Që pesë ditë Policia e Kosovës po qëndron në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje, për të parandaluar incidentet e mundshme nga protestuesit serbë.
Kjo pasi Kosova ka vendosur reciprocitet kundër Serbisë dhe nuk po lejon që veturat me targa serbe të futën në Kosovë. Eskalimi i mundshëm i situatës atje, nuk po përjashtohet nga eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili thotë se provokimet e ekstremistëve serbë mund të përshkallëzohen.
Sipas Ibishit, krejt kjo është një taktikë e Serbisë që të fus në lojë bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që kjo e fundit të kërkojë nga Kosova heqjen e reciprocitetit për targat.
Lidhur me këtë, analisti politik Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se mund të nxitet edhe ndonjë incident nga protestuesit serbë, por Policia e Kosovës duhet t’i shmanget provokimeve të tyre.
Krasniqi shtoi më tej se qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë presion BE-së, lidhur me atë se pse Serbia nuk e respektin marrëveshjen e nënshkruar nga vetë ata.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/24/auto_auto_auto_auto_islam1557734023156806697315805579241632489197.jpg)
“Nuk duhet përjashtuar edhe mundësinë se në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje të nxitet ndonjë incidentet nga protestuesit serbë, me provokimet e tyre, që të ndikojnë te bashkësia ndërkombëtare, por Policia e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshëm që t'ju shmangen provokimeve të mundshme për të mbajtur gjendjen nen kontroll. Edhe qeveria e republikës së Kosovës duhet të jetë e prerë në vendimet e saj, duke mos u dorëzuar karshi Bashkësisë Ndërkombëtare, por duke u bërë presion se pse Serbia nuk po e respekton marrëveshjen që e kishte nënshkruar vetë, pasi që BE-ja është garantues për zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe tek e fundit duhet ditur se parimi i reciprocitetit është një ndër parimet kryesore të funksionimit të shtetit, i cili i rregullon marrëdhëniet në mes të shteteve pavarësisht i pëlqen dikujt apo jo”, ka përfunduar Islam Krasniqi.