Sot është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitet që nënkupton edhe uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Emisari Miroslav Lajçak ka përgëzuar të dyja vendet për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve.
“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur juristi Blerim Burjani, i cili ka thënë se Serbia po do tensione për ta ruajtur këtë gjendje dhe të përfitojë sa më shumë prej saj.
Sipas tij, edhe pas kësaj Serbia do të vazhdojë me qasje të njëjtë ndaj Kosovës.
“Për të ardhur keq, BE dhe SHBA po bien në grackën serbe gjithmonë. Është kot se Serbia do tensione për të ruajtur këtë gjendje çfarë është nëse mundet të përfitojë më shumë në këtë situatë, nëse jo, vazhdon njëjtë”, shprehet ai.
Sipas tij, perëndimi mos të pret marrëveshje sepse Serbia do të mbetet ajo mesjetare me politikë nacionaliste.
“Po, zgjidhje as në ëndërr mos të shohin në perëndim se Serbia do të mbetet ajo mesjetare me politikë nacionaliste, ideja serbe është që kurrë mos të pajtohen me humbjen e Kosovës, por të ëndërrojnë derisa të vijnë marrëveshje tjera historike. Veç po lodhen SHBA dhe BE se këtu nuk shihet asnjë zgjidhje”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.