Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin po e lehtëson Bashkimi Evropian.
Delegacionin e Kosovës do ta kryesojë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Lidhur me këtë takim, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se edhe gjatë këtij takimi, nuk do të ketë asnjë normalizim të marrëdhënieve, vetëm se do të do të elektrezohet.
Ai shton se shtyerja e dialogu iu konvenon edhe përfaqësuesve të BE-së, Borrel edhe Lajçak, për shkak të parave të marra nga BE-ja, pastaj edhe shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Asfarë shenje normalizimi të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk do ketë edhe gjatë takimit të 7 dhe 8 shtatorit në Bruksel, jo që nuk do pajtohen përfaqësuesit e dy shteteve, Kurti e Vuçiq, por më shumë do elektrizohet e përskeqet takimi i radhës në Bruksel. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur presidenti i Serbisë Vuçiq radhazai deklaron se "kurrë nuk do ta njoh Kosovën", jo vetëm kaq, por edhe prej përfaqësuesve të BE-së, Borrel dhe Lajçak, nuk mund te presim asgjë më shumë përveç sterzgjatjes së dialogut për të arsyetuar fondet milionëshe të lëshuara nga BE-ja. Zotërinjve të BE-së, Borrel e Lajçak, ju konvenon stërzgjatja e dialogut për shkak të parave të majme të marra nga BE-ja, pastaj vijnë nga shtetet që se kanë njohur Kosovën, Spanja dhe Sllovakia, sa më shumë zgjatje te dialogut aq më mirë edhe për Serbinë”, tha ai.
Më tej ka shtuar se kur Kosova të pranohet nga pesë shtetet e BE-së, atëherë do të ketë normalizim të marrëdhënieve, sepse vetëm kështu do të dobësohet politiksht Serbia.
Mehazi tutje potencoi se normalizim në mes dy shteteve nuk do të ketë, as pa ndërhyrjen e SHBA-ve.
“Nuk do të ketë stabilizim të marrëdhenieve Kosovë-Serbi deri në momentin kur Kosova do pranohej nga pesë shtetet e BE-së, Spanja e Borrelit, Sllovakia e Lajçakut, Greqia, Qiproja dhe Rumania, me njohjen e Kosovës nga këto shtete të BE-së, Serbia e Vuçiqit jo që do mbetej e vetmuar përballë dialogut me Kosovën, por do dobësohej politikisht e ndërkombëtarisht për të mos njohur Kosovën. Takimi i ardhshëm i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me 7 e 8 qershor do të jetë i kot, kotravers e mediatik, parashenjat politike na detyrojnë të themi se pa njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-se nuk ka stabiletet e normalizim të dy shteteve Kosovë-Serbi, ose pa ndërhyrjen e SHBA-ve nuk ka njohje reciproke të Serbisë dhe Kosovës. Pa ndërhyrjen e shkopit politik e diplomatik të SHBA-ve nuk do ketë stabilizim të marrëdhenieve Kosovë-Serbi”, përfundoi Mehazi.