do të rritet, dhe fuqia blerëse do të zvogëlohet”, ka vlerësuar Ahmeti.
Ndërkaq, sipas tij, fatmirësisht, kësaj here ndërkohë që merren masat kufizuese, disa masa të pakos së ringjalljes ekonomike janë të hapura dhe duke u implementuar, sikur ajo për ata që kanë humbur vendet e punës, në këtë rast ndërhyrja me përkrahjen e ekonomisë mund të bëhet në kohë reale, pasi që çdo ditë e kaluar nënkupton shumë kosto për biznesit, si dhe pastaj intervenimi në mënjanimin e dëmeve, kthimin e vendeve të humbura të punës apo nga falimentimi i kompanive, është shumë më i vështirë dhe i kushtueshëm sesa intervenimi preventiv.
“Si përfundim, nëse ekzekutimi i pakos së ringjalljes ekonomike, si dhe ndërkohë qeveria ndërhyn me instrumente të reja komfor masave kufizuese të ndërmarra, nëse të njëjtat nuk janë të parapara me pakon e ringjalljes ekonomike, ekonomia e Kosovës do të mund ta përballojë edhe këtë valë të re të krizës me pandeminë”, është shprehur Ahmeti.
I pyetur se si duhet të veprojë Qeveria Kurti në këtë rast, Ahmeti ka thënë se beteja kryesore për një rrjedhë të qëndrueshme ekonomike, duhet të jetë vaksinimi i popullsisë.
“Prioritet i Qeverisë duhet të jetë imunizimi i popullsisë, përmes intensifikimit, thjeshtëzimit dhe decentralizimit të procesit të vaksinimit, besoj që kjo është beteja kryesore për një rrjedhë të qëndrueshme të jetës ekonomike të vendit për periudhën kohore në vijim, duke parë trendet dhe variantet e reja të koronavirusit”, ka theksuar ai.
Tutje, eksperti i ekonomisë ka shtuar se vazhdimi i implementimit të pakos së ringjalljes ekonomike, me të gjitha masat dhe nënmasat e saja, duke i prioritizuar sektorët më të prekur nga pandemia, si dhe zinxhirët e ekonomisë që janë të ndikuar indirekt nga kufizimet për ruajtjen e shëndetit publik. Edhe në këtë rast, procedurat duhet të jenë të thjeshta, por me kredibilitet të procesit.
“Ruajtja e likuiditeti të sektorit privat është garancë për vet shtetin, për stabilitet makrofiskal dhe financiar. Ndërkohë, gjatë marrjes së masave kufizuese të aktivitetit ekonomik, Qeveria të përfshijë në debat dhe vendimmarrje edhe komunitetin e biznesit, të lexohen trendet e virusit më herët dhe mos të merren masa me efekt të menjëhershëm, pasi që humbjet e bizneseve me furnizime, porosit dhe plifikim të procesit të prodhimit kërkojnë disa ditë pune për të mënjanuar humbjet e mëdha me lëndët e para”, ka deklaruar Bardh Ahmeti për gazetën “Bota sot”.
Prof.dr. Musa Limani: Edhe para covid 19, ekonomia e Kosovës ishte në një krizë të thellë
Edhe prof.dr. Musa Limani, në një prononcim për ‘Bota sot’, ka vlerësuar gjendjen ekonomike në vend, në kohën e krizës me pandeminë Covid.
Ai ka thënë se duke u bazuar në parametrat makroekonomikë, siç janë: Bruto Produkti Vendor për një banor, Deficiti i bilancit të tregtisë së jashtme, struktura e pavolitshme ekonomike (monostruktura), norma e lartë e papunësisë etj., edhe para Covid 19, ekonomia e Kosovës ishte në një krizë të thellë.
“Këtë gjendje të rëndë ekonomike, edhe më tepër e ashpërsuan (ngarkuan) masat për ndalimin e saj. Në bazë të këtyre masave, u ndërpre prodhimi në shumë firma, ku për pasojë patën rënien e prodhimit vendor, largimi i mbi 60 mijë punëtorëve në pamundësi që të mbahen edhe më tej në marrëdhënie pune, të cilët nga popullata aktive kaluan në popullatë pasive dhe u bënë ngarkesë e qeverisë si familje sociale. Me këtë rast më së shumti pësoi ndërtimtaria, veçmas gastronomia, e cila kishte efekte multiplikative, sepse mbyllja e restoranteve u shpreh negativisht edhe në konsumin e produkteve kryesore bujqësore, në turizëm, hoteleri etj”, është shprehur ai.
Profesor Limani thotë se në gjendjen e rëndë ekonomike, qeveria pati ndarë 420 milionë euro, ndërsa tani mund të ketë ngarkesë më të shtuar për qeverinë.
“Për evitimin, përkatësisht sanimin e gjendjes së rëndë në ekonomi, përkatësisht nëpër sektor të caktuar, Qeveria ndau 420 milionë euro. Tani me avancimin e Covid 19, do të paraqiten probleme shtesë dhe ngarkesë materiale të shtuar për Qeverinë. Andaj, në vend që mjetet buxhetore dhe burimet e tjera intensive të përdoren për zhvillim ekonomik, ato do të duhej të orientohen në sanimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Në këtë mënyrë, do të ashpërsohet edhe më kriza ekonomike në Kosovë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, masat aktuale që do t'i marrë qeveria, do të kenë karakter afatshkurtër, që do të ndikojnë në sanimin e gjendjes dhe zgjidhjen e disa problemeve më akute, por do të shprehen në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik.
periudhë afatgjate, nëse dëshirohet që të kemi një zhvillim më të hovshëm, duke mos lënë anash masat aktuale për sanimin e gjendjes, mendoj se masë më efikase do të jenë lehtësirat në politikën fiskale, veçmas në sistemin dhe politikën tatimore. Me zvogëlimin e tatimeve në kufij të arsyeshëm ekonomik, do t'i mundësohej bizneseve vendore që të disponojnë më shumë me kapitalin e tyre të cilin do ta përdorin për hapjen e vendeve të reja, që do të shprehet në rritjen e prodhimit vendor, në eksport, në rritjen e numrit e të punësuarve, në zvogëlimin e importit etj. Po ashtu, masë afatgjate do të jetë edhe politika kreditore e butë, me norma më të ulëta të interesit, me afat më të gjatë të kthimit të kredisë, me gris periudhë 3-5 vjet etj. Të gjitha këto duhet të përcillen me një analizë empirike komplekse, por assesi ad hoc dhe në mënyrë parciale”, ka deklaruar profesor Musa Limani për gazetën “Bota sot”.