Ata vajtojnë, Kosova nuk është ëndërr as këngë serbe/Ky është reagimi i vetëm që duhet të bëhet ndaj Serbisë

Politika

Ata vajtojnë, Kosova nuk është ëndërr as këngë serbe/Ky është reagimi i vetëm që duhet të bëhet ndaj Serbisë

Nga: G.B Më: 7 shtator 2021 Në ora: 19:23
Foto ilustrim

Situatë e tensionuar është në Malin e Zi prej ditësh, për shkak të shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, metropolitit Joanikije në Cetinje.

Tensionet në Mal të Zi po vazhdojnë edhe pas kësaj ceremonie, derisa ajo është kundërshtuar edhe me protesta.

Në gjithë këtë ceremoni nuk mungoi as përmendja e shtetit të Kosovës.

Derisa Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, shkroi në rrjetin social Instagram se ka bërë shugurimin e Joanikijes duke u lutur për paqen e të gjithëve, gjatë kësaj ceremonie, priftërinjtë serbë kënduan një këngë me vargjet “kur ushtria kthehet në Kosovë”.

Pas kësaj pati mjaft reagime, duke u vlerësuar si thirrje luftënxitëse.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike dhe ish gazetari, Rexhep Shahu.

Ai ka thënë se serbët shohin ëndrra dhe provokojnë.

Image
Njohësi i çështjeve politike dhe ish gazetari, Rexhep Shahu.

“Serbët kanë në dorë të provokojnë dhe të shohin e të tregojnë ëndrra. Serbët e kishës serbe gjithmonë kanë qenë pararoja e ushtrisë serbe edhe për ta shtypur Kosovën. Por përtej kishës dhe ëndrrave historia vepron ndonjëherë dhe serbët varrosin eshtra ëndrrash e këndojnë mbi eshtrat e ëndrrave dhe ithtarët e këngëve të tyre”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Kosova nuk është këngë serbe dhe priftërinjtë vajtojnë se nuk kanë ç’të bëjnë, vetëm mund të ëndërrojnë.

“Kosova sido që të shkojë nuk është më ëndërr serbe as këngë serbe. Vajtojnë priftërinjtë serbe por vetëm kaq, nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër. Nëse Kosova nuk do të ketë më shqiptarë edhe mund ta ëndërrojnë serbët”, ka vlerësuar analisti.

Ai shton se Kosova duhet të qeshë me të madhe përballë priftërinjtë serbë dhe të vazhdojë ta bëjë shtetin, ta forcojë atë dhe mund të bëhet Izrael i dytë.

“Çfarë duhet të bëjë Kosova përballë këngëve të priftërinjve serbë? Të qeshë me të madhe sa të rrotullohen në varr priftërinjtë serbe. Dhe Kosova të bëjë shtet, ta bëjë shtetin pa fjalime e parulla kryeministrore, pa lufta të ulëta partiake. Kosova më shumë se kurrë duhet ta forcojë shtetin. Serbia e Mali i zi i kanë shtetet të vjetra, Kosova ka shansin të bëhet Izrael i dytë”, ka theksuar ai.

Shahu po ashtu ka potencuar se edhe po të ketë reagim ndërkombëtar lidhur me këtë, nuk është asgjë, reagimi duhet të jetë vetëm nga Kosova që ta forcojë shtetin.

“Edhe po të ketë reagim ndërkombëtar për këngët e priftërinjve serbe është asgjë. Reagimi i vetëm duhet të jetë ai i Kosovës, të forcojë shtetin Kosova. Jo më parti e politikanë që për karrige cenojnë Kosovën”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat