Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, doli me ftesë publike drejtuar Albin Kurtit në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe atij të AAK-së Ramush Haradinaj që të bëhen bashkë dhe të ndërtojnë një pakt zgjedhor që fushata zgjedhore të zgjasë vetëm 10 ditë dhe jo 30, si e parasheh ligji.
Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, thotë se fushata për zgjedhjet lokale nuk duhet të reduktohet, ose shkurtohet.
Ai shpjegoi se ligji për zgjedhjet në Kosovë gjithashtu e përcakton që periudha e zgjedhjeve duhet të paraprihet nga një fushatë zgjedhore 30 ditore.
Sipas tij, do të ishte më e udhës që të arrihet një lloj dakordimi që të mos organizohen tubime publike.
“Fushata zgjedhore nuk nënkupton medoemos zhvillimin e aktiviteteve publike që kërkojnë pjesëmarrje fizike të qytetarëve, në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme aktivitet i fushatës është cilido aktivitet përmes së cilit subjektet politike kërkojnë votën e qytetarëve.”
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rastet nga covid, të dërgojnë te kufizimet e shumta, përfshirë edhe fushatat.
Ai shtoi se nëse vazhdon infektimi dhe me raste të rënda, duhet reduktuar takimet me qytetarët, madje duhet vepruar edhe me mjete adekuate dhe me rritjen e vaksinimit.
“Rastet e gjendjes së rëndë me delta variante të covidit janë situata që dërgojnë domosdo te kufizimet e shumta në fushatë dhe lidhur me të. Është e domosdoshme që të shikohen zhvillimet e mëtejshme të covidit dhe në bazë të atij zhvillimi të vendoset. Thjeshtë, nëse vazhdon kështu me infektim dhe me raste të rënda e me vdekje, është e domosdoshme të reduktohet afati dhe të kufizohen takimet me qytetarë. Sëmundja pandemike nuk pyet për fushatë dhe as për atë se kush fiton. Corona nuk ka pushim dhe nuk ikë nga fushata e zgjedhjeve dhe as nga votimi për pushtet kundër saj duhet vepruar me mjete adekuate dhe me rritjen e vaksinimit të qytetarëve. Vetëm kur e kemi një vaksinim mbi 85 % të popullatës në përgjithësi mund të thuhet se është mundur covidi. E kjo është larg”, ka deklaruar Kelmendi.