Ditën e djeshme, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nëse marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të vlefshme, atëherë ai të premten do ta mbledhë ekipin qeveritar për të biseduar për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Vuçiq deklaroi kështu në pyetjet e gazetarëve kur flitej për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar hyrjen e veturave me targa të Serbisë.
Madje, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim bazohet nga Marrëveshja e Brukselit.
“Është mirë që Marrëveshja e Brukselit është e vlefshme. Nesër pres të mbajmë takim urgjent të Ekipit Menaxhues për Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë dje Vuçiq,
Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova e ka për detyrë ta ruaj fytyrën shtetit të Kosovës.
Ai shtoi se Kosova duhet t’i tregoj Serbisë se nuk është në tavolinën e tyre.
“Vuçiq do të bëjë gjithë presionet e mundshme, por Kosova ka për detyrë të ruajë fytyrën e shtetit të Kosovës, dinjitetin e shtetit. Kosova duhet të tregojë se fatet e Kosovës nuk janë në duar të Vuçiqit, dhe sipas orekseve të Vuçiqit. Ai të vendosë çfarë të dojë me ekipin e tij, por Kosova nuk është në tavolinën e Vuçiqit”, thotë Shahu.