Ndërmarrja Trepça Sh A që njihet si gjeneratori i zhvillimit ekonomik jo vetëm Mitrovicës edhe Kosovës por edhe më gjerë, në historinë e saj ka kaluar në peripeci, telashe, probleme, por falë shpirtit të paepur dhe punës së palodhshme të luanëve të nëntokës - minatorëve, ajo iu rezistoi të gjitha kohërave dhe përkundër problemeve me të cilat përballet, ngadalë dhe sigurt po këndellet me synimin e rikthimit të rolit dhe rëndësisë për zhvillimin e Mitrovicës edhe Kosovës.
Pesë muaj më parë, Trepça ishte në gjendje të rëndë krize, me borxhe të larta e në prag falimentimi, si dhe prodhimtari e shitje që linte për të dëshiruar, por me ardhjen e menaxhmentit të ri – përkatësisht ardhjes si ushtrues detyre të krye-shefit ekzekutiv të Trepçës nga Rafet Ibishi, gjërat dhe trendi negativ kanë nis të kthehen në kahun e duhur pozitiv, prodhimi është rritur ndjeshëm, po ashtu shitja e koncentratit, sikurse edhe disiplina dhe përkushtimi i minatorëve.
Ai ka folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”.
“Koha kur ne morëm drejtimin e ndërmarrjes ishte shumë e rëndë, me borxhe, fatura të pashlyera, vonesa page, prodhimtari jo e mjaftueshme dhe mungesë disipline përkushtimi në punë, por pas takimeve të rregullta, bisedave dhe qëndrimit gju më gju me minatorët, fal angazhimit dhe përkushtimit të tyre, sot kemi prodhimtari rekorde për periudhën e pasluftës, kemi disiplinë në punë, respektim të hierarkisë dhe sigurim me kohë të pagave nga puna jonë”, shprehet Ibishi, që të gjitha këto i ilustron me shifra e fakte.
“Që nga muaji dhjetor ndërmarrja Trepça siguron vetë pagat për 1 mijë e 400 punonjës, pa marr asnjë donacion, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe 8 mujore, ia kemi dal të shlyejmë mbi 2 milionë borxhe të trashëguara , trendi i prodhimit është shumë i mirë, prodhimi është shtuar dhe mesatarisht shkon mbi 15 tonë minerale brenda muajit, ndërsa ka muaj që ajo arrin deri 21 tonë,” tha krye-shefi Ibishi.
Rritja e prodhimit në Trepça, po përcillet edhe me trendin e mirë në shitje të dy përbërësve kryesor që përpunohen në plumb edhe zink, duke e bërë ndërmarrjen rentabile edhe duke kthyer besimin tek minatorët, furnizuesit dhe partnerët, por edhe shpresën tek qytetarët se ajo po forcohet dhe do të rikthejë namin si gjenerator zhvillimi i qytetit dhe vendit.
Rentabiliteti dhe vënia në binar pozitiv të gjithë ndërmarrjes më së miri e ilustron pasqyra financiare e të hyrave në ndërmarrje, që krahasuar me vitin paraprak është si nata me ditën, kështu sipas ecurisë së tanishme edhe këtë muaj do kemi rritje prodhimi dhe sigurim të pagave nga puna dhe djersa e minatorëve, shprehet Ibishi.
“Nëse shikojmë pasqyrën financiare në periudhën e deritashme të viti 2021 deri me 31 gusht nga shitja e koncentrateve janë inkasuar gjithsejtë 9 milion e 682 mijë e 428.34 dollarë dhe nga barazimet në shifra edhe 781 mijë e 782.55 dollarë shtesë, duke arritur shifrën totale në 10 milionë e 464 mijë e 210.90 dollarë”, tha krye-shefi ekzekutiv Ibishi.
Ibishi është i bindur për vazhdimin e këtij trendi bazuar edhe në bisedat dhe kontaktet e vazhdueshme që ka me minatorët duke qenë pjesë direkt e punës, halleve, shqetësimeve dhe synimeve që ata kanë, ndërkohë që stafi menaxhues po vazhdon angazhimin për përmirësimin e kushteve të punës, që nga ushqimi, pajisjet edhe deri tek pagat.
Aktualisht ndërmarrja Trepça për sigurimin e pagave për të gjithë 1 mijë e 400 punonjësit e saj që veprojnë në këtë pjesë të Trepçës, i duhet të sigurojë rreth 920 mijë euro në paga, ndërkohë që harxhimet mujore përfshirë këtu ushqimin, pajisjet, transportin, mjetet tjera përcjellëse të nevojshme, energjinë dhe nevojat tjera imediate arrijnë mbi 200 mijë euro.
Ibishi thotë se ndërmarrja Trepça nuk ka marr asnjë donacion nga qeveria, ndërsa në periudhën e deritashme të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit arrijnë vlerën 3 milionë e 800 mijë euro, ndërsa nga shitja e koncentratit të zinkut 2 milionë e 800 mijë, ku prodhimi më i madh bëhet në Stan Terg, por trendi i mirë është edhe nga prodhimi në Kishnicë.
"Synimi ynë si menaxhment është të vazhdohet trendi pozitiv në prodhim, rimëkëmbjen e ndërmarrjes, rritjen e aftësisë menaxhuese dhe vetëfinancimin, krahas rritjes dhe përmirësimit të kushteve për minatorët, sikurse edhe kursimit dhe harxhimit me nikoqirllëk të secilit cent të punës së minatorit".
Ibishi ka shprehur shpresën se bordi i ri do vlerësojë punën dhe trendin pozitiv në ndërmarrje dhe do i jap mbështetje përpjekjeve të stafit menaxhues në vazhdimin e punës, prodhimit dhe rritjes së aftësisë vetë-financuese të ndërmarrjes Trepça, që do të krijoj[ siguri edhe tel minatorët dhe stabilitet në punë.
"Për rezultatet e deritashme më meritorët janë minatorët- luanët e nëntokës të cilët vazhdojnë të angazhohen, punojnë dhe të rrisin prodhimin duke kontribuar në forcimin e ndërmarrjes dhe rritjen e besueshmërisë si ndaj furnitorëve po ashtu edhe partnerëve afarist", ka deklaruar shtruesi i detyrës së krye-shefit ekzekutiv të ndërmarrjes Rafet Ibishi./Bota sot/