Edhe pas konfliktit të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për “Ballkanin e Hapur”.
Madje, për Ramën, ultimatumet e Serbisë dhe ngritja e avionëve në kufirin me Kosovën janë një tjetër tregues, se duhet të vazhdohet me nismën e “Ballkanit të Hapur”.
“Tani jam edhe më i bindur. Se kjo është për të mirën tonë të përbashkët. Ka një dallim mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Ne nuk kemi dakordësi në këtë pikë me Albinin. Kjo është mosdakordësi politike dhe duhet ta trajtojmë si të tillë. Marrëdhëniet tona, nuk ndikohen në shëndetin e tyre, për shkak të kësaj mosdakordësie. Është e pashmangshme edhe koha kur Serbia do ta njohë Kosovën”, deklaroi Rama.
Ai në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti, e bëri të qartë se Shqipëria është krah Kosovës, në konfliktin e fundit me Serbinë, pas vendosjes së reciprocitetit të targave.
Mirëpo, analistët politikë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” vlerësuan se kryeministri Rama duhet të tërhiqet nga projekti i “Ballkanit të Hapur”, pas kërcënimeve për luftë nga ana e Serbisë.
Kapiti: Sa për politikën e Shqipërisë, Kosova kurrë nuk do të ishte çliruar!
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/30/auto_211632990524.jpg)
Opinionisti Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, paralajmëroi shqiptarët që të kenë kujdes nga pushtetarët e shtetarët e Tiranës.
“Shqiptarët duhet të kenë gjithmonë kujdes dhe të jenë vigjilent nga pushtetarët e shtetarët e Tiranës, sepse historia ka treguar se atyre gjithmonë më shumë u ka interesuar interesi personal e pushteti se sa interesi kombëtar e Kosova”, deklaroi ai.
Sipas tij, sa për Shqipërinë nuk do të kishim sot as shtetin e Kosovës, pasi Shqipëria kurrë nuk bëri luftë me Serbinë për ta mbrojtur e as për ta marrë Kosovën.
Po ashtu, Kapiti tha se kryeministri Edi Rama në vend se të kërkojë falje për Ballkanin e Hapur, ai akoma e mbron dhe propagandon pro tij.
“Sa për Shqipërinë dhe sa për politikën e Shqipërisë, Kosova kurrë nuk do të ishte çliruar dhe sa për Shqipërinë nuk do të kishim sot as shtetin e Kosovës pasi Shqipëria kurrë nuk bëri luftë me Serbinë për ta mbrojtur e as për ta marrë Kosovën, dhe sot kur Kosova kërcënohet ushtarakisht nga Serbia, Shqipëria me kryeministrin e saj Rama nuk bën asgjë dhe madje në vend që ta demaskojë, të dalë e të kërkojë falje për Ballkanin e Hapur, Rama akoma e mbron dhe propagandon pro tij. Kujtesë për kujdes nga kryeministri aktual i Shqipërisë, pasi nuk rezulton se ai i ka sjellë ndonjë mbarësi e as ndonjë të mirë Kosovës, por përkundrazi, dëme po”, paralajmëroi opinionisti.
Në vazhdim, ai rikujtoi deklaratën e Ramës në të cilën ai i quajti gomarë personat të cilët kundërshtonin ndarjen e Kosovës, nën maskën e korrigjimit të kufijve.
Gjithashtu, ai tha se Rama u rreshtua haptazi pro Beogradit dhe kundër Prishtinës, pavarësisht se Serbia akoma e quan Kosovën pjesë të saj, si krahinë ose si e ashtuquajtura Republikë e Kosovës.
“Dikur jo shumë kohë më parë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë i quajti gomarë ata të cilët kundërshtonin ndarjen e Kosovës nën maskën e korrigjimit të kufijve. Pas kësaj Edi Rama deklaroi se nuk ka integrim shqiptaro-shqiptar pa integrim së pari në Ballkanin Perëndimor në të ashtuquajturin Minishengen, kur Kosova e panjohur si shtet nga Serbia dhe kur Serbia kishte mobilizuar të gjitha kapacitetet e saj ekonomike, diplomatike, politike, strategjike dhe aleatët e saj Kinë, Rusi etj. kundër njohjeve të Kosovës dhe lobon fuqishëm për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete. Më pas e ndryshuan emrin kësaj marrëveshjeje antishqiptare dhe sidomos anti Kosovë duke ia vënë emrin “Ballkan i Hapur”, ku përfituesja e madhe dhe ndoshta e vetme do të ishte Serbia. Madje Edi Rama u rreshtua haptazi pro Beogradit dhe kundër Kosovës, duke u përpjekur që t’ua mbushë mendjen edhe politikës e politikanëve të Kosovës që të ingranohen e t’i bashkëngjiten kësaj marrëveshje, pavarësisht se Serbia akoma e quan Kosovën pjesë të saj, si krahinë ose si e ashtuquajtura Republikë e Kosovës”, theksoi Kapiti.
Tutje, opinionisti e mbështeti fuqishëm vendimin e Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit të targave, ku sipas tij, kjo ia vuri në pah Serbisë natyrën e saj kërcënuese.
Ai beson se pas kërcënimeve të Vuçiqit, Rama më së paku do duhej të tërhiqet nga “Ballkani i Hapur”.
“Qeveria e Kosovës me të drejtë vendosi standardin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve. Serbia menjëherë e tregoi natyrën arrogante, shoviniste, agresive e antishqiptare deri edhe duke kërcënuar e provokuar kundër Kosovës me propagandë, avionë, helikopterë e tanke. Atëherë lind pyetja se Shqipëria dhe Edi Rama a duhet te dalin nga "Ballkani i Hapur"!?
Kjo duhet ta detyronte Edi Ramën që minimalisht të kishte dalë nga Marrëveshja për “Ballkanin e Hapur”. Nëse ai deklarohet në forumet ndërkombëtare që Serbia ta njohë Kosovën, kjo përbënë hipokrizi djallëzore për Ramën , pasi nëse e do me të vërtetë Kosovën , pse ai nuk ia vuri si kusht Serbisë për “Ballkanin e Hapur”, se Shqipëria është për Minishengenin Ballkanik dhe vetëm atëherë dhe në qoftë se Serbia e njeh Kosovën si shtet”, potencoi ai.
Ndër të tjera, Kapiti deklaroi se Kosova duhet të ketë kujdes me Ramën, pasi ai në të kaluarën në Beograd deklaronte që Serbia duhet ta njoh Kosovën, por më vonë u zbulua se e kishte fjalën për Kosovën pasi të ishte ndarë.
“Kosovë kujdes me Ramën se edhe në Beograd deklaronte që Serbia duhet ta njoh Kosovën, por më vonë u zbulua se e kishte fjalën për Kosovën pasi të ishte ndarë dhe po kështu edhe bëri marrëveshje me Serbinë në dëm dhe pa e pyetur Kosovën , kërkonte të merrte flamurin e pajtimit shqiptaro-serb pa asnjë kusht, pa e njohur Serbia Kosovën dhe madje pa kërkuar Serbia as minimalisht falje për krimet dhe gjenocidin e saj, por vazhdoi Rama edhe dakordësinë për copëtimin e Kosovës, për marrëveshjen antishqiptare të “Ballkanit të Hapur”, pa harruar as vendosjen e traut ndarës dhe taksën e gjobës për kosovarët që kalojnë në “Rrugën e Kombit””, përfundoi Skënder Kapiti.
Ahmeti: Rama duhet të tërhiqet nga projekti i “Ballkanit të Hapur”
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/30/auto_241632990578.jpg)
Edhe analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti, deklaroi se kryeministri Rama duhet të largohet nga projekti i “Ballkanit të Hapur”.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se kjo nismë është një përpjekje e dështuar dhe Rama nuk është dashtë ta përkrah këtë që nga fillimi.
“Projekti "Ballkani i hapur" një përpjekje e dështuar, pasi kjo lidhje në mes shteteve është artificiale. Më mirë do të ishte që kjo iniciativë të mos përkrahej që në fillim nga Rama, por për të amnistuar këtë gabim do të ishte e rrugës që zoti Rama të tërhiqej nga ky projekt”, theksoi Ahmeti.
Tutje, ai potencoi se përfituesja më e madhe e këtij projekti është Serbia, e cila vepron brenda logjikës së vjetër për të përfituar në çdo rast.
“Projekti në fjalë brenda vetës nuk ka asgjë serioze, pasi dihet mirëfilli që përfituesja më e madhe e këtij projekti është Serbia, pasi ka fuqi ekonomike, politike e kulturore. Por, mbi te gjitha Serbia me udhëheqësit e saj vepron brenda logjikës së vjetër për të përfituar në çdo rast”, përmbylli Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.