Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka njoftuar se Koncept-dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës.
Ajo në konferencën për media ka treguar se në cilat shtylla është kompletuar ky dokument.
“Verifikimi i integritetit personal të subjekteve të vettingut, vlerësimit profesional dhe të performancës si dhe kontrollit të pasurisë së tyre, janë shtyllat kryesore mbi të cilat është zhvilluar dhe kompletuar ky dokument dhe mbi të cilat do të zhvillohet vettingu. Është punuar me kujdesin më të madh që mbi bazën e këtyre shtyllave, të garantohet një proces i drejtë dhe profesional, i pavarur dhe efektiv”, ka thënë Haxhiu në konferencën për media.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ligji për Vetting-un është i domosdoshëm.
Ai ka sugjeruar që anëtarët e komisionit të jenë nga EULEX.
“Ligji për Vetting është i domosdoshëm, por zgjedhjen e anëtarëve që do të zbatojnë është e papranueshme dhe politike. Nëse Kuvendi i Kosovës zgjedh apo seleksionon kandidatët, është njëjte si një parti të "emërojë" njerëz e saj, kjo është ide e rrezikshme për zbatimin e Vettingut, pasi komisioni zgjidhet natyrisht nga politika. Anëtarët e këtij komisioni mund të jenë nga EULEX dh jo nga vendorët”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, ai shprehet se ky ligj ka nevojë për ekspertizë të thellë, pasi që ka pak shpresë që ky ligj të pasojë ndryshime kualitative.
“Ligji është plagjiaturë dhe i adoptushëm për Ministrin e Drejtësisë. Ligji ka mangësi dhe kopje aty- këtu të ligjeve tjera, ky ligj ka nevojë për ekspertizë të thellë. Pra një ligj i tillë, dobët i punuar nga njerëz që nuk janë marr me antikurrupsion është dhe mbetet shumë problematik. Shpresat janë shumë të vogla që ky ligj të pason ndryshim kualitative”, ka thënë ai.