Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka potencuar se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.
Gjithashtu, ai ka shtuar se projekti i shkëmbimit të territoreve është i vdekur por ideja ende jo. Kurti ka thënë se një ide të tillë e mban të gjallë Beogradi.
“Projekti i shkëmbimit ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe është shumë e gjallë në Beograd, sepse të gjithë fqinjët e Beogradit që s’janë të integruar në BE, fatkeqësisht nga Beogradi shihen si shtete të përkohshme”, ka deklaruar kreu i qeverisë.
Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se me ardhjen e Kurtit në pushtet, morën fundi idetë e Vuçiqit dhe Thaçit për shkëmbime territoresh.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/10/auto_auto_850x636_auto_auto_auto_auto_auto_auto_Sulejman-Mehazi150507479015085010781550751961155075921915514336161551965916156120227815718394781631298935.jpg)
“Me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës morën fund idetë e rrezikshme të Vuçiqit dhe Thaçit për shkëmbime territoresh. Intervista e kryeministrit Kurtit, në Al Jazeera, ua bëri me dije gjithë diplomatëve evropianë e botërore se Kosova e tij është për paqe e jo për lëkundjesh e lëvizjesh territoresh që do të kishin trazuar tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor, se ideja e shkëmbimeve të territoreve, Kosovë-Serbi, do bëhej bazë kryesore e zjarreve të rrezikshme që do i kaplonte tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi profesori.
Në vazhdim, ai u shpreh se kjo ide e rrezikshme i konvenon vetën serbëve të Vuçiqit. Mirëpo, Mehazi konsideron që kryeministri Kurti ia ka bërë të qartë Vuçiqit të Millosheviqit se lufta e NATO-s, kundër Serbisë nuk u bë për shkëmbime territoresh, por për mëvetësinë e Kosovës.
“Se ideja e shkëmbimeve të territoreve Kosovë-Serbi ju konvenon serbëve të Vuçiqit për të shkuar e kërkuar dhe më shumë, pjesën serbe të Bosnjës, më pas, pjesën tjetër serbe të Malit të Zi, po dhe pjesën e vogël serbe të Kumanovës në RMV.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, ua bëri me dije Vuçiqave të Millosheviqave, por edhe BE-së e SHBA-së se lufta e NATO-s, kundër Serbisë, më 1999, nuk u bë për shkëmbime territoresh, as për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por për mëvetësinë e Kosovës me kufijtë e përcaktuar administrative”, u shpreh Mehazi.
Në fund, ndër të tjera profesori tha se Kurti i paralajmëroi diplomatët ndërkombëtar se dështimin e shkëmbimeve të territoreve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po përpiqet ta realizojë me anë të projektit të Ballkanit të Hapur.
“Në Al Jazeera, zotëri Albin Kurti paralajmëroi diplomatët evropianë e botërorë, SHBA-të, BE-në, se dështimin e shkëmbimeve të territoreve me Kosovën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përpiqet e mundohet ta realizojë e plotësojë me anë të projektit të Ballkanit të Hapur për të bashkuar lehtësisht serbët e Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe RMV-se me Serbinë e "hapur" dhe të madhe në Ballkan”, përmbylli Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”.