Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Kosovën për faktin se nuk përfshihet në nismën Ballkani i Hapur. Rama zbuloi se një ndër pengesat për këtë nismë ka qenë Serbia.
“Nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Ballkan. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.
Lidhur me këtë, analisti Faton Mehmet, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se Rama urrejtjen që ka ndaj Kosovës e shpreh në çdo gjë.
Mehmeti shtoi se, lidhur me “Open Ballkan”, Rama mori goditje nga Merkel, andaj edhe u shfrye ndaj Kurtit, madje sipas tij, ideja e “Open Ballkan”, dje mori goditjen fatale.
“Urrejtja e Ramës ndaj Kosovës është e dukshme, atë e shpreh ndaj çdo gjëje që ka të bëj me Kosovën. Deklarata e tij ndaj Kurtit është skandaloze, ashtu si edhe ndaj gazetarëve të Kosovës të cilëve u pamundësoi të bëjnë pyetje. Rama mori goditje nga Merkel për "Open Ballkanin", duke mos mundur t'i kundërvihet Merkeles shfryu dufin ndaj Albinit. Ideja e tij dhe Vuçiqit për "Open Ballkan", dje mori goditjen fatale, kjo gjë nuk po kapërdihet kollaj nga Rama, i cili po vazhdon ofensivën ndaj Kosovës njësoj si Vuçiqi”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.