Lidhja që kryetari i Alenacës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka me ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, tashmë veç dihet.
Raporti i tyre miqësor ka qenë dhe mbetet vazhdimësi edhe pse Thaçi tashmë gjendet në burgun e Hagës.
Kjo afërsi miqësore mes Pacollit dhe Thaçit u vërejt edhe ditë më parë, ku kreu i AAK-së, vizitoi në Hagë ish-ushtarët e UÇK-së.
“Pata mundësinë që përveç presidentit Thaçi pata mundësinë ta takojë edhe ish-kryeparlamentarin Veseli dhe ish-deputetin e VV-së Rexhep Selimi”, u shpreh Pacolli për media.
Ai u shpreh i bindur që ata do të shpallen shumë shpejt të pafajshëm.
”Dhe jam i bindur dhe unë që shumë shpejt do t’u tregohet opinionit botërorë se këta njerëz mbahen koti atje dhe pa asnjë arsye dhe do të vjen dita kur ata krenarë de kryelartë do kthehen në Kosovë”, tha Pacolli.
Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve, Pacolli dha një deklaratë në lidhje me Thaçin.
Ai tha se Kosova ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij nuk ka përfunduar ende.
“Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi sepse njeriu që ishte person kyç në të gjitha proceset shtetërore është ndërtimi i një shteti të ri të Kosovës, një ndërtim që ende nuk ka përfunduar. Nuk akuzohen individët në Hagë, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të gjithë e dimë se misioni i saj ishte ta bënte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh në një intervistë Pacolli.
Ahmeti: Thaçi nuk i duhet popullit të Kosovës
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti i cili u shpreh se deklarata e Pacollit është joracionale pasi Thaçi ka dëmtuar shumë vendin tonë dhe kjo është parë nga politika e jashtme që ka udhëhequr ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/October/13/850x636_auto_auto_auto_auto_auto_hidajet148532811015261525441539440162154706389515494002821634105713.jpg)
“Mendoj se deklarata e z. Pacollit është joracionale, pasi koha e ka dëshmuar se zoti Thaçi me idete e tij e ka dëmtuar interesin e Kosovës në politikën e jashtme. Shumë herë gjatë kohës sa ishte në mandatin si president ka polarizu situatën politike dhe nuk ka prodhuar unitet politik për çështje të rëndësishme”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thotë se Thaçi i ka shërbyer interesit të PDK-së dhe se për të mund të ketë nostalgji vetëm Pacolli dhe jo populli i Kosovës.
“Pasi po i njejti ka qenë president i pazarëve politike dhe para se gjitha i ka shërbyer interesit të PDK-së. Z.Pacolli mund ta ketë nostaligj për kohën sa ishte Thaçi president, por jo edhe populli i Kosoves”, tha Ahmeti për “Bota sot’.
Kapiti: Pacolli kërkon kthimin e Thaçit, për t’i vazhduar planet e tyre
Ndërsa analisti tjetër politik, Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se deklarata e Pacollit për Thaçin vjen si shkas i suksesit që Osmani po vazhdon të ketë, e që të njëjtin nuk mund ta kenë ata.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/October/13/850x636_auto_auto_850x636_auto_auto_kapiti149726157515330173661543682121155220648915701224121634105714.jpg)
“Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli thotë se Kosova ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij nuk ka përfunduar ende. Behgjet mesa duket të ka verbuar fakti se as ti e as Hashimi nuk mundet me shku deri në fund të mandatit të Presidentit. Mesa duket po u verbon edhe përkushtimi, përgjegjshmëria dhe suksesi i Presidentes Vjosa Osmani. Keni dalë zbuluar si krejt të paaftë dhe tejet inferior karshi Znj. Osmani e cila si kryetare shteti po ia kthen dhe lartëson imazhin e institucionit të Presidentit të shtetit”, thotë ai.
Sipas tij, vetëm një injorant mund të thotë që Kosovës i duhet Thaçi, pasi i njëjti nuk e ka ndërtuar shtetin dhe shteti mund të zhvillohet pa të.
“Vetëm një injorant dhe një njeri që ia ka parë hajrin pushtetit të Thaçit e thotë këtë që thua ti. Kjo do të thotë se Behgjeti i paska ndonjë borxh Hashimit. Pse a Hashim Thaçi e paska ndërtuar deri më tani shtetin e Kosovës, a?! Pse a nuk po mundet Kosova me bë hajër pa Hashim zullumqarin, a?! Hë Behgjeti po del më i mençur se populli i Kosovës që përzuri nga pushteti llojin e tipin servil Pacolli me shokë”, ka shtuar ndër të tjera analisti.
Në fund ai ka vlerësuar se avokatia dhe lavdia që po bën Pacolli ndaj Thaçit, të lë të mendosh se çfarë favori i ka bërë tjetër atij.
“Avokatia dhe lavdia që i bën ky Behgjet biznesmeni Thaçit, të shtyn të paramendosh edhe se çfarë hajri tjetër i paska parë ky biznesmeni ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit?”, përfundoi Skënder Kapiti për gazetën “Bota sot”.