Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë ditës së diel në vendin tonë.
Pa shenja jete është dërguar në Spitalin e Ferizajit një 18 vjeçare.
Ajo u dërgua nga dy persona të cilët ikën nga spitali pasi e lëshuan viktimën, shkruan “Bota sot”.
Në lidhje me këtë ngjarje Prokuroria Themelore në Ferizaj, saktësisht Departamenti për Krime të Rënda, dha detaje të tjera.
Prokuroria tha se i dyshuari D.K. , dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Menjëherë pas paraqitjes së rastit është arrestuar njëri nga bashkëpunëtorët që solli vdekjen e viktimës.
Mirëpo në arrati mbeti personi tjetër, i cili fatmirësisht gjatë ditës së sotme u arrestua.
Njëri nga të abuzuarit e viktimës ishte bashkëshorti i viktimës, i cili tashmë gjendet prapa grilave.
Mirëpo, gjatë ditë sotme iu dha lamtumira e fundit 18-vjeçares, Marigona Osmani, që u vra të dielën në Ferizaj.
Të dyshuar për vrasjen e saj janë burri me të cilin bashkëjetonte, Dardan Krivaqa, që u arrestua të martën dhe Arbër Sejdiu, i cili u dërgua në paraburgim.
Gollopeni: Të zbulohen shkaqet pse raste të tilla tragjike po vazhdojnë të ndodhin në Kosovë
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/25/auto_Untitled1629871511.png)
Në lidhje me këtë temë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me sociologun Besim Gollopeni, i cili për gazetën tha se këto raste tragjike nuk po ndodhin spontanisht.
Sipas tij, shoqëria duhet të gjejë gjenezën dhe shkaqet në mënyrë që të shmangen pasojat.
“Kur një rast tragjik ndodh në shoqëri siç ishte rasti me humbjen e jetës së 18 vjeçares nga Ferizaj, duhet të kemi të qartë (si shoqëri) se raste të tilla nuk ndodhin spontanisht, ato kanë gjenezë prandaj, shoqëria duhet të kërkojë gjenezën dhe shkaqet, për të shmangur pasojat”, është shprehur ai.
Kurse, për autorët ai thotë se duhet të dorëzohen tek organet përgjegjëse dhe të marrin dënimin që e meritojnë.
“Ndërsa, autorët e veprave penale duhet t'i dorëzohen organeve përgjegjëse dhe të marrin dënimin e merituar! Në të kundërtën, aktet kriminale dhe kriminelët do të shtohen në shoqëri”, ka thënë Gollopeni për “Bota sot”.
Kelmendi: Gjinia femërore në Kosovë është e pambrojtur
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/25/auto_Untitled11629871517.png)
Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, ka thënë se veprat penale po vijnë si shkas i papunësisë e që në kuadër të tyre këto vepra po ushtrohen ndaj gjinisë femërore.
Ai nuk përjashton rastet e gjinisë mashkullore mirëpo që thekson se gratë në Kosovë janë më të atakuara nga këto vepra.
“Veprat penale vijnë kryesisht nga papunësia, ngritja e dobët arsimore dhe morali i ultë shoqëror, sikundër edhe nga moskujdesi sa duhet i shtetit për të gjitha kategoritë e shoqërisë. Në këtë kuadër, veprat penale më të rënda, bëhen kryesisht ndaj gjinisë femërore, vajzave të reja dhe ndaj të miturave. Ka raste kur nuk përjashtohen as radhët nga gjinia mashkullore. Përdhunimet dhe vrasjet kanë marrë dimensione trishtuese. Dhe, nëse nuk vepron shteti, duke ndikuar në kapjen dhe dënimin kriminelëve, sikundër edhe të krijimit të sigurisë në vend, veprat do të shumëfishohen”, ka thënë ai.
Profesori ka shtuar se shteti duhet të sigurojë shkollim, punësim pa ndikim kriminel pasi nëse punohet bashkërisht, atëherë edhe veprat penale do të bien në tërësi.
Sipas tij, shteti mbetet dhe është subjekti kryesor përgjegjës, mirëpo që as familja, shkolla dhe rrethi nuk përjashtohen nga përgjegjësia.
“Shteti duhet të sigurojë shkollim kualitativ, punësim dhe jetë të qetë dhe pa ndikim kriminal. Mjetet i ka shteti. Kuptohet se këtu ndikim kanë edhe organizatat joqeveritare arsimimi dhe familja. Kur punohet bashkërisht me siguri se do të bien veprat penale në tërësi dhe për rrjedhojë, edhe veprat penale ndaj gjinisë femërore. Shteti mbetet dhe është subjekti kryesor përgjegjës. Por, as familja, shkolla dhe rrethi nuk përjashtohen nga përgjegjësia. Nëpër këto segmente duhet punë dhe ketë kërkohet të bëjë shteti. Mekanizma ka”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.