Në tryezën “Gruaja në tryezën negociuese në Kosovë”, u kërkua që të ketë më shumë gra në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Shefi i Seksionit Ligjor, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, Jarmo Helppikangas tha se barazia gjinore është proces, ku duhet çdo ditë të punohet. Ai theksoi rëndësinë e inkuadrimit të grave në dialogun Kosovë - Serbi.
"Ne duhet ta marrim parasysh këtë, kërkohet punë e madhe për një baraspeshë të vërtetë për pozitën në shoqëri. Kosova ka bërë shumë punë të mirë me legjislacionin, kemi Ligjin për Barazinë Gjinore, nëse e lexoni Kushtetutën e shihni, por ajo çka potencojmë çdo herë është implementimi. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi derisa të ketë implementim të plotë e të mos mbesin në letër, sepse implementimi është ajo që duam të shohim se po ndodh çdo ditë konkretisht në jetën publike, që personat që meritojnë të jenë në pozitat përkatëse. Besojmë se qeveria do të kryejë punën e vet të shtëpisë. Në fund, ne dialogun Kosovë-Serbi nuk kemi parë shumë gra. Kjo është diçka që ne mendojmë se mungon. Duhet të ketë më shumë gra. Ne kontribuojmë këtu", tha ai.
Lidhur me këtë, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se për dialog duhet të jetë një ekip i përgatitur, si dhe të përfshihen edhe gratë sepse sipas Memetit, ato janë më të afta se burrat.
Ai tutje shtoi se gratë duhet të jenë prijëse e bisedimeve me Serbinë, sepse vendi do të ecë tutje vetëm atëherë, kur ato e udhëheqin shtetin.
“Kur kemi të bëjmë me dialogun me Serbinë, duhet pasur parasysh formimin e një ekipi të përgatitur, duke përfshirë këtu edhe gratë. Jo të bëhen gratë pjesë e dialogut vetëm si dekor, por në bazë të aftësive të tyre. Është e padrejtë që ato përfaqësohen nga kuota gjinore, pasi duhet të përfshihen në çdo proces se janë më të zonja dhe më të afta se burrat. Vetëm kur gratë të udhëheqin shtetin, vendi do të ecë tutje, kështu edhe në dialog ato duhet të përshihen, sepse e meritojnë. Personalisht besoj se gratë duhet të jenë prijëse të bisedimeve me Serbinë, garanci e fortë për të pasur sukses”, ka përfunduar Mehmeti.