Ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së ish kryeministrin, Sali Berisha, i cili është futur në listën e zezë edhe të SHBA-së.
Vendimin për ta lënë atë jashtë e bëri të ditur Basha, në një deklaratë publike, duke shpjeguar se ky akt vjen pasi Departamenti amerikan i shtetit i ka ndaluar ish kryeministrit dhe ish presidentit të vendit, dhe familjes së tij, hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
"Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, deklaroi zoti Basha.
Në lidhje me këtë temë analisti politik, Skënder Kapiti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se vendimi i Bashës është i besueshëm dhe i drejtuar nga SHBA-të pasi këto të fundit përkrahën edhe këtë vendim publikisht.
Sipas analistit Berisha është më i dëmshëm për SHBA-të mirëpo që as Rama nuk është i dëshirueshëm për SHBA-të.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/11/auto_10_02_2020_10392782_10_02_2020_17103658_tttt1631386507.jpg)
“Ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha e përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar, me arsyetimin se këtë ia kanë kërkuar SHBA-të. Kjo edhe është e besueshme sepse SHBA-të menjëherë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 ato i njohën zgjedhjet e blera nga pushteti dhe e shpallën Sali Berishën person “non grata” me një deklaratë shumë të rëndë, dhe jo vetëm atë por familjarisht.Kjo të lë të kuptosh se SHBA -të nuk janë as me Edi Ramën por duke e peshuar me Sali Berishën ky i fundit është më i dëmshëm dhe me i padëshirueshëm për SHBA-të. Po ta shohim tani edhe mbështetjen që i dhanë SHBA vendimit dhe Lulzim Bashës për dëbimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike , këtë dëbim nuk është se e ka organizuar Edi Rama. Berisha do të duhej vetë që të largohej nga politika sepse kjo kundërshti nga ana e tij si dhe e disa mbështetësve të tij po i bën dëm jo vetëm Partisë Demokratike por të gjithë Shqipërisë”, u shpreh ai.
Më tej, ai komenton deklaratën e Berishës që i akuzoi Bashën me Ramën duke thënë se ishte një reagim agresiv nga ana e ish-kryeminsitrit dhe se i njejti bashkëpunim nuk qëndron.
Ndërsa duke vazhduar ai flet për Berishën duke u shprehur se është koha të largohet Berisha, të fuqizohet Basha pasi Rama edhe me zgjedhje të blera ka dështuar rëndë.
“Lulzim Basha me mjaft moderacion dhe me maturi e justifikoi vendimin e tij. Por reagimi agresiv i Berishës dhe akuza e tij për bashkëpunim kundër tij të Bashës me Ramën i shërben dhe i zgjat jetën vetëm pushtetit të Edi Ramës.SHBA – të nuk e duan Edi Ramën dhe nuk kanë as simpati dhe as besim te Partia Socialiste. SHBA-të gjithmonë aleat kanë pasur dhe e kanë mbështetur Partinë Demokratike gjë të cilën edhe tani e deklarojnë. Mirëpo me Berishën janë shumë të zhgënjyer pasi ai nuk është më i besueshëm përkundër edhe atyre se çfarë shprehimisht dhe pastër e qartë ka deklaruar DASH me shpalljen “non grata” te tij. Berisha tashmë i përket së shkuarës dhe nuk duhet ta bllokojë Partinë Demokratike, sepse një fuqizim i Bashës dhe largimi i Berishës do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme dhe fitores së Partisë Demokratike , pasi Edi Rama tashmë edhe zgjedhjet i ka blerë por edhe ka dështuar rëndë”, theksoi analisti.
Në fund analisti nuk arsyeton deklaratat e Berishës pro Amerikës pasi veprimet e tij e dëshmojnë të kundërten dhe se populli do demokracinë që për këtë janë kundër Berisha dhe Rama, ndërsa Basha jo pasi edhe po mbështetet nga SHBA-të.
“Është hipokrizi të deklarohesh siç bën Berisha si proamerikan dhe nga ana tjetër sillet e vepron si antiamerikan. Shqiptarëve nuk u intereson Berisha dhe as Rama, shqiptarëve u intereson demokracia, ligji, shteti ligjor dhe integrimi e prosperiteti, shqiptarëve u intereson ndryshimi por kundër këtij ndryshimi janë Berisha e Rama dhe jo Lulzim Basha të cilin po e mbështesin edhe SHBA-të”, përfundon Kapiti për “Bota sot”.