Rusia po vazhdon ta mbështesë Serbinë me mjete ushtarake.
Vetëm pak ditë më parë, shteti rus i dhuroi Serbisë tanke të tipit “T-72MS” dhe makina të blinduara për qëllime zbulimi tip “BRDM-2MS” me vlerë rreth 75 milionë euro, dorëzimi i të cilave u bë në kazermën e Nishit “Mija Stanimiroviç”.
Ministri serb i Mbrojtjes, Stefanoviç bëri të ditur se ky donacion u bë me marrëveshje të Vuçiqit dhe Putinit.
“Ky është një donacion i Federatës Ruse për Ushtrinë e Serbisë në vlerë prej rreth 75 milionë eurosh, e cila përbëhet nga 30 transportues të blinduar tip ‘BRDM-2MS’ dhe 30 tanke të modernizuar tip ‘T-72 MS’, bazuar në marrëveshjen e rënë dakord në Soçi nga dy presidentët Vuçiq dhe Putin.
Ne i jemi shumë mirënjohës për Federatën Ruse, sepse ky është një përforcim i rëndësishëm për Ushtrinë e Serbisë”, tha ministri i Mbrojtjes, Nebojsa Stefanoviç pas marrjes në dorëzim.
Ky bashkëpunim mes Rusisë dhe Serbisë po shihet si një lloj kërcënimi për Kosovën dhe shtetet e rajonit, duke ditur se kjo po bëhet me qëllim të jetësimit të projektit ‘Serbia e Madhe’.
Këto bashkëpunime të Rusisë dhe Serbisë i ka komentuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.
Ai u shpreh se Serbia është këmba e Rusisë në rajonin e Ballkanit, e që fatkeqësisht Kosova nuk mund ta ndalojë shtetin rus që t’i jap armë shtetit serb.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/30/auto_Rexhep-Shahu1630347516.jpg)
“Rusia do ta ketë këmbë të sajën Serbinë në Ballkan. Kufiri mes botës euroatlantike dhe asaj ish komuniste është në Kosovë. Kosova nuk e ndalon dot Rusinë që te mos i japë armë Serbisë”, deklaroi Shahu.
Në vazhdim, analisti kërkoi nga Kosova që të shtojë armatimin, ta edukojë popullin e saj dhe të bëhet ‘Izrael’ në Ballkan.
Mirëpo, Shahu tha se kjo arrihet vetëm nëse politikanët shqiptarë bashkëpunojnë me Amerikën dhe jo me Serbinë e Rusinë.
“Kosova mundet të shtojë armët e veta, mundet të edukojë e formojë popullin e vet, mundet që ta bëjë një shtet të fortë, mundet që Kosova të bëhet Izrael në Ballkan, nëse politikanët e Kosovës bashkëpunojnë me Amerikën dhe nuk bashkëpunojnë me Rusinë e Serbinë.
Këtë ka në dorë Kosova, të forcohet dhe nuk ka në dorë të pengojë bashkëpunimin ruso-serb”, përfundoi Rexhep Shahu.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete ushtarake.
Ku kjo dëshmon se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të forta se asnjëherë më parë./BS