Kryetari i AAK-së, Ramush Haraidnaj ka kritikuar kryetarin Albin Kurtin sa i përket procesit të dialogut, duke thënë se Kosova duhet të jetë gati që pas 4 shtatorit, kur edhe përfundon moratoriumi i nënshkruar në Uashington dhe t’i kundërpërgjigjet Serbisë.
“Qasja e kryeministrit Kurti ndaj Serbisë është e çuditshme. Në fillim kemi parë një retorikë mjaft të guximshme dhe kundërshtuese, por tash i ka paluar veshët fort dhe nuk po e kuptojmë pse. I ka paluar veshët total kryeministri ynë”.
Analisti politik Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se gjithë këto deklarata të tij janë që të rikthehet në pushtet. Ai ka risjellë kronologjinë e ngjarjeve se Haradinaj e ka për pushtet.
“Ramush Haradinaj e ka hallin se si t'i rikthehet përsëri pushtetit. Nëse ju kujtohet akoma pa dhënë dorëheqje z. Thaçi, për të shkuar në Hagë, Haradinaj e kërkonte postin e Presidentit të Kosovës. Madje Haradinaj është i njohur edhe për peticionin e tij kundër tërheqjes së vijës kufitare me Malin e Zi, atje ku nuk ishte më parë, por kur iu premtua posti i kryeministrit dhe erdhi një leckë letre se më vonë do të korrigjohej ajo vijë kufitare në mes Kosovës dhe Malit Zi, edhe pse kjo nuk do të ndodhë kurrë, Haradinaj i harroi nënshkrimet e mijëra qytetarëve të Kosovës dhe e ngriti gishtin në Parlamentin e Kosovës dhe e ratifikojë Marrëveshjen kufitare me Malin e Zi, aty ku kishte vendosur Komisioni i mëparshëm shtetëror i Kosovës në krye me Mehajn, të cilit më parë ky burrë z. Ramush Haradinaj ia përplaste në fytyrë, e më fund e ngriti vet gishtin në Parlamentin e Kosovës dhe e ratifikojë të njëjtën Marrëveshje, ka thënë analisti. Pra jo vetëm z. Haradinaj, por edhe politikanëve tjerë të Kosovës më parë iu intereson karrigeja dhe se si të pasurohen se sa interesat e Kosovës”, ka thënë analisti.
Sipas tij, kryeministri Kurti është i vetmi ai i cili ia përplasi presidentit se tri gjenocidet që i ka bërë Serbia shqiptarëve.
“Sa i përket kryeministrit Kurti ka bërë mjaft lidhur me negociatat me Vuçiqin e Serbisë. Është i pari kryeministër shqiptar i cili ia ka përplasur në sy Vuçiqit tri gjenocidet që i ka bërë Serbia kundër shqiptarëve. Madje Kurti, është politikani më i pa korruptuar në vend. U them se z.Kurti, nuk ka mundësi të bëjë më shumë kundër Serbisë. Opozita në vend që ta ndihmojë kryeministrin Kurti kundër kërkesave hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, po e kritikon atë”, shprehet ai.
Ai në fund thotë se opozita ka qëllim ta rrëzoj qeverinë Kurti, por nëse kjo ndodh fitorja e Vetëvendosjes do të jetë fituese edhe më e thellë se në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021.
“Qëllimi opozitës është ta rrëzojë Qeverinë Kurti, siç patë vepruar më parë, me qëllim që vet ta marrë qeverisjen e vendit, pa qenë e vetëdijshme kjo, se nëse do të mbaheshin përsëri zgjedhje të parakohshme fitorja e VV-së, do të ishte shumë më e thellë se në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021”, përfundon analisti Adem Bytyçi për “Bota sot”.