Parashikimi i analistit: PDK mund të dalë partia e parë me komuna, kjo është arsyeja

Politika

Parashikimi i analistit: PDK mund të dalë partia e parë me komuna, kjo është arsyeja

Nga: A.Z Më: 6 shtator 2021 Në ora: 16:46
PDK

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra po shprehet e bindur se kjo parti do të qeverisë me shumicën e komunave në vend pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Deliu-Kodra në një intervistë theksoi se kandidaturat e PDK-së tashmë janë të dëshmuara dhe janë profile të jashtëzakonshme politike në kuptimin e qeverisjes.

“Është duke u bërë një punë e mirë. Kandidaturat e PDK-së janë tashmë të dëshmuara profile të jashtëzakonshëm që kanë një bagazh të tyre politik si në kuptimin e qeverisjes ku kemi pasur disa kandidat të cilat tashmë kanë qeverisur dhe kanë pasur një qeverisje të mirë brenda mandatit të fundit sidomos me projekte të shumta të cilat kanë prekur jetën e qytetarëve në disa komuna”, tha ajo.

Ajo shtoi se prapë do ta kthejmë rezultatin e suksesshëm në komunat ku ka pasur qeverisje PDK, sepse sipas saj, kjo është e nevojshme.

“Unë jam e bindur që do ta kthejmë rezultatin e suksesshëm në pjesë të madhe të komunave në të cilën Partia Demokratike e Kosovës ka pasur qeverisje në mandatet e kaluara sepse konsiderojmë që është nevojë e rikthimit tonë e rikthimit të pushtetit dhe të afrimit të perspektivës së qytetarëve për të implementuar programet që prekin drejtpërdrejtë jetën e tyre”.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se PDK vitin e kaluar me arrestimin e krerëve të saj, ka pasur kulmin e krizës.

Mirëpo, sipas tij, situata ka ndryshuar pas ndryshimeve brenda këtij subjekti, andaj edhe nuk dihet se çfarë pritet nga këto zgjedhje.

“Partia Demokratike e Kosovës, vitin e kaluar e ka pasur kulmin e krizës, si pasojë e arrestimit nga Specialja për në Hagë të krerëve të saj. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve qendrore edhe përpos faktit të euforisë dhe stuhisë kundër tyre, arriti sadopak të mbrojë elektoratin e vetë. Tani pas ndryshimeve brenda subjektit, situata ka ndryshuar dhe akoma nuk është e qartë se çfarë mund të pritet në këtë proces zgjedhor”, tha ai.

Tutje ka theksuar se PDK ka kandidatë të mirë, madje sipas tij, PDK i ka kushtet pozitive për të dalë me komuna si partia e parë, por edhe me rezultat të përgjithshëm.

“Sido që të jetë, përzgjedhja kadrovike e kandidatëve për kryetarë komunash, te PDK është shumë e mirë, njëherësh ka mobilizim strukturorë të mirëfilltë në garën për asambletë komunale. Në këtë kontekst, mendoj që zgjedhjet lokale, dallojnë shumë nga mënyra organizative nga ato qendrore dhe nuk vlen e njëjta pritshmëri për rezultatin zgjedhor. Bazuar në këtë kontekst, mendoj që PDK i ka parakushtet pozitive për të dalë partia e parë me komuna, por edhe ndoshta me rezultat të përgjithshëm”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat