Visar Zuka, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Nijazi Bajrami kanë në pronësi të tyre katër lokale në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, përkatësisht lokalet me numër 50, 52, 54 dhe 56, që nga viti 1964.
Por, një vendim i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) i vitit 2017 i la këta pronarë pa lokalet e tyre. Për rrjedhojë, ata tash e katër vjet vazhdojnë të përballen me prokurorë e gjykatës për t`i marrë lokalet nga qiraxhinjtë.
Saga e problemeve të katër qytetarëve të Prishtinës nisi në dhjetor të vitit 2017, kur NPB lidhi marrëveshje me qiraxhinjtë e këtyre lokaleve, në mënyrë që këta të fundit t`i paguanin qiranë asaj dhe jo atyre pronarëve legjitim, Visar Zukës, Rrahim Begollit, Ilhan Domanikut dhe Nijazi Bajramit.
Domaniku: Dokumentet e pronësisë nuk kanë kurrfarë vlere në Kosovë
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ilhan Domaniku, njëri nga pronarët e lokaleve, në emër edhe të pronarëve të tjerë, thotë se në Kosovë nuk kanë kurrfarë vlere dokumentet e pronësisë si fleta poseduese, kopja e planit, fatura e shitblerjes, etj.
Ai tregon se Gjykata ka marrë vendim për lirimin e lokalit të tij, mirëpo nuk ia ka dorëzuar çelësat tash e dy muaj. Ndërsa, tre lokalet tjera vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiraxhinjtë, ndërsa vazhdon ende procesi gjyqësor.
“Dokumentet e pronësisë si fleta poseduese, kopja e planit, fatura e shitblerjes nuk kanë kurrfarë vlere në Kosovë. Metoda si janë uzurpuar 4 lokale në qendër të Prishtinës prej të cilëve 3 punojnë ende pa kurrfarë pengese dhe pa kurrfarë dokumenti, një prej tyre është mbyllur ka afër 2 muaj me masë të sigurisë dhe çelësat e lokalit gjinden ende në gjykatë, nuk i janë dorëzuar pronarit legjitim”, tregon ai.
Së pari, sipas Domanikut, NPB iu ka kërkuar pronarëve dokumentet për pronësi të cilat edhe ia kanë prezantuar.
“Përkundër paraqitjes së të gjitha këtyre dokumenteve, NPB-ja pas 15 muajsh verifikime e me dijeni të plotë që lokalet janë pronë private, ka lidhur kontratë të jashtëligjshme me qiraxhinjtë tanë, pa dijeninë e pronarëve legjitimë”, shprehet ai.
Ilhan Domaniku thotë se kontrata e qiraxhinjve me NPB-në ishte e jashtëligjshme dhe në kundërshtim të neneve të saj.
“Duhet theksuar se kontrata është nënshkruar nga vetë kryeshefi ekzekutiv, Nexhat Kryeziu, i cili ka pasur shumë takime me qiraxhinjtë tanë (pa dijeninë tonë si pronarë) gjatë vitit 2017 para nënshkrimit të kontratës së jashtëligjshme. Pra lindë dyshimi për një krim të organizuar. Kemi kërkuar listën nga NPB-ja nga regjistrat (pasi që çdo person regjistrohet) se sa herë qiraxhinjtë tanë kanë vizituar kryeshefin ekzekutiv gjatë vitit 2017, por kërkesa jonë u refuzua. Në këtë kontratë të jashtëligjshme NPB-ja vepron edhe në kundërshtim të neneve të po kësaj kontrate”, potencon ai.
Më tej, ai thotë se rasti u paraqit menjëherë në polici dhe në gjykatë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
NPB: Nuk kemi pretendime ndaj këtyre lokale
Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, përfaqësues të NPB-së, kanë deklaruar në fund të vitit 2017, ish Kryeshefi Ekzekutiv i NPB-së, përmes Divizionit të Pronës ka iniciuar procedurat e lirimit të pronave apo lokaleve, afër shkollës Faik Konica, nga qiramarrësit e atëhershëm si dhe të pamundësojnë hyrjen dhe qasjen në ato lokale.
“Në po të njëjtën kohë, përmes Divizionit të Qirasë, njofton qiramarrësit që nëse janë të interesuar të vazhdojnë t'i shfrytëzojnë këto lokale, duhet të lidhin kontratë mbi qiranë me NPB. Qiramarrësit e atëhershëm janë drejtuar në NPB për të lidhur kontratat mbi qiranë, në janar të vitit 2018. Pasi janë njoftuar pronarët aktual të këtyre pronave për vendim të lirimit të lokaleve dhe lidhjeve të kontratave mbi qiranë me NPB, ata u janë drejtuar organeve të policisë dhe hetuesisë”, thuhet në përgjigjen e NPB-së dhënë gazetës “Bota sot”.
Po ashtu, në përgjigje theksohet: “Meqenëse NPB nuk pasur ndonjë dokument mbështetës karshi këtyre pronave, me kërkesë të ish Kryeshefit Ekzekutiv, pas 5 muajve dërgohet njoftimi për shkëputje të kontratave mbi qiranë”.
“Ne ju njoftojmë që NPB asnjëherë nuk ka shkaktuar dëm financiar ndaj qiramarrësve dhe pronarëve, pra nuk ka faturuar dhe nuk ka pranuar pagesë qiraje, gjatë kësaj periudhe 5 mujore. Po ashtu, vlen të theksohet se Menaxhmenti i ri i NPB-së në fund të vitit 2018 u ka dërguar shkresë zyrtare pronarëve aktual duke ju sqaruar që Ndërmarrja Publike Banesore karshi këtyre lokaleve nuk ka asnjë pretendim”, përfundon përgjigja e NPB-së.
Domaniku: A kanë dështuar hetuesit policorë apo prokurori, kjo nuk dihet
Por, sipas Ihan Domanikut, që flet edhe në emër të pronarëve të tjerë të këtyre 4 lokaleve, pasi u hap rasti në gjykatë, tani kontrata mund të anulohej.
“Pra NPB-ja pas 3 muajve anulon kontratën e jashtëligjshme por skenari vazhdon. Qiraxhinjtë refuzojnë të lirojnë lokalet, refuzojnë pagesën e qirasë, refuzojnë të lidhin kontratë të re. Policia thotë se meqenëse rasti është në gjykatë ne nuk mund të veprojmë pa vendimin e gjykatës. Hetuesit policorë u deklaruan disa herë se nëse kjo kontratë është nënshkruar me dijeni të plotë se lokalet janë pronë private, atëherë kjo përbën krim”, shprehet ai.
Më tej, ai tregon se hetuesit pas 5 muaj hulumtimi dërguan rastin në prokurori.
“Prokurori Kujtim Munishi pas 8 muajve nxjerr njoftimin ku thuhet se nuk ka asnjë provë bindëse që Nexhat Kryeziu ka keqpërdorur detyrën zyrtare. A kanë dështuar hetuesit policorë apo prokurori, kjo nuk dihet, pasi është krejtësisht e qartë se ekziston një kontratë e jashtëligjshme. Menjëherë kemi kërkuar qasje në dokumentet zyrtare por ka dy vite që nuk marrim asnjë përgjigje”, vazhdon ai.
“Pra prokurori po përmend që sipas dokumenteve që posedojmë ne jemi pronarë legjitimë por personi që ka lidhur këtë kontratë të jashtëligjshme për lokalet tona pa dijeninë tonë si pronarë nuk ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare”, shton Ilhan Domaniku.
Domaniku: Institucionet shtetërore me mos reagimin e tyre detyrojnë qytetarin të bëjë vetë gjykimin
Ai potencon se po bëhen 4 vjet që pronarët janë ende nëpër gjykata (pa kurrfarë faji) derisa siç shprehet uzurpuesit punojnë pa kurrfarë pengese.
Ata u janë drejtuar të gjitha institucioneve në Kosovë, përfshirë edhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por që askush deri më sot nuk është marr me hallin e tyre.
“Institucionet shtetërore me mos reagimin e tyre detyrojnë qytetarin të bëjë vetë gjykimin e pastaj të marrin masa. Realiteti në Kosovë është ky, që të jetë tragjedia më e madhe, shumica e avokatëve që kemi kontaktuar deri sot për gjykimin e uzurpatorëve (pasi është ngritur aktakuza për uzurpim) kanë dhënë të njëjtën përgjigje. Dënimi do të sillet disa qindra euro ndëshkim dhe 6 muaj me kusht. Po bëhen 4 vjet që uzurpatorët nuk paguajnë asnjë cent, as neve e as ATK-së (tatim në qira). Kurse ne detyrohemi ta paguajmë rregullisht tatimin në pronë. Gjithë këto tronditje, trauma të pariparueshme që ua kanë shkaktuar familjeve tona, kush do të paguajë për to?????”, përfundon Domaniku në emër të pronarëve të lokaleve në Rr. Xhorxh Bush nr. 50, 52, 54, 56, në Prishtinë.
Gazeta “Bota sot” ka provuar të marrë përgjigje për këtë edhe nga avokati i personave që i kanë lokalet me qira, Skender Musa, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Nuk është përgjigjur as zyra për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndonëse pyetja për lëndët e këtyre rasteve i është dërguar rreth një muaj më parë.