“Mllefi” i Haradinajt ndaj Kurtit – analistët tregojnë nëse është e drejtë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit

Politika

“Mllefi” i Haradinajt ndaj Kurtit – analistët tregojnë nëse është e drejtë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 gusht 2021 Në ora: 17:05
Ramush Haradinaj, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar me deklaratat e forta dhe kritike ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai kësaj radhe kërkoi që kryeministri Kurti të jap dorëheqje.

Haradinaj kritikoi Kurtin që ka vendosur që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të jetë kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës.

Kryetari i AAK-së ka thënë se nëse ky është kualiteti se si Kurti do të përballet me sfidat që i ka Kosova, në këtë rast me pandeminë, atëherë më mirë është që ai të jep dorëheqje sot.

“I dëgjojmë plotë që kërkojnë dorëheqjen ministrit Vitia. Mendoj që po është legjitime kërkesa, por faji nuk është te Vitia, faji është te shefi i tij, i cili në kohë të rritjes së rrezikut për shëndetin e popullit, e vlerëson të arsyeshme me kandidu ministrin e Shëndetësisë për kryetar komune. Në këtë rast besoj që kërkesa legjitime për dorëheqje i drejtohet Kurtit”, ka shtuar ai.

Ndërsa, analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, analizuan se nga vjen ky ‘mllef’ i Haradinaj për Kurtin.

Ata përmenden edhe qëndrimet e kaluara të Haradinajt për Kurtin.

A është e drejtë kërkesa e Haradinajt për dorëheqjen e kryeministrit Kurti!?

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar kërkesën e Haradinajt për dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

Fillimisht, ai u shpreh se gjendja në veri të Kosovës për momentin është alarmante dhe nuk guxon të heshtë askush nga pozita dhe opozita.

“Mjerisht para gjendjes alarmante të krijuar në veri të vendit, e cila dita e ditës po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, jo vetëm për shqiptarët e paktë të mbetur atje, pas mbi dy dekadash dëbimi të tyre, nga serbët, po për gjithë Kosovën, nuk guxon më të heshtet nga askush, në pozitë as opozitë”, deklaroi analisti.

Po ashtu, Qarri kërkoi nga kryeministri Kurti dhe institucionet e vendit që ta ndalojnë urgjentisht kolonizimin e egër serb të Kosovës dhe shkatërrimin e objekteve arsimore legjitime të shqiptarëve nga Serbia në veri të vendit.

Madje, ai tha se nëse nuk arrihet kjo gjë, atëherë duhet të jap dorëheqje kryeministri Kurti dhe të krijohet një Qeveri Teknike e Unitetit me përfshirjen e të gjitha partive.

“Albin Kurti si i pari i Qeverisë dhe figura kryesore politike e shtetërore aktuale në vend, ose duhet ta ndalojë urgjentisht kolonizimin e egër serb të Kosovës dhe shkatërrimin e objekteve arsimore legjitime të shqiptarëve nga Serbia në Veri, si dhe të shpall të kundërligjshme ngritjen e cilësdo ngrehinë paralele të Serbisë mbi themelet e shkollave shqipe në Kosovë, ose duhet të jap dorëheqje menjëherë dhe të krijohet një Qeveri Teknike e Unitetit me përfshirjen e të gjitha partive. Qeveri e cila do të ishte në gjendje ti jepte fund fushatës së kolonizimit të egër të Serbisë në këtë pjesë të vendit tonë, tjetërsimit etnik të popullsisë, si dhe serbizimit të tokave dhe objekteve në veri, me qëllim të jetësimit praktik të ndarjes së Kosovës, nga ky shtet hegjemonist e okupator”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti befasoi duke e mbështetur deklaratën e Haradinajt, pasi sipas tij Kurti si i pari i Qeverisë mban përgjegjësi për të gjitha zhvillimet në Kosovë, përfshi edhe lejimin e kolonizimit serb dhe ndryshimeve etnike që me shpejtësi po i zbaton Serbia në fshatrat dhe qytetet në veri të Kosovës.

“Ndaj duke parë gjendjen gjithnjë e më alarmante në Veri ku përveç kolonizimit publik të kësaj pjese të Kosovës tonë, tanimë kanë filluar që edhe mbi themelet e shkollave të rrëzuara shqipe të ngritën universitete paralele të Serbisë, para të cilave hesht, pikësëpari vet kryeministri i vendit, pastaj ministria përkatëse dhe i gjithë kabineti qeveritar, kësaj radhe vërtetë Ramush Haradinaj ka shumë të drejtë, ta ngrit zërin edhe pse pothuajse i vetëm, i cili me plot arsye kërkon dorëheqjen e kryeministrit, pasi që Kurti si i pari i Qeverisë mban përgjegjësi për të gjitha zhvillimet në Kosovë, përfshi edhe lejimin e kolonizimit serb dhe ndryshimeve etnike që me shpejtësi po i zbaton Serbia në fshatrat dhe qytetet në veri të Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Tutje, ai përmendi edhe situatën alarmante me Covid-19 dhe jo seriozitetin e qeverisë ndaj pandemisë. Po ashtu, kësaj kritikoi kandidimin e ministrit Vitia për kryetar të komunës së Prishtinës, ku edhe kërkoi dorëheqjen e këtij të fundit.

“Shto kësaj jo seriozitetin total të Qeverisë edhe në qasje me pandeminë, kur mu në vlugun e infektimeve me Covid-19, LVV pa marrë parasysh gjendjen e krijuar nga infektimet masive, kandidon pikërisht ministrin e sektorit më problematik aktual si shëndetësia, për kryetar të kryeqytetit, kjo jo vetëm që nuk do asnjë koment më, por me arsye të plotë kërkohet edhe dorëheqja e Arben Vitisë, gjë që në raport me situatën aktuale është kërkesë plotësisht legjitime, e cila sa më parë edhe duhet të ndodhë dhe në këtë pozitë të vije një profesionist i cili di dhe mund ta sanojë këtë resor edhe në gjendjen problematike të pandemisë, në të cilën gjendet vendi ynë”, potencoi analisti.

Në fund, Qarri alarmoi duke thënë se vendi për momentin është në gjendje të rëndë, ku me të drejtë kërkohen konsekuenca politike dhe ligjore nga përgjegjësit e Qeverisë deri te vet i pari i saj, si për situatën e krijuar në veri ashtu edhe për atë në shëndetësi.

“Ndaj këtu vërtetë nuk mund të bëhet më fjalë vetëm për mllef as manovrime tipike opozitare, por për lëshime të vërteta në terren, të cilat kanë sjellë vendin në këtë gjendje të rëndë, lëshime për të cilat me të drejtë kërkohen konsekuenca politike dhe ligjore nga përgjegjësit e Qeverisë deri te vet i pari i saj, si për situatën e krijuar në veri ashtu edhe për atë në shëndetësi, siç kërkon me plot të drejtë edhe kryetari i AAK-së, deri tek dorëheqja e vet kryetarit të Qeverisë, kryeministrit Kurti, si përgjegjëmbajtësi kryesor për ato sa po ndodhin aktualisht në Kosovë”, përfundoi analisti Qarri.

Krasniqi: Kjo është arsyeja pse Haradinaj ndryshoi qëndrimet ndaj kryeministrit Kurti

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi konsideron se deklaratat e Haradinaj janë si mungesë e programit dhe fiksimit të fjalës ‘zgjedhje’.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmendi ndryshimet e qëndrimeve të liderit të AKK-së ndaj kryeministrit Kurti. Ku sipas tij, ky mllef i Haradinajt vjen nga moment kur kryeministri aktual e la jashtë lojës së qeverisë.

“Po kjo është gjuha e opozitës, të cilëve kur ju mungon programi, atyre ju fiksohet fjala zgjedhje, zgjedhje, duke ditur së as 1 % s'mund të kenë rritje. Lideri i AAK-së që nga momenti kur kryeministri Kurti e la jashtë lojës së qeverisë, ai ka filluar të kërkojë zgjedhje, të akuzojë Kurtin me fjalë të ndryshme, deri në atë nivel sa e ka quajtur edhe tradhtar”, deklaroi Krasniqi.

Tutje, analisti potencoi se edhe një nga arsyet që Haradinaj i është ‘vërsulur’ Kurtit vjen si pasojë që Kurti nuk bëri tregti politike më të. Kurse, tani mungesë të programeve zgjedhore, po mundohet ta fsheh me sharje dhe ofendime ndaj kryeministrit.

“Z. Haradinaj gjatë zgjedhjeve jepte lëvdata për z.Kurti, duke e konsideruar si njëri adekuat për të udhëhequr shtetin, por nga momenti kur nuk diskutoj për tregti politike ndryshuan mendimet e z.Haradinaj. Ai e etiketoi z.Kurti si tradhtar, njëri të shitur e fjalë të tjera, por këto deklarata i kanë për fushata zgjedhore, sepse programet e tyre janë false dhe fshihen pas sharjeve e ofendimeve”, përmbylli Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat