“Luftë politike” ndaj Qeverisë, analistët tregojnë prapavijën e bojkotimit kryetarëve të komunave ndaj kryeministrit Kurti

Politika

“Luftë politike” ndaj Qeverisë, analistët tregojnë prapavijën e bojkotimit kryetarëve të komunave ndaj kryeministrit Kurti

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 shtator 2021 Në ora: 19:11
Takimi i Kurtit me kryetarët e komunave

Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ftuar kryetarët e komunave në një tryezë bisedimi në lidhje me situatën pandemike në vend.

Mirëpo, të njëjtës ftesë nuk iu përgjigjen pozitivisht të gjithë kryetarët e komunave, duke refuzuar kështu takimin me Kurtin.

Këtij refuzimi i parapriu një thirrje para mbajtjes së takimit nga Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i cili u kërkoi kryetarëve të komunave ta bojkotojnë takimin, me arsyetimin se janë injoruar nga kryeministri kur ka themeluar Komitetin koordinues antiCOVID.

Ndërsa, pozitivisht këtij takimi iu përgjigjen 12 kryetarë të komunave, shkruan “Bota sot”.

Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, biseduan në lidhje me situatën pandemike duke shikuar edhe masat që secila komunë do të duhet të ndërmerren.

Kryeministri tha se masat kundër virusit COVID-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme, por për të qenë të mjaftueshme në arritjen e qëllimit tonë, ato duhet të zbatohen në përpikëri.

“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave”, tha ndër të tjera në takim Kurti.

Mirëpo, pas këtij takimi të menjëhershme qenë reagimet nga opinioni publik pasi refuzimi i disa kryetarëve të komunave nuk u prit mirë, sipas tyre shëndeti i qytetarit duhet të jetë parësore dhe assesi të mbahet inatet politike në këto raste.

Analistët për “Bota sot”, u shprehen të revoltuar për këtë bojkotim të kryetarëve, duke e parë që opozita edhe njëherë dëshmoi që nuk e mendoi shëndetin e qytetarëve por shikoi inatet politike.

Zeqa: Kryetarët e komunave duhet të bëhen një për shëndetin e qytetarëve

Image
Florim Zeqa

Lidhur me këtë, analisti politik Florim Zeqa, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se ky bojkotim i kryetarëve të komunave daton shumë më herët, pasi asnjëherë politikanët tanë nuk i lënë anash inatet e tyre për të mirën e qytetarëve.

Ai e sheh hakmarrje ndaj Kurtit bojkotimin e kryetarëve të komunës.

“Që nga e kaluara e largët e popullit shqiptar ka qenë traditë e bukur bashkimi në raste të fatkeqësive natyrore, për t’u solidarizuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Mirëpo, për fatin e keq të popullit tonë, klasa politike dhe liderët e partive politike, në vend që të jenë promotorë të bashkimit dhe unifikimit të faktorit politik në vend, po e bëjnë të kundërtën në përballje kundër kësaj pandemie misterioze. Politizimi i pandemisë nuk është që ka filluar me këtë qeveri, kjo ka ndodhur në vazhdimësi me bojkot të ndërsjellë të spektrit opozitar. Bojkotimin e disa kryetarëve të komunave në takimin me kryeministrin Kurti, përveçse vazhdimësi të ulët dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, e shoh edhe si hakmarrje ndaj Albin Kurtit si kryeministër i vendit”, u shpreh ai.

Sipas tij, situata pandemike është duke eskaluar dhe për qytetarët duhet që sa më shumë te këtë bashkëpunim partiak, pasi sipas tij virusi nuk njeh pushtet.

“Përhapja enorme e pandemisë dhe rritja e numrit të viktimave nga Covid-19, e shtron nevojën imediate të unifikimit të forcave politike pa dallim pushtet dhe opozitë, për të diskutuar për gjendjen alarmante në vend, për të gjetur modalitetet më të mira për tejkalimin e situatës, duke e vënë interesin dhe shëndetin e qytetarëve para çdo lloj interesi partiak. Edhe pse jemi në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale, duhet të ulen flamujt partiak dhe të lihen anash inatet personale apo partiake në përballje me pandeminë. Të mbrohet shëndeti i qytetarëve me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion si shtet dhe si shoqëri njerëzore. Fare pak ka rëndësi, se kush është dhe kush do të jetë nesër në pushtet, e rëndësishme është shëndeti dhe jeta e qytetarëve, e votuesve potencial për të gjitha subjektet aktuale. Për arsye, se virusi nuk njeh pushtet dhe as opozitë, të pasur apo të varfër, moshë dhe as gjini”, ka vlerësuar Zeqa.

Më tej, ai ka shtuar se liderët e partive politike dhe kryetarët e komunës duhet të sillen si njerëz në radhë të parë e pastaj edhe politikanë të përgjegjshëm në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarit.

“Politizimi i virusit për poena politike si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, përveçse sjellje jo njerëzore, është edhe krim ndaj qytetarëve. Liderët e partive politike dhe kryetarët partiakë të komunave të Kosovës, përballë situatës së krijuar në vend, paraprakisht duhet të sillen si njerëz, pastaj si politikanë të përgjegjshëm dhe në funksion të interesit të qytetarëve”, ka deklaruar Florim Zeqa për gazetën “Bota sot”.

Peçani: Opozita ka humbur mprehtësinë dhe sensin e të bërit opozitarizëm

Image
Ruzhdi Peçani

Ndërsa, analisti tjetër politik, Ruzhdi Peçani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se bojkotimi i kryetarëve të komunave oshtë mos përgjegjësi nga ana e opozitës dhe se me refuzimin e kësaj ftese opozita dëshmoi edhe njëherë që nuk e mendon shëndetin e popullit.

“Mos përgjigja apo bojkotimi i disa kryetarëve të komunave nuk ishte se ndodhi ad hoc. Kjo është në vazhdën e strategjisë së mbrapshtë dhe destruktive që ka zgjedhur opozita. Para mbajtjes së takimit, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës u kishte bërë thirrje kryetarëve të komunave ta bojkotojnë takimin, me arsyetimin se janë “injoruar nga kryeministri kur ka themeluar Komitetin koordinues anti COVID.” Dhe shtrohet pyetja: Si mundet një institucion kushtetues, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, t´i kundërvihet Kryeministrit - Qeverisë së shtetit?! Kështu kemi institucionin e shtetit kundër shtetit. Këtu qëndron hipokrizia e opozitës. Kjo e gjitha qëndron si një luftë politike kundër qeverisë”, është shprehur ai.

Analisti nuk e sheh bashkëpunuese opozitën me pushtetin edhe pse qeveria po mundohet në maksimum të ofrojë bashkëpunimin e saj por që opozita ka humbur opozitarizmin.

“Për çfarë bashkëpunimi apo kooperativiteti mund të thuhet, mes opozitës dhe pushtetit. Dhe themi se nuk kemi demokraci stabile. Qeveria e Kosovës vepron të maksimalizojë të mirat e saja, po dhe duke ofruar bashkëpunimin, në të kundërt opozita nuk përgjigjet me një kundërshti paksa të butë, po e bën në mënyrën më të vrazhdët me sulmet më destruktive nga foltorja në parlament. Opozita ka humbur mprehtësinë dhe sensin e të bërit opozitarizëm”, ka theksuar analisti.

Nga ana tjetër, ai ka shtuar se opozita nuk po arrin ende të pranojë që Kurti tashmë është kryeministër i vendit dhe urrejtja e saj ndaj Kurtit po arrin të mbyllë çdo derë për qytetarët.

“Kryetarët e komunave nuk iu përgjigjen, sipas tyre, kryetarit të LVV-së. Këta kryetarë që bojkotuan takimin nuk e shohin Albin Kurtin si Kryeministër vendi! Kjo flet për mungesën e kulturës politike, papërgjegjësisë institucionale dhe kushtetuese pse jo edhe mungesës së patriotizmit institucional dhe kushtetues. Dhe e gjitha kjo gjenezën e ka tek padurimi, që u ka kaluar në urrejtje patologjike me sindromin e inateve, xhelozisë, egocentrizmit dhe frikës se në kohë të gjatë nuk mund të kthehen në pushtet”, thotë ai.

Në fund, analisti ka thënë se në këtë gjendje që jemi ne, duhet të jemi bashkë dhe jo të shkojmë aq larg sa të bojktojmë mbledhjen.

“Dhe këta që bën bojkotin, jo se duhej në këso rrethanash kur është i rëndë shëndeti publik, të bëheshin tok në luftën anti Covid, këta bënë të kundërtën duke politizuar skajshëm gjerë në bojkot”, ka përfunduar Ruzhdi Peçani për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat