Së fundmi, vëmendje mori një deklaratë që kryetari i AAK-së, Behgjet Pacolli, bëri për ish-presidentin e vendin, Hashim Thaçi.
Ai tha se Kosova ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij, nuk ka përfunduar ende.
“Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi sepse njeriu që ishte person kyç në të gjitha proceset shtetërore është ndërtimi i një shteti të ri të Kosovës, një ndërtim që ende nuk ka përfunduar. Nuk akuzohen individët në Hagë, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të gjithë e dimë se misioni i saj ishte ta bënte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh në një intervistë Pacolli.
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Skënder Kapiti, ia ka përmendur Pacollit Asociacionin dhe copëtimin e Kosovës.
Sipas tij, Pacolli dhe Thaçi kanë dashur të copëtojnë shtetin gjatë kohës sa ishin në pushtet.
“Behgjet, a mos po të vjen keq se nuk u realizua Zajednica, e as nuk u copëtu Kosova?! Behgjet a për këtë shtet duhet me u kthy e me e ndërtu Thaçi me ty, a?! Cilin shtet paskeni dashur ta ndërtojë shpura dhe soji i juaj, shtetin e korrupsionit e të hajnisë, shtetin e copëtuar dhe të ndarë, shtetin e Zajednicave e të kumbaricave”, u shpreh ai.
Sipas tij, Thaçin dhe Pacollin populli i ka dënuar me 14 shkurt dhe do t’i ndëshkojë më 17 tetor.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/October/12/auto_download1634043818.jpg)
Madje, ai shton se borxhi i Pacollit është muaji kur ai u bë president nga Thaçi.
“Po të kishte qenë kaq i madh e kaq i suksesshëm ky Thaçi me ty për ndërtimin e shtetit të Kosovës, nuk do t’u kishte ndëshkuar kaq shumë populli me 14 Shkurt 2021 dhe prit se sa do të ndëshkoheni edhe me 17 tetor. Behgjet bravo, ti nuk i tradhton “shokët” e sidomos ata që të patën bë nja një muaj President? Ky ndoshta është borxhi yt, Behgjet”, ka deklaruar Skënder Kapiti për gazetën “Bota sot”.