Kancelarja gjermane Angela Merkel sot ka qëndruar për vizitë në Tiranë, ku është takuar me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka thënë se pavarësisht dëshirës, nuk ka mundur që ta vizitojë secilin shtet.
Në konferencën e përbashkët në mes të Merkel dhe kryeministrit Edi Rama, u përmend dhe Ballkani i Hapur, për të cilin kancelarja tha se asgjë nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit.
Ndërsa, kryeministri Rama nuk i kurseu thumbat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, as para kancelares Merkel.
Ai tha se Albin Kurti po bën teori konspiracioni për “Open Balkan”.
“Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan. Traseja është e shtruar, Procesi i Berlinit është një proces që do të vazhdojë, Open Balkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka asnjë kontradiktë mes të dyjave”, tha Rama.
Ai shtoi se Ballkani i Hapur është vazhdim i Procesit të Berlinit dhe se fjalët tjera janë dokrra.
“Open Balkan është as më shumë e as më pak për ta përjashtuar procesin e Berlinit. Nuk ka ne Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit. Open Balkan është mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit. Kush thotë se njëra bie ndesh me tjetrën ose e bën me qëllim ose nuk e kupton. Teoritë e konspiracionit, jo po Procesi i Berlinit, Open Balkan janë të organizuara nga forca të tretë apo janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer ne që të krijojmë këtu një mikro BE janë dokrra”, u shpreh Rama para mediave.
Por, pse Rama vazhdon ta thumbojë Kurtin për Ballkanin e Hapur, derisa kjo nismë nuk u përkrah as nga Merkel?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.
Ai ka thënë se Rama sot e konfirmoi pse është aq i afërt me Vuçiqin.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/14/auto_901631637403.jpg)
“KM Rama ka konfirmuar sot se është jotransparent për qëllimet e tij dhe arsyes pse është bërë kaq i afërt me Vuçiq dhe kjo konfirmon se i takon grupit të liderëve ballkanikë që krijojnë procese për të mirëmbajtur fuqinë e tyre përbrenda deficitit demokratik dhe në kundërshtim me proceset integruese”, është shprehur ai.
Sipas Abazit, Rama sot doli kundër Gjermanisë dhe u pa se sa i dëmshëm është Ballkani i Hapur.
“Sot hapur u pa se Ballkani Hapur është i dëmshëm për Procesin e Berlinit, ku Kosova është e barabartë me të tjerët. Rama sot doli kundër Gjermanisë dhe sajoi një tregim duke luajtur ekonomi me të vërtetën”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.