Gjendja me Covid në Kosovë, kërkohet të merren masa të rrepta izoluese

Politika

Gjendja me Covid në Kosovë, kërkohet të merren masa të rrepta izoluese

Nga: A.Z Më: 30 gusht 2021 Në ora: 15:53
Foto Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në rrethanat siç ishte fillimi i muajit gusht, nuk mund të merreshin masa rigoroze.

Kurti shtoi se Kosova ka buxhet të vogël dhe nuk është mundësia e vendeve perëndimore që të mbyllen qytetarët e t'i financojë shteti.

“Është e pamundur që për një kohë të gjatë të mbyllet vendi. Këto zgjidhje nuk janë ideale. Me atë çfarë kemi ditur kemi bërë më të mirën”, tha ai.

Lidhur me këtë, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, këtë deklaratë të Kurtit, e quan të paarsyeshme, sepse sipas tij, nuk ka të bëjë pandemia me buxhetin e dobët, por me shëndetin e qytetarëve.

Madje, ai thekson se Kosova me buxhet të vogël, është dashur të merrte masa të rrepta izoluese.

Image
Sulejman Mehazi

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se për shkak të buxhetit të vogël të Kosovës gjatë muajit gusht ka qenë e pamundur të merren masa rigoroze kundër pandemisë, është deklaratë e pa arsyeshme, e pavend dhe jo argumentuese, pasi pandemia nuk ka të bëjë me buxhetin e dobët, por me shëndetin e qytetarëve të Kosovës, e shëndeti i qytetarëve është shumë më i vlefshëm sesa buxheti e pasuria e shtetit. Nëse vendet perëndimore kanë sakrifikuar buxhetet e tyre të fuqishme shtetërore me humbje marramendëse për të luftuar pandeminë, pse Kosova me buxhet të vogël e me humbje të vogla të mos merrte masa të rrepta e rigoroze izoluese ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka potencuar ai.

Më tej, ai ka shtuar se në bazë të kësaj deklarate, paska qenë më i vlefshëm buxheti i Kosovës, se sa numri i vdekshmërisë së qytetarëve.

Mehazi gjithashtu ka përmendur dy variantet e pandemisë, e që sipas tij, janë ose karantinimi për t’i shpëtuar qytetarët ose numri i madh i vdekjeve.

“Dihet se kjo gjëmë botërore luftohet e dobësohet me karantinim total të qytetarëve e ushqehet me lëvizje të lirë të qytetarëve, nëse qeveria e Albin Kurtit, gjatë muajit gusht, nuk ka mundur të merr masa kundër pandemisë për shkak të buxhetit të dobët atëherë është pajtuar me numrin e madh të vdekshmërisë së qytetarëve, për Albin Kurtin buxheti i Kosovës paska qenë më i vlefshëm se sa vdekja e qytetarëve të Kosovës. Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e ka kuptimin, se, buxheti i Kosovës në muajin gusht ka qenë më i vlefshëm sesa numri i madh i vdekshmërisë së qytetarëve, dy variantet e pandemisë janë: ose karantinimi për të mbrojtur e shpëtuar qytetarët, ose numri i madh i vdekjeve. Pra, gjatë muajit gusht qeveria e Kurtit ka pranuar vdekjen e qytetarëve e jo mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat