Fotoja e Sherife Lutës është simbol i luftës së fundit në Kosovë.
Sherife Luta në këtë fotografi shihet duke i dhënë gji foshnjës së saj gjatë largimit nga Kosova nga përndjekjet nga armiku shekullor i shqiptarëve, serbët.
Por, kjo fotografi është keqpërdorur nga ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut. Në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, zyrtarë rusë të kësaj ambasade kanë propaganduar kinse në foto është një viktimë serbe.
Ndërkaq, ekspertët e kanë komentuar këtë propagandë ruse dhe kanë treguar se cili është qëllimi i Rusisë të cilin duan ta arrijnë në Ballkan.
Tërnava tregon qëllimin e Rusisë
Eksperti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë bën Rusia për Serbinë, pasi që kjo e fundi është i vendi i vetëm mik i saj.
“Rusia si shtet mik i Serbisë mundohet të bëjë çmos për luftës speciale në favorin e Serbisë, sepse në Ballkan ky është shteti i vetëm dhe më i besueshëm i Rusisë, prandaj krejt çka bën politika ruse e sidomos shërbimet sekrete të tyre sikur që është KGB, dëshiron t’i qëndrojë afër Serbisë, që ky shtet ta dijë dhe ta kuptojë se për të mirën e këtij shteti serb po bën çmos Rusia dhe duke i dhënë fakte se ato shtetet tjera ballkanike janë vëllezër dhe kundrejt Serbisë. Prandaj po qe nevoja, ata i premtojnë se edhe në lufta do të hyjnë për Serbinë, edhe që e vërteta e bombardimeve të vitit 1999 ishte ndryshe”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Tërnava ka komentuar edhe fotografinë e përdorur nga ambasada ruse në Afrikën e Jugut, ku e ka quajtur një lojë të Rusisë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/02/auto_850x636_auto_auto_unnamed1593704647162584713816259209971630562739.jpg)
“Prandaj një falsifikim i një fotografi të një refugjates shqiptare duke pretenduar se ajo ishte serbe, kjo është vetëm një lojë e thjeshtë dhe mund të llogaritet si luftë speciale për t’i arritur qëllimet e saj ruse ndaj politikave të tyre ndaj Kosovës apo Serbisë. Prandaj, Ambasada ruse në Afrikën e Jugut e bëri këtë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, dhe është e gatshme që të bëjë çmos edhe manipulime të tjera për t’i arritur ato qëllimet të kohës që i nevojiten. Prandaj propagandat ruse janë të tilla që i përngjajnë luftërave speciale e sidomos dhe varësisht si i vlerësojnë se me çfarë manipulimesh mund t`i arrijnë ato efekte për qëllimet e tyre”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Tërnava ka shpjeguar se me anë të propagandave Rusia mundohet që ta mbajë afër Serbinë, në mënyrë që mos ta humbas parterin e besueshëm që e ka në Ballkan.
“Prandaj, propagandat ruse gjithnjë tentojnë të jenë konkurrente me ato të Amerikës, por në esencë dallojnë shumë nga mënyra e propagandës, sepse Rusia edhe ashtu ka mbetur si e vetme edhe me shtetet e saj në Rusi i kanë situatat konfliktuoze, e sidomos me Ukrainën që ia ka uzurpuar siujdhesën e Krimesë, por edhe me tjerat shtete përreth. Nëse i krahasojmë politikat amerikane me ato të Rusisë, atëherë vërejmë se ka dallime të mëdha mes tyre, vetëm Pakti i NATO-s, me anëtaret e saj që janë shtetet më të zhvilluara të botës, atëherë do ta kemi të qartë aftësinë e Rusisë, prandaj të gjitha propagandat ruse që i ndërmerr ajo, janë nën nivelin e kohërave të cilat i ndërmerr ajo, krahasuar me ato amerikane. Te gjitha ato propaganda ruse që po i ndërmerr, ajo do që t’i forcojë shpresat te Serbia që edhe më tutje ta mbajë afër dhe mos ta humb si partnere të besueshme për në Ballkan, prandaj për njohësit e luftërave speciale, këto falsifikime të imazheve janë një humbje kohë dhe loje koti”, ka thënë Tërnava.
Politika Ruse dhe serbe kanë për themel falsifikimin
Ndërkaq, profesori Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se Rusia tanimë është dëshmuar si shteti më antishqiptar.
Gjithashtu, Maraj ka përmendur edhe raste të tjera të shqiptarëve me të cilët serbët kanë bërë propagandë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/02/auto_auto_p15580737871630562739.jpg)
“Ambasada Ruse falsifikoi fotografinë e gruas shqiptare refugjate nga Kosova duke e paraqitur si refugjate serbe. Rusia tani më është dëshmuar si shteti më antishqiptar. Antishqiptarizmi rus nuk ka kufi. Ky lajm më përkujtoi një të dhënë që e kisha lexuar në vitet e tetëdhjeta. Shënimi fliste për një masakër serbe që ishte bërë në dhjetor të vitit 1912 në fshatin Artanë (Novobërdë). Serbët e armatosur kishin hyrë në një familje shqiptare dhe kishin masakruar të gjithë anëtarët e familjes pa kursyer as fëmijët. Në këtë shtëpi kishte qenë edhe një grua shtatzëne. Serbët e kishin masakruar edhe gruan dhe ia kishin nxjerr foshnjën nga barku. Popi i Graçanicës së bashku më një gazetarë rus këtë foshnje të copëtuar e fusin në një thes më borë dhe e dërgojnë në Shkup. Në Shkup gazetari rus thërret një konferencë për shtyp dhe prezantojnë foshnjën shqiptare të copëtuar nga serbët si foshnje serbe të copëtuar nga shqiptarët”, ka shpjeguar ai.
Gjithashtu, Maraj ka treguar se qëllimi rusëve dhe serbëve është i njëjtë.
“Tani ky prezantim i falsifikuar i ambasadorit rus në Afrikën e Jugut ka të njëjtin qellim. Të mbrojë kriminelët serbë të cilët i ka (instrument) veprimi në Gadishullin Ilirik dhe përmes të cilëve pretendon të shtrijë ndikimin e vet në Evropë dhe më gjerë. Të komprometojë ndërhyrjen humanitare të SHBA-vë dhe NATO-s në Kosovë për të ndalë masakrat dhe gjenocidin serb mbi popullin e pa armatosur shqiptar”, ka thënë ai.
Më tej, Maraj ka theksuar se në Afrikën e Jugut ka më pak informacione, posaçërisht për krimet e kryera nga Rusia dhe Serbia.
“Ka zgjedhur Afrikën e Jugut ku ka më pak informata për Gadishullin Ilirik dhe krimet serbe e ruse në këtë Gadishull, veçanërisht mbi popullin shqiptar. Kjo gënjeshtër nuk do t’i shitej në shtetet e Evropës. Një vaj të tillë nga krokodili e kanë lëshuar tani. Kohën e kanë zgjedhur kur SHBA largohet nga Afganistani për të inkurajuar serbët”, ka vlerësuar analisti.
Në fund, Maraj ka treguar se çfarë po shfrytëzon ambasada ruse duke bërë propaganda të tilla.
“Ambasada ruse po shfrytëzon rastin e vakumit diplomatik që Kosova e ka në vendosjen e ambasadorëve që i ka liruar nga detyra. Të tilla propaganda fillojnë gjithmonë para projekteve agresore ruse apo serbe. Kjo na kujton vitet e tetëdhjeta; udhëtimet e serbeve të instrumentalizuar nga Kosova nëpër Jugosllavi, gjoja se po detyrohen të shpërngulen nga Kosova për shkak të ”presionit që po ushtrojnë shqiptarët”. Ministria e Jashtme e Kosovës do të duhej të reagonte për ta demantuar këtë falsifikim të fakteve historike dhe për të plotësuar këtë vakum diplomatik sa më shpejt”, ka përfunduar Milazim Maraj për “Bota sot”.