Më 22 gusht, muzikanti Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje ishte kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.
Kjo performancë e këngëtarit serbo-boshnjak Goran Bregoviç në Korçë, ku ishin mbledhur qindra qytetarë, u shoqërua edhe me gaz lotsjellës.
Në formë proteste ndaj këngëtarit që shumë shqiptarë e shpallen "non grata", disa persona zgjodhën të hedhin gaz lotsjellës.
Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se veprimet e njëpasnjëshme të Ramës, si dhe takimet rajonale nën dirigjimin e Vuçiqit, të kthejnë në kohën e Enver Hoxhës që dërgoi brigadat në Kosovë për shuarjen e kryengritjes shqiptare, madje vetëm që ishin kundër ri okupimit serb, mblodhi djem dhe burra dhe ua dorëzoi forcave serbe, vetë që t’i masakronin.
“Të shohësh veprimet e vazhdueshme pro serbe të kryeministrit aktual në Shqipëri dhe takimet rajonale, të cilat fillojnë dhe mbarojnë kudo dhe gjithmonë vetëm nën orkestrimet dhe dirigjimet e kriminelit Aleksandër Vuçiq, si dhe reagimin e beftë të shqiptarëve në shtetin amë, vërtetë kujtimet e hidhura të kthejnë në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe vitin 1944, kur Enver Hoxha nën diktatin e Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës dhe Velimir Stojniqit, dërgoi brigadën e 5-të, 7-të dhe 17-të, partizane në Kosovë dhe Iliridë, për shuarjen e kryengritjes së shqiptarëve dhe me lajka e mashtrime në emër të vëllazërisë dhe "besës" komuniste, mblodhi mbi 5 mijë djem dhe burra nga Kosova, të cilët ua dorëzoi forcave serbo-çetnike, vetëm pse ishin kundër ri okupimit serb të Kosovës, për t’i depërtuar përmes Kukësit, Pukës e Shkodrës dhe masakruar në fabrikën e duhanit e përreth saj në Tivar, masakër përmasën mizore të të cilës e vërteton vetëm historia dhe përrenjtë e gjakut e plisat e bardhë që notonin mbi ujin e detit, asokohe buzë Tivarit”, potencoi ai.
Më tej, ai shtoi se këngëtaret si Rita Ora, Dua dhe Bebe Rexhaa, ftohen të përformojnë anë e kënd globit, Rama fton këngëtarin më të afirmuar shqiptar, madje sipas Qarrit, e gjitha kjo për inati të familjarëve shqiptarë të vrarë e të zhdukur nga Serbia.
“Madje, përderisa këngëtarët më të mirënjohura shqiptarë me famë mbarë-botërore dhe fitueset e shumë çmimeve më të rëndësishme ndërkombëtare të muzikës, të vlerësuara në maksimum në gjithë botën, si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha etj, ftohen me aq dëshirë të përformojnë në arealet më të mëdha të muzikës anë e këndë globit, Edvin Kristaq Rama fton jo cilëndo nga ato, apo të paktën njërin nga dhjetë këngëtarët më të afirmuar shqiptar të muzikës në botë, por për inat të familjarëve dhe nënave të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga Serbia dhe kriminelët serb, fton pikërisht frymëzuesin e krimeve serbe, serbo-boshnjakun Goran Bregoviq, ta shëmtojë deri në përbuzje, me gjuhën e terroristëve kuqalosh serbo-komunist Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës e Velimir Stojniqit, festën e Birrës në Korçë”, shtoi Qarri.
Tutje theksoi se heshtja për përfomancën e Bregoviç, shumë shqiptarë e shpallën “non-grata”, madje u mblodhën edhe qindra qytetarë, si dhe nga “Djemt Kuq e zi”, u hodh gaz lotsjellës në shenjë proteste.
Gjithë këtë, Qarri e quan kulm të dëshpërimit për të gjithë shqiptarët, që vë në dilemë se ka shqiptarë vetëm shqipfolës, dhe të kastruar nga komunizmi.
“Kjo dëshmon se metoda e serbo-sllavizimit ideologjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve nën udhëheqjen e Ramës edhe gati rreth 80 vite pas asaj kohe, në shtetin amë, mjerisht edhe sot vazhdon! Përndryshe kalimi në heshtje kaq të thellë i performancës tendencioze të këngëtarit serbo-boshnjak Goran Bregoviç në Korçë, të cilin për shkak të qëndrimeve të tij kriminale ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë jo-serb, shumë shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë, e kanë shpallur që me kohë këngëtar "non grata", dhe bojkotuar festivalin, ku megjithatë u mblodhën qindra qytetarë dhe vetëm nga "Djemtë Kuq e Zi" në shenjë proteste u hodh një gaz lotsjellës, është jo vetëm reagim i kufizuar e shumë minor, por edhe kulm i dëshpërimit për të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe trojet tona etnike të mbetura nën pushtimin sllav, i cili vë në dilemë të madhe të gjithë dashamirët e kombit dhe idealeve atdhetare, se ka me vërtetë, në këtë vend, shqiptar të njëmendtë, apo vetëm shqipfolës të papërcaktuar kombëtarisht, të kastruar nga komunizmi, të cilët dinë të flasin vetëm bukur shqip”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.