Teksa në Shqipëri është formuar qeveria Rama 3, ish kryeministri dhe ish lideri i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se formimi i kësaj qeverie është fatkeqësia e tretë kombëtare e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Mandati i trete i Argatit te Vuçiçit është mandati më i rrezikshëm në historinë e kombit shqiptar mandati i vasalitetit të plotë të Shqipërisë ndaj Beogradit, të rrethimit të Kosovës nga klikat antishqiptare të Tiranës dhe Shkupit. Në dy mandatet e para Trojka famëzeze shqipfolëse por albanofobe Rama-Thaçi-Baton Stanishiqi bënë gjithçka të copëtonin dhe ndanin Kosovën po dështuan. Në mandatin e dytë Edvin Kristaq Rama firmosi traktatin antishqiptar të serbomadhisë të Novisadit në hartën e të cilit padroni Vuçiç dhe lakejt e tij Rama Zaev fshinë Kosovën nga harta e Ballkanit dhe krijuan Minijugosllavinë me emrin kallp Minishengen duke shndërruar kështu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në shtete vasale të Beogradit. Pas këtij akti të tradhëtisë së lartë kombëtare argati i Beogradit do shpallte me porosi të padronit Vuçiç luftë të ftohtë Prishtinës”, ka deklaruar Berisha.
“Për mbrojtjen nga përdhosja e gangestereve të Ballkanit të emrit Shengen, BE urdhëroi ndalimin e përdorimit të këtij emri si maskë e Minijugosllavisë. Kjo detyroi serbomadhin Vuçiç ti ndryshoje emrin Minijugosllavisë nga Minishengen ne Ballkan i Hapur dhe të firmosë me argatët e tij në Shkup traktatin e Ballkanit të Hapur përsëri për një Minijugosllavi dhe për të nderuar kështu multimiliardierin George Soros që ka propozuar i pari këtë krijesë. Mandati i tretë do jetë pra mandati i vasalizimit të plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndaj Beogradit, i rrethimit të Kosovës pothuaj nga te gjitha anët nga klika antishqiptare serbe, maqedonase dhe shqiptare albanofobe”, ka alarmuar për Kosovën ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
E lidhur me paralajmërimet e Sali Berishës, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, Berisha posedon informacione të sakta kur bëhet fjalë çështja kombëtare shqiptare.
“Sali Berisha, kur është fjala te çështja kombëtare shqiptare, nuk gabon. Jo thjesht për eksperiencën që ai ka. As për lidhjen emocionale të tij me Kosovën dhe kombin shqiptar. Por edhe për informacionin e jashtëzakonshëm që ai posedon. Ai ka miq të mirë kudo në Evropë e SHBA dhe që e duan me gjithë zemër Shqipërinë, të cilët e njoftojnë për veprimtarinë anti-shqiptare jo vetëm të Serbisë e Rusisë, por edhe të shërbëtorëve që ata kanë në Shqipëri, në Kosovë, te politikanët dhe njerëzit publikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut e kudo. Ai njeh të shkuarën dhe të tashmen e shumicës së shqiptarëve që sot merren me politikë e diplomaci në sferat e larta”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, në dy mandatet e deritashme, Edi Rama bashkëpunoi me Aleksandër Vuçiqin në projektet kundër Kosovës.
“Konstatimi i Doktor Berishës për mandatin e tretë të Edi Ramës si mandat i një rreziku të madh për Kosovën, Shqipërinë e shqiptarët është i bazuar në ato që thashë më lart, por edhe në eksperiencën e qeverisjes së qeverive Rama 1 dhe Rama 2. Askush nuk mund të kontestojë faktin se në këto dy mandate kishte një bashkëpunim të shkëlqyer midis kryeministrit të Shqipërisë, presidentit të Serbisë e të Kosovës për të realizuar disa projekte njëri pas tjetrit të Beogradit. Në vitin 2015 Edi Rama ra dakord me Aleksandër Vuçiq për krijimin e një Jugosllavie të re, ku të bënte pjesë edhe Shqipëria, veç pesë vendeve tjera ish-Jugosllave, përjashtuar Slloveninë e Kroacinë. Ky projekt ishte në axhendë deri nga mesi vitit 2017”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, Bytyçi thotë se pas kësaj kohe qeveria e Beogradit rriti oreksin.
“Ajo pa gatishmërinë e Edi Ramës për ta ndihmuar Beogradin në projektin e ndarjes së Kosovës dhe hoqi dorë fillimisht nga Jugosllavia e re. Iu përkushtua ndarjes së Kosovës, zgjerimit të territorit të Serbisë në Kosovë e më pas edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Rekrutoi veç Ramës në këtë projekt edhe Thaçin dhe dy presidentët u bënë promovuesit më të zellshëm të projektit të Serbisë së Madhe. Për këtë nuk ka nevojë të jepen fakte, sepse i kam shkruar në librin e botuar “Kosova e rrezikuar nga Serbia e Madhe”!”, thekson Bytyçi.
“Kur ky projekt dështoi edhe për shkak të angazhimit intensive të Sali Berishës, por gjithashtu për arsye të qëndrimeve kundër të Angela Merkel, atëherë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq shpikën “Minishengenin”, iniciativë e cila është shndërruar në Open Balkan. Kjo ishte arsyeja pse Zaev dhe Vuçiq dolën hapur në mbështetje të Edi Ramës në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Ata mbështetën Ramën, me qëllim që të realizojnë projektet e Beogradit në Shqipëri, në Kosovë e në të gjithë Ballkanin. Minishengeni ishte pikëtakimi kryesor i tyre. Sepse me këtë nismë Serbia synon jo vetëm të zgjerojë influencën, ndikimin dhe sundimin e saj politik dhe ekonomik në rajon, por edhe të asgjësojë pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e Bosnjë-Hercegovinës e të Malit të Zi”, shpjegon më tej profesor Bytyçi për gazetën “Bota sot”.
Për krejt këto, Enver Bytyçi thotë se Sali Berisha është në dijeni të këtyre planeve.
“Ai është përballur me mposhtjen e asgjësimin e këtyre projekteve, edhe pse pa pushtet politik. Autoriteti moral i tij e ndihmoi të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet. Por mandati i tretë i jep Edi Ramës shumë përparësi në ecurinë e këtyre planeve. Të them të drejtën jam deri diku skeptik se opozita në Shqipëri do të përballet fort kundër këtyre projekteve. Deri tani nuk ka nuk kam vënë re ndonjë reagim të fortë. E njoh nga afër pozicionin e zotit Basha dhe për atë që njoh kam besim te ai. Por në publik nuk ka reaguar njësoj siç reagon në ambiente të lira! Deri kur do të “durojë“, unë nuk e di. Por sa më shpejt dhe sa më ashpër t’i kundërvihet planeve serbe që përçon Edi Rama, aq më mirë do të jetë për kombin shqiptar, sidomos për Kosovën”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, Kosova e ka fatin e saj në dorën e vet, dhe se për të nuk vendos dot as Edi Rama, e as Aleksandër Vuçiq.
“Është fat i mirë që liderët politikë në pushtet dhe shumica dërmuese e atyre në opozitë janë kundër këtyre projekteve. Shpresa e shqiptarëve në tërësi është Kosova. Nëse Edi Rama mund të dështonte së paku në disa aspekte të qëndrimeve të tij anti-shqiptare, kjo do të ndodhë për shkak të qëndrimeve patriotike të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Kosova e ka fatin e saj në dorën e vet. Nuk vendos dot për Kosovën as Edi Rama, as Aleksandër Vuçiq. Sa kohë që këta të dy nuk do të gjejnë në Kosovë një Hashim Thaçi tjetër alias një Esat Pashë tjetër, aq kohë nuk do të munden që t’i realizojnë planet e tyre pro serbe e pro ruse në Kosovë e në rajon. Kosova ka shumë mundësi që të bëhet mbrojtëse e flaktë e stabilitetit të saj e madje edhe e stabilitetit rajonal. Edhe kësaj radhe shpëtimi i shqiptarëve do të jetë Kosova”, nënvizon Bytyçi.
Për fund, Bytyçi deklaron se ekziston një rrezik i madh për Kosovën dhe shtetësinë e saj.
“Megjithatë zoti Berisha vazhdon të jetë i shqetësuar. Asnjëherë nuk dihet se si do të zhvillohen konjukturat ndërkombëtare, nuk i dihet se sa e si do të bashkëpunojnë aktorët transatlantikë. Nuk i dihet nëse do të kemi aleanca të reja mbas daljes së Kinës si Fuqi e pakontestueshme botërore, apo do të vazhdojnë ato të vjetrat. Gjithçka është në ajër dhe shqetësimi i shqiptarëve duhet të njësohet me shqetësimin e Sali Berishës. Rreziku është aty. Një rrezik i madh për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Një rrezik i madh për shqiptarët në tërësi. Fatkeqësisht pjesë e këtij rreziku është bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kjo është tragjedia dhe komedia e kësaj kohe të turbullt. Por reagimi i doktor Berishës është gjithashtu një alarm dhe thirrje për të forcuar pozitat tona në rajon, për t’u bashkuar e jo për t’u përçarë. Për të qenë homogjenë dhe jo heterogjenë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.