Situata në veri të Kosovës/Analisti flet për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale

Politika

Situata në veri të Kosovës/Analisti flet për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale

Nga: M.H. Më: 29 shtator 2021 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Gjendja në veriun e Kosovës po vazhdon të mbetet e tensionuar.

Edhe pse kanë kaluar 10 ditë që nga vënia e reciprocitetit, kjo nuk ka arritur të zbus situatën mes dy vendeve.

Mirëpo, sa do të ndikojë kjo në zgjedhjet lokale të 17 tetorit?

Në lidhje me mundësinë e shtyrjes zgjedhjeve për shkak të situatës në veri të vendit, ka folur për “Bota sot”, analisti politik, Ruzhdi Peçani, i cili u shpreh se situata e krijuar është e tendosur dhe se në këtë mënyrë Serbia po bën agresion ndaj Kosovës.

Sipas tij, kjo luftë ka filluar që nga koha kur Lista Serbe është inflirtruar në Kosovë.

Image
Ruzhdi Peçani

Gjendja në veri të vendit vazhdon të jetë mjaft e rëndë dhe po shkon drejt përshkallëzimit. Kjo u pa me fluturimin e helikopterëve dhe pastaj, ditën tjetër edhe avionë luftarak të ushtrisë serbe. Forcat ushtarake serbe janë vendosur dy kilometra larg kufirit me Kosovën. Thënë shkurt, Serbia ka bërë agresion ndaj Kosovës. Mund të thuhet se në atë pjesë kemi një gjendje të jashtëzakonshme të pa shpallur. Kjo luftë ka filluar që nga infiltrimi i shërbimeve të fshehta serbe dhe ruse në Kosovë, ka filluar me futjen e Listës serbe si faktor politik që ishte e dukshme se kishim të bënim me një luftë speciale të Serbisë në Kosovë. Luftë, kjo që shenjat po i shihen dhe tani në veri, që po e bëjnë Serbia dhe sateliti i saj Lista Srpska, pra një luftë jokonvencioanale, të formës së dezinformimit, pra të një “lufte hibride”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë se do të duhet të shtyhen zgjedhjet pasi edhe vënia e zjarrit në qendrën e regjistrimit në Zubin Potok na lë të kuptojmë që situata nuk po lehtësohet por vetëm po vështirësohet.

Duhet pasur parasysh se agresori do të llogaris në faktorin e befasisë, andaj duhet të jemi proaktiv për atë që mund të ndodhë, andaj 17 tetori mund të jetë faktor i befasisë, ngase do të arrinte efektin më të madh psikologjik. Po ky përshkallëzim vazhdon të rritet – pse jo edhe të shtyhen zgjedhjet në kohë të pacaktuar. Qytetari i Kosovës sot ka brengë vendin –jo se kush do jetë kryetari i komunës! Djegia e Qendrës së Regjistrimit në Zubin Potok pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës, ka penguar anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në këtë komunë të dalin në punë. Kjo pasi zyrat e tyre ndodhën në ambientet e Komunës. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar që të bëhet zgjidhje për këto trupa zgjedhore në Zubin Potok duke u mundësuar atyre hapësirë për të zhvilluar aktivitetet e tyre”, thotë analisti.

Ai më tej rekomandon që të gjendet një zgjidhjet për anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Zubin Potok pasi po ndihen të rrezikuar.

Për këtë edhe u debatua në KQZ dhe kishte zëra të thoshin se situata në veri ka krijuar telashe edhe për anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Zubin Potok. Prandaj ai rekomandoi që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për këta anëtarë meqenëse edhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë afër. Dhe vazhdon se “nuk dimë se sa do të zgjas kjo situatë atje”, duke vazhduar se “meqenëse jemi shumë afër zgjedhjeve, konsideroj se si sekretariat duhet tu krijojmë kushte KKZ në Zubin Potok. Prandaj, konsideroj se është e drejtë nëse ne mendojmë që të gjejmë hapësira të tjera qoftë edhe përmes qirasë në të cilat ky Komisioni apo trup zgjedhore komunale do mund të vazhdonte punën”. Një zë më i arsyeshëm ishte, duke thënë: “Besoj që sekretariati sot edhe do krijoj një pasqyrë më të qartë për të identifikuar se si është gjendja e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve dhe hapësirave që kanë pasur deri tash në përgatitje të zgjedhjeve lokale dhe pastaj të vihet me një rekomandim edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore në Këshillin për Buxhet kudo që është e nevojshme”, thekson Peçani.

Tutje, analisti shprehet se në këto zgjedhje do të ketë bojkotim të zgjedhjeve pasi kështu edhe është paralajmëruar dhe se ky bojkotim do të zgjerohet në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Pra, një perceptim paksa më racional, duke kërkuar“ …nga Sekretariati i KQZ-së që të sanojë gjendjen në Komisioni Komunal Zgjedhor në Zubin Potok dhe më pas të vendoset se si do veprohet atje. Dhe nuk kishim vetëm një zjarrvënie vetëm në Zubin Potok, ndodhi edhe hedhja e dy granatave në Zveçan, për fat nuk kishin shpërthyer. Këto tregojnë se kemi të bëjmë me veprime subversive si pjesë e luftës speciale. Atëherë t´i quash këto veprime “telashe apo problem” është naivitet. Qëndron ajo se masë e qytetarëve serbë në veri vazhdojnë të jenë të manipuluara po dhe të shantazhuar nga grupet kriminale dhe agjentë të futur nga Serbia. Para pak ditësh kishte thirrje nga shteti i Serbisë, për të gjithë ata që punojnë në institucionet paralele apo në një mënyrë marrin paga nga Serbia, të dalin dhe që të gjithë të jenë pjesë e protestës tek barrikadat në rrugë. Lista Srpska me këtë edhe Serbia do donin që zgjedhjet të mbaheshin më 17 tetor – jo se i duan, por se u duhen si një “armë” për t´i bojkotuar zgjedhjet, për të treguar se nuk njohin zgjedhjet e organizuara nga shteti i Kosovës. Bojkotimi padyshim do zgjerohej edhe në komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë”, thotë ai.

Ndër të tjera, analisti ka theksuar se Kurti dhe Osmani do të marrin miratimin nga MPB, Policia e Kosovës dhe AKI për t’u shtyrë zgjedhjet.

Tani kur Kryeministri Albin Kurti do të shkoj në Bruksel në takimin me Vuçiq, të ftuar nga Borell, që të arrihet një dakordancë për shtensionim të gjendjes, lë vetëm për të dëshiruar. Kështu, tani Presidentja e vendit znj.Vjosa Osmani-Sadriu , tani patjetër se do marrë vlerësimin nga MPB, Policia e Kosovës dhe AKI dhe të marrë vendimin për shtyrje të zgjedhjeve në kohë të pacaktuar, bazuar në kompetencat kushtetuese dhe Ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës Nr. 03/L-072. Me shtyrjen e zgjedhjeve do arriheshin: Shmangia e elementit të befasisë, ngase mund të ndodhë subversion po dhe akt terrorist i llojit ”panda””, potencoi analisti.

Në fund, analisti shprehet se bojkotimi i zgjedhjeve do të ishte gjëja më e dëmshme që mund t’i ndodhte institucioneve të Kosovës.

Evitimi i bojkotimit të zgjedhjeve, ngase me bojkot do ishte kthim në pikën zero për institucionet e Kosovës–do të mbeteshin vetëm komunat paralele. Do shmangeshin edhe tubimet në ditën e votimit që mund të rrezikonin edhe fëmijët në objektet shkollore, si qendra votimi, me rritje te infektimit. Vlerësimi i strukturave të sigurisë duhet të ishte vendimtar. Kësaj here pa konsultim të partive politike. Tani çështja është e ndërlikuar – kemi të bëjmë me agresion ndaj shtetit”, përfundon Peçani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat