Ka rreth dy javë që pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Bërnjak dhe Jarinje janë të bllokuara nga serbët. Kjo formë e zgjedhur nga serbët që të protestojnë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitetin me targat e automjeteve nga Serbia.
Por, Bërnjaku dhe Jarinja, nuk janë pikat e vetme kufitare të Kosovës me Serbinë.
Në pikat tjera kufitare me Serbinë, janë Merdare, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë.
Në këto pika situate është e qetë, përkundër që edhe në ato po aplikohet e reciprociteti për targat e automjeteve nga Serbia..
Sipas ekspertëve, Serbia nuk ka ndikim në këto pjesë të territorit të Kosovës në të cilat gjenden pikat kufitare si Merdare, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë, dhe për këtë arsye situata është e qetë.
Mehmeti: Ky është qëllimi i Serbisë
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se cili është qëllimi i Serbisë.
Qëllimi dhe synimi i Serbisë dhe Vuçiqit është që gjendja të tensionohet deri në atë masë sa të dalë nga kontrolli, kështu të synojnë ndarjen e Mitrovicës edhe de jure me arsyetimin se “s`ka siguri për serbët atje”, ose minimalisht të kërkojnë që forcat serbe të kontrollojnë Veriun ku janë serbet”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Mehmeti është shprehur se ky ne veri nuk janë duke protestuar serbët, por presidenti i Serbisë.
“Ky synim nuk duhet lejuar të ndodhi, Kosova është në të drejtën e Zotit për të kërkuar të kontrollojë hapësirën e saj juridike dhe territorial. Nuk po protestojnë serbet e Veriut por Vuçiqi i Beogradit, i cili mbart si amanet të tijin ëndrrën e Millosheviqit për “ Serbinë e madhe”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Qarri: Në këto vende Serbia nuk ka ndikim
Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Vuçiqi nuk e ka respektuar zbatimin e marrëveshjes, përkundër kësaj ka hedhur akuza ndaj Kosovës.
“Siç dihet tanimë nga opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar, pasardhësi i Millosheviqit krimineli Aleksandër Vuçiq, i zënë ngushtë nga fakti, se targat me simbolin e shtetit të Kosovës “RKS”, për të cilat shteti serb tash e dhjet vite me radhë maltreton dhe gjobitë në vijimësi shqiptarët, qoftë edhe për një kalim të thjeshtë transit nëpër Serbi, me skadimin e afatit të marrëveshjes me 15 shtator, përfundimisht do duhej t’i pranonte, ai jo vetëm se nuk respektoi zbatimin e marrëveshjes por filloi edhe ta akuzonte Kosovën se kinse ajo nuk zbatuaka marrëveshjet, duke ftuar bandat kriminale serbe të veriut, në shërbim të tij, që t’i bllokonin edhe rrugët, me shpresën se do të gjente mbështetje nga jashtë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në pikat tjera kufitare me Serbinë, si në Merdare, Muçibabë e te Dheu i Bardhë, Vuçiq dhe Serbia nuk kanë fare ndikim dhe për këtë situata është e qetë.
“Kështu që megjithëse tashmë po hyjmë edhe në dhjetëditëshin e dytë, përveç zvogëlimit masiv të numrit të protestuesve, tanimë ka filluar zbehja e avazit të bllokadave nga serbët lokal edhe në Bërnjak e Jarinje, ndërkaq në pikat tjera kufitare me Serbinë, si në Merdare, Muçibabë e te Dheu i Bardhë, duke pasur parasysh se Vuçiq dhe Serbia okupatore nuk kanë ndikim fare, jo vetëm që vazhdon të jetë situata e qetë por as që ka pasur ndonjë shenjë për tensionim, madje që nga fillimi, puna është zhvilluar e qetë dhe me një proces tërësisht normal”, ka thënë Qarri.
Më tej, ai theksuar se nuk ka asnjë rrezik që edhe kufijtë tjerë të Kosovës me Serbinë të bllokohen dhe se së shpejti do të zhbllokohen edhe rrugët në Veri.
“Prandaj duke pasur parasysh se ku janë të përqendruara interesat e Serbisë okupatore, e cila qysh nga takimet e fshehta dhe ato publike, ndërmjet kuislingut Thaçi dhe kriminelit Vuçiq, të cilët duket se kishin arritur një marrëveshje konspirative për gllabërimin e veriut dhe pjesëve më vitale të vendit tonë nga Serbia hegjemoniste, jo vetëm se nuk ka asnjë rrezik që edhe kufijtë tjerë të Kosovës me Serbinë të bllokohen, por së shpejti do të zhbllokohen edhe rrugët në Veri, ku pas vendimit për pranimin e targave të Republikës së Kosovës nga Serbia, që pritet të arrihet kësaj të mërkure në Bruksel, tensionet do të bien dhe të qetësohet gjendja ngadalë edhe në Veri, nëse Serbia, nën presionin e BE-së dhe SHBA-ve, heq dorë nga Bosnjëzimi i Kosovës dhe nuk përzihet më, në punët e brendshme dhe rregullimin shtetëror të vendit tonë, përndryshe deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Serbi, Vuçiq do të përpiqet ta mbaj gjendjen e nderë, sidomos në veri të Kosovës”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.