Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë pritet të mbërrijë nesër rreth orës 19 në aeroportin e Prishtinës.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë informatë shtesë për vendstrehimin e tyre por kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2 mijë qytetarë afganë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, i cili u shpreh se ardhja e tyre mund të paraqet rrezik mirëpo koordinimi me SHBA-të e bënë që situata në vend të jetë më e organizuar.
Sipas tij personat që do të arrijnë nesër në Kosovë janë ata që i kanë shërbyer komunitetit ndërkombëtar në Afganistan apo që kanë qëndruar në anën e tyre.
“Nuk mund të ketë mohim absolut mbi rreziqet, por, meqë institucionet shtetërore në koordinim me ShBA-të, kanë marrë përsipër sistemimin e Afganëve në vendin tonë, besohet edhe në kujdes të shtuar karshi tyre. Poashtu, mendohet se grupi i personave që do vijnë në Republikën e Kosovës, përfshi këtu edhe në vendet e rajonit, të cilët kanë shprehur gatishmëri për strehimin e tyre, janë ata persona që i kanë shërbyer komunitetit ndërkombëtar në Afganistan apo që kanë qëndruar në anën e tyre”, u shpreh ai.
Ndërsa për hapat që Kosova duhet të ndërmarr për sigurinë e tyre ai thotë se Kosova duhet të iu sigurojë mbrojtje të përkohshme personat që rrezikohen nga talibanët dhe të iu japër statusi i mbrojtës së përkohëshme.
“Sipas një vendimi të nxjerr nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës, saktësohet që qytetarëve Afganë, u ofrohet mbrojtje e përkohëshme dhe e menjëhershme si persona që konsiderohen të rrezikuar nga pushteti i sapo marrë nga ana e talebanëve. Njëherit ofrimi i mbrojtjes dhe kujdesit ndaj tyre nga partneri ynë i përhershëm strategjik ShBA-të, është kërkuar për shkak të konfliktit të brendshëm, të karakterizuar me dhunë e shkelje të të drejtave të njeriut, andaj dhe, është kërkuar mbrojtje nga Republika e Kosovës që t’u jepet statusi i mbrojtjes së përkohëshme”, thotë Pula.
Nga ana tjetër një shqetësim për vendin mund të jetë edhe hyrja në Kosovë pa masa të sigurisë siç është identifikimi i identitetit të tyre, e për këtë analisti thotë se personat që do strehohen në vend janë bashkëpunëtor të SHBA-e.
Mirëpo ai thekson që Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore të sigurisë dhe intelegjencës duhet të përfundojnë detyrat dhe përgjegjësit për personat e huaj që hyjnë në vendin tonë.
“Grupet e personave që do sistemohen në Republikën tonë, konsiderohen të jenë persona bashkëpunëtor të shteteve aleate të ShBA-ve, pjesëtarë të shoqërisë civile apo organizatave joqeveritare në Afganistan, por, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore të sigurisë dhe inteligjencës, duhet t’i përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ndaj personave të huaj që hyjnë në territorin tonë”, përfundon Pula për “Bota sot”.