Javët e fundit në Kosovë pandemia Covid-19, ka bërë që shumë familje t’u japin lamtumirën e fundit personave të tyre të dashur, nga vdekjet e shumta që ka shkaktuar.
Së fundi në Kosovë ka pasur numër të madh të infektimeve e poashtu edhe të vdekjeve.
Varianti Delta nuk po kursen as të rinjët e as fëmijët.
Qeveria në këtë drejtim ka marrë masat dhe vazhdimisht institucionet përkatëse po bëjnë thirrje për vaksinim dhe për respektim të masave.
Analisti Ruzhdi Peçani në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se situata me covid në Kosovë është rënduar sepse përditë po ballafaqohemi me armikun e padukshëm që po merrë jetë njerëzish.
“Situata epidemiologjike në Kosovë është rënduar shumë. Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku i padukshëm dhe i rrezikshëm, po na merr nga dita në ditë shumë jetë. Them se si institucionet, jo të gjitha, po dhe qytetarët nuk bënë të gjithën, atë që duhej ta bënim, pra qytetarët dhe bizneset. Pra nuk bëmë rezistencën që të mos lejojmë rrezikimin e thyerjes së barrikadës të mantelbardhëve në Klinikat e QKUK, spitalet rajonale po dhe mjeksisë primare. IKSHPK dhe ekspertët epidemiolog kishin tërhequr në kohë vërejtjën, se vala e dytë mund të ndodhë pas disa muajsh. Se vala e dytë e epidemisë nuk përjashtohet. Ajo mund të ndodhë në fillim apo fund të vjeshtës. ...në respektimin e masave silleshim me nonshalancë në mbrojtjen e jetëve”, ka thënë analisti.
Sipas tij, qytetarët sikur u liruan shumë gjatë verës.
“Autoritetët e shëndetësisë shprehen se “rritja e rasteve të reja ka ardhur nga mos respektimi i distancimit social, i masave të kontrollit dhe atyre kufizuese”. Kështu, qytetarët sikur u liruan dhe u sollëm me nonshalancë në mbrojtjen e jetës dhe zbatim me rigorozitet të masave kufizuese që ishin. Dhe kur u kalua rubikoni i vijës së kuqe dhe erdhi alarmi, për pasojë qeveria e Kosovës vendosi të rikthejë kufizimin e lirisë së lëvizjes. Masat që do të jenë në fuqi nga data 28.08. deri më 13.09. Po ashtu qeveria vendosi që viti i ri shkollor që parashikohet të fillojë më 1 shtator, të shtyhet për dy javë deri më 13 shtator. Grupmoshat e reja sipas autoriteteve të shëndetësisë janë bërë së fundmi shpërndarës të virusit. Në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë ku u vendos për ashpërsimin e masave. Kështu kur vitin e kaluar,në 2020,vëmendja ishte tek të moshuarit, si kujdes human, tani na është rrezikuar shtresa më vitale e popullatës, pra fëmijët dhe të rinjët. Kjo për institucionet dhe gjithë qytetarët duhet të jetë më shumë se alarm. Në rrethanat çfarë gjendemi, koha nuk premton kompromise”, thotë ai.
Ai më tej deklaron se në popullatë ekziston ende frika për vaksinim, ku sipas Peçanit, kishte zëra edhe deputetësh që shfaqnin dyshime për vaksinën Astra Zeneca.
“Po dëgjohen edhe zëra nga bizneset dhe qytetarët për masat e marra dhe dënimet. Komenti do të ishte –dënimet patjetër se janë komform ligjit. Pra gjendemi në fushën e zjarrit, po humbim shumë jetë fëmijësh,të rinjëve,nënave të reja dhe shtatzëna. Ne jemi vend i vogël,edhe ashtu si popullatë jemi tkurrur mjaft nga migrimi, rënia e natalitetit, andaj nuk mund të sillemi me papërgjegjësi në këto rrethana kur po na humbën shumë jetë. Qeveria nuk duhet bërë kompromisë, sikur që kishte bërë me biznesin e gatronominsë. Ishte apsurd të dëgjoje së fundi,kur nga biznesi gastronomisë të marrin guximin dhe të kërcnojnë qeverinë se: “nuk do zbatojmë masat e marra nga qeveria, po nuk takohemi me ministrin e financave”. Ajo që është lëshuar dhe nga qeveria në vitin 2020 dhe fillim viti 2021, ishte mos bërja e fushatës për vaksinimin, MSH ishte indolente. Të kujtojmë se nga anketa dhe studimi i bërë nga Atlantic Council, me temën “Ballkani dhe Covid-19”, në 2020, besueshmëria në teoritë konspirative në Kosovë tregonte se 47% të anketuarve ishin me diplomë universitare dhe 22% me arsim fillor. Kjo tregon pse tek popullata akoma ekziston hezitimi të vaksinohen. Jo se bëhej fushatë, po ishte e kundërta, kishte zëra edhe deputetësh që shfaqnin dyshime për vaksinën Astra Zeneca, kështu kishim konspiracionist edhe mes deputetëve e që sot janë më të zëshmit kritik”, shprehet Peçani.
Analisti për uljen e infektimeve ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen, e partitë politike të mos merren me akuza, duke politizuar pandeminë, por të bëhen bashkë në luftimin e saj.
“Dhe tani si të ulet numri i infektimeve? Patjetër duhet dëgjuar ekspertët shëndetësor rekomandimet që japin nga IKSHPK. Pra vetëm vaksinimi dhe vaksinimi! Partitë politike të mos merren me akuza dhe kundër akuza, duke politizuar pandeminë, jo anti-qeveri po të bëhen tok në luftimin e saj. Pra jo propagandë politike, por të bëjnë fushatë për vaksinimin. Procesi i vaksinimit të qytetarëve po vazhdon, ndonëse akoma ka hezitim në masë për marrjen e vaksinës. Megjithatë sipas kryeministrit Albin Kurti, "pavarësisht se Kosova nisi e fundit në rajon fushatën e vaksinimit, ky proces po shkon mirë”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, pasi varianti Delta i virusit korona po përhapet me shpejtësi dhe po shënohet dhe rritje e shpejtë e rasteve pozitive me këtë virus”, deklaron ai.
Sa i përket gjendjes ekonomike, Peçani ka thënë se, edhe pse ka ndikuar shumë në rënien ekonomike, qeveria duhet të bëjë një plan B, për lehtësimin e bizneseve private.
“Ekonomia në Kosovë pritet të ketë rënie edhe më të mëdha nga kriza e pandemisë. Rënia ekonomike do të sjellë shkurtim të vendeve të punës, të të ardhurave, vështirësi financiare për bizneset dhe familjet në Kosovë. Mendoj në raport me pasojat e rënda në ekonomi, mbështetja edhe mund të jetë e pamjaftueshme. Shifrat e rritjes të infektimit akoma qëndrojnë lartë, janë shumë shqetësuese dhe ngrejnë alarmin e rënies në recesion. Po vazhdon kësht, Qeveria duhet bërë një plan B për lehtësim për biznesin privat dhe duhet të jetë i fuqishëm, po edhe me kredi pa interes për dy vjet, që bizneset private të mund të ristartonin me aktivitetin drejt normalizimit. Në këto kushte e vetmja rrugë për të mos u kthyer përsëri tek mbyllja e sektorit privat është rimodelimi i bizneseve, ngritja e kapaciteteve të tyre për të mos ndërprerë punën dhe njëherazi shmangur infektimin me virusin DELTA. Pra kërkohet një mobilizim për të mbrojtur bizneset e vogla të mos falimentojnë, mbështetja ndaj shëndetësisë dhe shtresave në nevojë. Patjetër se Kosova ka nevojë për një “Plan B” të veprimit në sektorët më të prekur nga situata e jashtëzakonshme. Kështu, masa të jashtëzakonshme, si përgjigje të situatës së jashtëzakonshme”, përfundon Ruzhdi Peçani.