Zëvendësimi i ushtarëve të KFOR-it, pranim i reciprocitetit dhe njohje e pavarësisë së Kosovës

Politika

Zëvendësimi i ushtarëve të KFOR-it, pranim i reciprocitetit dhe njohje e pavarësisë së Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 shtator 2021 Në ora: 21:01
Ushtarët polakë të KFOR-it në vendkalimin kufitar në Jarinje

Situata e tensionuar po vazhdon akoma në veri të Kosovës.

Ajo çfarë dihet deri më tani, janë thirrjet nga Bashkësia ndërkombëtare për ulje të tensioneve e gjithashtu edhe pjesëmarrja e KFOR-it në veri për ta përcjellë gjendjen nga afër.

Komandantiti i KFOR-it ka bërë një kërkesë për komunat në veri, që anëtarët e njësive speciale të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë të zëvendësohen nga ushtarët e KFOR-it dhe që masat e reciprocitetit ndaj targave të mbetet në fuqi.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e modernes Evropa dekada më parë. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zonë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Njohësit e sigurisë këtë problem e shohin te Serbia, që sipas tyre Serbia po e mban me qëllim këtë situatë të tensionuar.

Halimi: Kosova, rast i pashembullt që institucionet e sigurisë kërkojnë leje nga grupe kriminale dhe ekstremiste për punën e tyre

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), ka thënë se gjithë kjo rezistencë e serbëve po bëhet për shkak të tolerimit të asaj zone që të jetë si zonë ku ligji është luks.

Sipas tij, nga kjo që po ndodh, kemi të bëjmë direkt me involvimin e Serbisë dhe njerëzve të saj.

“E gjithë kjo rezistencë e serbëve në veriun e Kosovës po bëhet për shkak të tolerimit të asaj zone që të jetë si zonë ku ligji është luks, dhe si e tillë është kjo gjendje që nga paslufta. Atje nuk kemi të bëjmë me protestë qytetare, ardhja e barrikaduesve nga Serbia lë të kuptohet shumë. Atje kemi rezistencë të grupeve kriminale që nuk iu konvenon sundimi i ligjit, atje kemi direkt involvim të Serbisë, njerëzve të saj. Nuk është protestë qytetare sepse nuk ka arsye shqetësimi qytetar. Çdo operacion i institucioneve të sigurisë në atë pjesë sikurse në çdo pjesë tjetër të Republikës së Kosovës bëhet për kushte më të mira për mirëqenien e qytetarëve”, deklaron ai.

Në fund, shton që KFOR-i është përgjegjës për mbrojtjen e kufijve të vendit nga agresioni i jashtëm dhe Policia e Kosovës përgjegjëse për rend dhe siguri të brendshme

“Kosova është rast i pashembullt që institucionet e sigurisë kërkojnë leje nga grupe kriminale dhe ekstremiste për punën e tyre. Andaj, këtu gjërat janë të qarta. KFOR-i si përgjegjës për mbrojtjen e kufijve të vendit nga agresioni i jashtëm dhe Policia e Kosovës përgjegjëse për rend dhe siguri të brendshme, duhet të mos ndikohen në veprimtarinë e tyre dhe të kryejnë punën në koordinim pa ardhur në shprehje tërheqja mbrapa nga kërkesa të padrejta”, përfundon Armend Halimi për “Bota sot”.

Tërnava: Situata është komplikuar dhe mund të eskalojë në përmasa më të mëdha

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se gjithë kësaj situate po i kontribuon politika serbe, duke ndikuar edhe te populli, të cilët e mendojnë idenë që Kosova është pjesë e tyre.

“Situata tani e krijuar në veri të Mitrovicës me masat e reciprocitetit, tani është komplikuar dhe mund të eskalojë në përmasa më të mëdha, sepse popullata serbe nuk është kah e pranon realitetin territorial të Kosovës, se edhe veriu i Mitrovicës është pjesë territoriale e Kosovës, kësaj situatë dihet se po i kontribuon politika e Serbisë, me qëndrimet e saj se Kosova është Serbi, e po e harron Serbia kapitullimin dhe nënshkrimin e atij kapitullimi në Kumanovë, që e përjetuan me ato bombardimet e vitit 1999 nga forcat e NATO-s, sipas asaj rezolute 1244 të miratuar në OKB e që ajo rezolutë edhe sot është në fuqi, dhe GJND-së, që iu pat ankuar vet Serbia për shpalljen e jashtëligjshme të pavarësisë së Kosovës, e i cili gjyq e konfirmoi të drejtën e po atij gjyqi, e që Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë e shpalli si të ligjshëm vendimin e shpalljes së Pavarësisë”, shprehet eksperti.

Nga e gjithë kjo, Tërnava thotë se është e kuptueshme se Serbisë nuk i konvenon masa e reciprocitetit ndaj targave për vetura.

“Prandaj është e kuptueshme se tani Serbisë nuk i konvenon masa e reciprocitetit ndaj targave të automobilave që ajo e para e ka jetësuar dhe e ka përdorur ndaj automjeteve të Kosovës kur janë futur në territoret e Serbisë dhe bëhet pyetja, nëse jemi dy shtete fqinj, pse edhe Kosova mos ta përdor ndaj shtetasve serbë të cilët futen në territorin e Kosovës, mënyrën e reciprocitetit njëjtë sikur Serbia që po e përdor ndaj neve dhe është e kuptueshme tani pse kryetarët e komunave serbe në veri e kanë refuzuar propozimin e komandantit të KFOR-it që anëtarët e njësive speciale të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë të zëvendësohen nga ushtarët e KFOR-it dhe që masat e reciprocitetit ndaj targave të mbeten në fuqi”, ka theksuar ai.

Në fund, Tërnava ka shtuar se është i kuptueshëm refuzimi i kryetarëve të komunave sepse po të pranohej reciprociteti i Kosovës ndaj targave të veturave serbe që hyjnë në Kosovë, tani po nënkuptohet se Serbia po e pranon Pavarësinë e Kosovës.

“Prandaj, sikurse të pranohej reciprociteti i Kosovës ndaj targave të veturave serbe që hyjnë në Kosovë, tani po nënkuptohet se Serbia po e pranon pavarësinë e Kosovës dhe Serbia sa më parë duhet që ta shlyejë nga harta e saj atë territor të Kosovës dhe me këtë gjithçka do të merrte fund, edhe gënjeshtrat e Vuçiqit që i premtonte popullatës serbe se Kosova është territor i Serbisë, edhe sipas hartës së Serbisë, tani do të përfundonin dhe karriera e tij në politikën serbe tani do të përfundonte, prandaj në bazë të kësaj çfarë u shpjegua me lart, tani është e kuptueshme pse nuk pranohet ai zëvendësim sikur e kanë propozuar KFOR-i dhe tamam qartë po nënkuptohet se këto politika që po zhvillohen rreth kësaj teme, janë politika të Beogradit e cila dëshiron ta mbajë me qëllim situatën e tensionuar për qëllimet e atyre politikanëve që me këso veprime dinë veten ta mbajnë në pushtet”, ka deklaruar eksperti Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat