Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës, është votuar plotësim ndryshimi i projektligjit për ndihmë juridike falas i cili do t’iu mundësojë ndihmë juridike falas viktimave të ndryshme të dhunës.
Në këtë projektligj përshihen dhjetë kategori të cilat do të jenë përfituese të ndihmës juridike falas.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas që do të përfshijë edhe 10 kategori si përfitues të ndihmës juridike falas. Do të përfshihen në këto kategori: viktimat e dhunës në familje; viktimat dëshmitare të dhunës që janë në varësi të viktimave të dhunë në familje; viktimave të dhunës në baza gjinore; viktimave të cilado lloj e dhunë seksuale, përfshirë edhe ngacmimet seksuale; viktimave të mitur; fëmijëve në kujdestari që kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor; personave të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent sipas ligjit në fuqi për mbrojtje nga diskriminimi; dhe personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Por, ky plotësim-ndryshimi i projektligjit për ndihmë juridike falas do të dërgohet për lexim e miratim në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, kanë folur për “Bota sot” lidhur me këtë çështjet e cila pritet të kalojë në Kuvend.
Krasniqi – Blair: Unë do të jem aty për të votuar
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi – Blair, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, shprehet e indinjuar për rastet që kanë të bëjnë me çfarëdo forme në të cilat manifestohet dhuna.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/27/auto_sdjakjjkd1630051431.jpg)
“Fillimisht, më lejoni të shpreh indinjatën time të thellë për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me çfarëdo forme që manifestohet dhunë, e të cilat janë të shumta dhe me fatalitet, e që nëse ndalemi dhe i analizojmë këto raste, sidomos rastet kur kemi të bëjmë me vrasje apo me dhunë të ushtruar e që si rezultat i përdorimit të forcës ato, raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, del se, secili rast ka qenë i raportuar tek organet-policia-gjykatat, dhe kjo na bën me kuptu se të gjitha këto viktima po qe se do të kishin mbështetje juridike për të shtyrë rastin e tyre drejt një përfundimi të procedurës gjyqësore-administrative, ne sot do të kishim më pak dhunë në familje dhe rrjedhimisht më pak vrasje, sepse në rastet kur kemi një gjyqësor më efektiv dhe efikas, sigurisht se do të kishte ndikim qoftë në vetëdijesimin e qytetarëve apo edhe sanksionimin me kufizim të lirisë për personat recidivist-rrezikshëm”, ka deklaruar Krasniqi – Blair.
Gjithashtu, deputetja e VV-se është shprehur e gatshme t`iu ndihmojnë viktimave të dhunës në familje.
“Pra padyshim se do t'ju ndihmoj të gjitha viktimave të dhunës në familje, dhe do të ketë impakt pozitiv në parandalimin e dhunës në familje. Sigurisht se ne jemi pro ndryshimeve të tilla, vetëm se duhet parë që ligjërisht zbrazëtirat juridike të mënjanohen, apo mungesat ligjore të evitohen, sepse ju lutem fenomenet e tilla janë shqetësuese dhe janë mesazhi më i keq që sot po jep Kosova”, ka thënë ajo për “Bota sot”.
Ajo ka theksuar se do të marrë pjesë në seancën në të cilën do të votohet ndryshimi i projektligjit.
“Unë do të jem aty për të votuar, për të kërkuar implementimin e tij në tërësi dhe njëherë e përgjithmonë t’i japim fund një dominimi të tillë patriarkal që po sjell kaq shumë viktima dhe dhunë, por në duhet parë se cila do të jetë mënyra më e mirë që roli i gruas në familje të jetë i barabartë me burrin në aspektin e formalizmit të drejtave që asaj sot i takojnë”, ka thënë ajo.
Po ashtu, deputetja e VV-së beson se edhe partitë tjera do të përkrahin ndryshimin e projektligjeve të tilla.
“Duke u nisur nga përvoja e kaluar, por sidomos nevoja e avancimit të pozitës dhe të drejtave të gruas besoi se të gjitha partitë do të përkrahin ndryshimet e tilla”, ka deklaruar Vasfije Krasniqi – Blair.
Albana Bytyqi: Do të këtë mbështetjen time
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka konfirmuar që ky projektligj për Ndihmë Juridike falas do ta ketë mbështetjen e saj.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/27/auto_sjajkjkf1630051537.jpg)
“Ndryshimi i Projektligjit për Ndihmë Juridike falas, do të këtë mbështetjen time dhe jo vetëm ky projektligj por edhe çdo vendim apo projektligj tjetër që do jetë në dobi dhe në të mirën e qytetarëve të Kosovës do ta kenë votën tim”, ka thënë deputetja e AAK-së.
Më tej, ajo ka vlerësuar se dhuna nuk duhet të arsyetohet dhe se ky projektligj duhet të kalojë në Kuvend.
“Dhuna nuk duhet të arsyetohet ajo duhet ndiqet dhe dënohet gjithmonë. Dhe këto ndryshime të këtij projektligji janë të mirëpritura nga ana ime dhe se duhet të kalojë me patjetër në Kuvend”, ka deklaruar Bytyqi për “Bota sot”.