Janë bërë dhjetë ditë prej kur Kosova ka vendosur reciprocitetin me targa kundër Serbisë.
Tensionet po vazhdojnë akoma.
Nga ana e Serbisë po ndodhin edhe provokimet duke lëshuar avionë që të fluturojnë mbi kufijtë e të dyja vendeve.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se vetëm Serbia është burimi kryesor i destabilizimit në rajon.
Presidentja Osmani, madje i ka bërë thirrje Bashkësisë ndërkombëtare që të mos e injorojë situatën.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë - tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash”, ka thënë ajo.
E, nga ana e ndërkombëtarëve, vazhdimisht po bëjnë thirrje për ulje tensionesh.
Shala: Faktori ndërkombëtar, është vonuar në gjetjen e zgjedhjes së problemit të krijuar në terren
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se përshkallëzim i situatës po vjen si rezultat i presionit që janë duke shkaktuar grupet kriminale të Serbisë të cilat janë të orkestruara nga Beogradi zyrtar përmes kryekriminelit Zvonko Veselinoviç si dhe nënkryetarit të partisë Lista Serbe që është pjesë e institucioneve të Kosovës, Milan Radojiçiq.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/29/auto_auto_drizan_shala16029385311632931310.jpg)
“Ngjarjet në veri që nga dislokimi i forcave të sigurisë për të garantuar që të zbatohet masa e reciprocitetit për pikën e përdorimit të tabelave është e tensionuar sa i përket sigurisë. Pra edhe ngjarjet e fundit në Zubin Potok dhe Zevçan është vetëm përshkallëzim të situatës e cila vjen si rezultat i presionit që janë duke shkaktuar grupet kriminale të Serbisë të cilat janë të orkestruar nga Beogradi zyrtar përmes kryekriminelit Zvonko Veselinoviç si dhe nënkryetarit të partisë Lista Serbe që është pjesë e institucioneve të Kosovës, Milan Radojiçiq. Ku janë përdorur edhe armë ushtarake (granatë dore) tregon që në atë pjesë veprojnë edhe strukturat e sigurisë së Serbisë të cilat janë komanduesit e strukturave paralele në Kosovë”, ka thënë eksperti.
Sipas tij, gjithë kjo situatë mund të eskalojë, nëse nuk ndërhyn faktori ndërkombëtar.
Shala tutje ka shtuar se ata janë vonuar në gjetjen e zgjedhjes së problemit të krijuar në terren.
“Gjasat janë të eskalojë situata nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar i cili është duke u vonuar në gjetjen e zgjedhjes së problemit të krijuar në terren. Ndërsa në nivel politik të Beogradit zyrtar po tenton që këtë aksion legjitim dhe legal të autoriteteve të Prishtinës ta atakojë në terren duke "shpallur" Asociacionin e Komunave Serbe sipas marrëveshjes se Brukselit ku për këtë e ka dhënë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku thuhet që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetuese, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës. Pra klima politike por edhe sigurisë do varen ekskluzivisht nga zhvillimet në terren dhe e cila do të bartet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, deklaron Shala.
Më tej, ai shprehet se në këtë situatë të krijuar, Rusia haptazi ka tendencë që të interferojë sa më shumë në punët e brendshme të vendit.
“Një element duhet të potencohet këtu është që Rusia haptazi ka tendencë që të interferojë sa më shumë në punët e brendshme të vendit duke u shkaktuar edhe puqi i dështuar në Malin e Zi në 2020, ai dhe tani në rastin e shugurimit në Cetinje. Por ka pasur edhe në Maqedoninë e Veriut në 2017 tentim për grusht-shtet nga ana e VMRO/DPMN të mbështetur nga çarqet pro ruse/serbe.
Në Kosovë, organet e sigurisë kanë dëbuar persona nga territori Oleg Derkach (rusë) dhe janë ndaluar edhe shtetas tjerë (rusë) Sergei Belous ku ishte i shoqëruar nga një (bjellorus) Denis Bolshakov, të cilët ishin të dyshuar për qëllime spiunazhi”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.
Kelemendi: Në veri të Kosovës po mbrohen vlerat e BE-së
Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, për gazetën “Bota sot” ka thënë që gjendja destabilizuese në veri të Kosovës është vënë në qendër të BE-së.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/29/auto_auto_Muhamed-Kelmendi1-380x233-750x45016328146921632931405.jpg)
Sipas tij, Serbia po e bën këtë me përkrahjen e Rusisë dhe Bjellorusisë.
“Veriu i Kosovës është vënë në qendër të gjendjes destabilizuese në Ballkan dhe në BE. Serbia e përkrahur nga Rusia kanë vënë veprim forcave shumta kriminale, vullnetare ruse dhe ushtarako-policore për të dërguar veriun e Kosovës në një luftë totale shqiptaro-serbe. Nuk ka fare dyshim se nuk është Kosova dhe populli i saj shkaktar të gjendjes në veri. Është vetëm Serbia e përkrahur nga Rusia dhe Bjellorusia. Serbia si Rusia që po vepron në Ukrainë me ripushtimin e territoreve, në Gjeorgji e në vende tjera, po vepron edhe në Kosovë Serbia për ripushtim. Ky veprim është i rrezikshëm, shumë i rrezikshëm. Jo vetëm për Ballkani, por edhe më gjerë. Këtë fakt dhe shumë elemente tjera në konfliktin në veri të Kosovës po vihet nga Borrell, Lajçak etj, madje edhe nga SHBA në përgjegjësi dy palët. Atë të Kosovës dhe të Serbisë. Kjo nuk shkon! Veriu është pjesë e Kosovës. Këtë e dinë dhe këtë duhet respektuar nga BE dhe nga Anglia dhe SHBA-të. Ne po shohim qëndrimin pro serbo-rus. Kjo ka krijuar fuqi për kriminelët serbë të inkuadruar në protesta dhe te Serbia që ka futur në zbatim ushtrinë dhe policinë e vet dhe vullnetare ruso-bjelloruse në veprim, për luftë. Këtë nuk po dëshiron me pa BE! Këtu ka paqartësi në qëndrimet e SHBA-ve! Priten qëndrime konstruktive nga Anglia? Shpresojmë se këtu nuk do të ketë dyshim nga këto subjekte”, ka thënë ai.
Juristi thotë që kjo situatë duhet të kuptohet se Serbia po rrezikon çdo gjë në Ballkan dhe se tash është në veprim në Mal të Zi me qeverinë atje që e ka vënë në lëvizje kundër malazezëve, NATO-së dhe UE, si dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
“Është koha si në kohën Skënderbeut kur Shqipëria ishte barriera luftarake rezistuese ndaj osmane. Po kështu tash po del se Kosova dhe shqiptarët janë barriera e depërtimit rus në Ballkan. Me këtë kërcënohet paqja në Ballkan! Rrezikohet vet UE! Me konfliktin ruso-serb, në njërën anë dhe shqiptarë, në anën tjetër, vihen në pozitë të rëndë NATO dhe SHBA! Këto janë fakte. Dëshiroj shumë të kuptohet drejtë situata në veri të Kosovës. Duhet e kuptohet se Serbia po rrezikon çdo gjë në Ballkan dhe se tash është në veprim në Mal të Zi me qeverinë atje që e ka vënë në lëvizje kundër malazezëve, NATO-së dhe BE, si dhe ne Bosnje e Hercegovinë. Kudo ka futur forca kriminale. Mirëpo, rreziku më i lartë është në Kosovë! Këtu mund të shpërthej lufta?”, deklaron juristi.
Në fund juristi, shprehet që për gjithë këtë situatë pa asnjë dyshim se shkaktar në veri të Kosovës është Putin-Vuçiq. Ai shton më tej se Serbia e Rusia vetëm po i forcojnë lidhjet e rrezikshme dhe shumë antidemokratike.
“Mjafton që Serbia të vazhdojë me presione dhe serbët të futen në veprime kriminale ne veri! Dhe, nëse veprohet me atë terroristë dhe sulme ndaj policisë së Kosovës, do vije te sulmi ushtarak serb në veri! Kosova do të dalë përballë. E dinë se jemi jo mirë të armatosur. Mirëpo, me vullnet dhe energji atdhetare, do te fitohet kjo luftë. Natyrisht se nuk mund të kufizohen rreziqet tjera. Është gjë normale ndihma nga Shqipëria dhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nga Mali i Zi. Do të ngritet flakë Ballkani. Këtë nuk duhet ta lejojë UE dhe Anglia dhe SHBA. Ata duhet qartë të veprojnë kundër shtetit serb. Ndaj tyre duhet të thellohet tehu i presionit dhe natyrisht jo ndaj Kosovës që po e mbron veten e vet. Pa asnjë dyshim se shkaktar në Veri është Putin-Vuçiq. Serbia e Rusia vetëm po i forcojnë lidhjet e rrezikshme dhe shumë antidemokratike. Serbia ka marrë avion, mjete të blinduara dhe shumë tanke e raketa. Ato nuk janë për sorra. Serbia po armatoset kryesisht për Kosovë. E fitojë këtu betejën, mbetet Mali i zi e Bosnja. Atje ka shumë forca dhe me siguri se do të fitojë edhe atje. Kështu është krijuar lidhja midis Serbisë me Rusinë e Bjellorusinë kundër UE e SHBA-ve. Në veri nuk po mbrohen vetëm Kosova por e tërë demokracia perëndimor dhe të arriturat në Evropë. Kosova këtu nuk ka ku shkon”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.