Njohësi i sigurisë, Lulzim Peci ka thënë se nëse Perëndimi i hesht Vuçiqit, ditë të errëta mund të vijnë në Ballkan. Peci ka theksuar se në këtë mënyrë mund të jetë i domosdoshëm operacioni ushtarak.
"Nëse nuk ndalet tani Serbia, perëndimi, në vend të integrimit të Ballkanit Perëndimor, do të detyrohet edhe një herë të mendoj për opcione ushtarake" ka shkruar ai.
Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se që nga pas lufta situate në veri nuk është e mirë, duke filluar nga instalimi i KFOR-it të Francës, duke mos e lejuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, si dhe u pranuan shumë marrëveshje që janë në dëm të Kosovës.
“Situata në veri të Kosovës, krejt pas luftën nuk është e mirë. Shtrohet pyetja. Pse? Shumë faktorë politikë dhe të sigurisë, kanë bërë që të kemi në Veri situatë me shumë incidente të ndryshme. Instalimi i KFOR-it të Francës në këtë pjesë të vendit, nuk ishte shumë i qëlluar, dhe duket se u bë më shumë për qëllime politike. Ata nuk i lejuan shqiptarët që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, me pretekst të sigurisë. Tjetër, u bënë gabime politike nga Grupi i Unitetit, ku në bisedimet e zhvilluara me palën serbe u pranuan shumë marrëveshje, të cilat rezultuan se janë në dëm të Kosovës. U pranua decentralizmi i pushtetit lokal, u pranua Plani i Gjashtë Pikësh i Ban Ki Munit, hiq i mirë. Më vonë erdhën radhazi marrëveshjet të cilat nuk u implementuan kurrë nga Serbia, e disa prej tyre janë në dëm të Kosovës, si Demarkacioni më Mal të Zi , dhe nënshkrimi i “Zajednicës” me disa kompetenca ekzekutive, që Kosovës është duke i nxjerrë telashe të mëdha”, tha ai.
Tutje ka shtuar se Kosovën po e kërcënojnë me luftë vetëm për ta realizuar asociacionin, gjë që këtë ia lanë barrë Thaçi dhe Mustafa.
Ndërsa, si gabim tjetër Mulliqi përmend, tolerimin e gjatë të strukturave serbe në veri, të cilat funksionuan duke rrahur shqiptarët të cilët për shumë kohë e lanë të ndarë Mitrovicën.
“Për të realizuar Asociacionin, Serbia dhe Vuçiqi në mënyrë permanente, janë duke e kërcënuar Kosovën me luftë. Këtë gjë Kosovës si barrë të madhe mbi supe, ia lanë Thaçi dhe Mustafa, të cilët e nënshkruan marrëveshjen në fjalë në Bruksel. E kam thënë disa herë se marrëveshjet e firmosura marrin karakter ndërkombëtar, dhe si të tilla pastaj është vështirë të anulohen. Gabimet tjera të pushteteve që i patëm ishin se, i toleruan gjatë strukturat kriminale serbe në veri, duke mos e shtrirë sovranitetin në çdo cep të vendit. Këto struktura pa rreshtur funksionuan duke prodhuar incidente me bomba, duke rrahur shqiptarët “Rojat e Urës”, të cilat vepruan për shumë kohë duke e lënë veriun e Mitrovicës të ndarë nga jugu”, theksoi Mulliqi .
Më tej ka potencuar se në krejt këtë, kishte dorë Beogradi, deri në momentin kur Qeveria e tanishme, mori vendim së pari me reciprocitetin, e më pas edhe me aksionin e fundit policor, i cili u përcoll me incidente nga pushteti i Vuçiqit.
“Tolerimi i gjatë i veprimit dhe mos shpartallimit të këtyre strukturave ilegale serbe, krijoi rrethana destabilizuese. Dihet se në krejt këtë mesele me kriza dhe incidente, kishte dorë Beogradi zyrtarë. Kur më në fund Qeveria e re, mori vendime më të vendosura që atje të funksionon rendi dhe ligji, së pari me vuarjen e reciprocitetit për targat serbe, dhe së fundi kur policia e Kosovës, mori aksionin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm në këtë pjesë të vendit, por edhe në disa lokalitete të tjera. Këto dy ngjarje u përcollën me incidente nga pushteti i Vuçiqit, i cili Kosovën e kërcënojë me luftë , duke pruar afër kufirit forcat ushtarake dhe makineri të rënda. Kriza e parë lidhur me target u ndalë me marrëveshjen e Brukselit. Kurse kriza e fundit lidhet po ashtu në mos durimin e Serbisë që Kosova ta shtrijë pushtetin e vet, edhe në veri”, tha ai.
Mulliqi shtoi se aksioni policor ishte aksion i qëlluar për ndaljen e kontrabandës, kështu që edhe reagimi i Lulzim Pecit lidhet me provokimet e vazhdueshme të Serbisë në veri.
Madje, sipas tij, BE po mban shumë qëllime politike dualiste, që nuk po i kontribuojnë stabilitietit në veri.
“Aksioni policor nuk ishte i orientuar kundër minoritetit serb, por ishte aksion i qëlluar kundër ndaljes së kontrabandës dhe formave të tjera kriminale. Edhe reagimi i ish ambasadorit dhe themeluesit të KIPRED, Lulzim Pecit, lidhet me provokimet e vazhdueshme të Serbisë në veri. Sigurisht se shqetësimet e Pecit janë të drejta, kur dihet për mos vendosmërinë e duhur të faktorit ndërkombëtar që të bënë trysni më të madhe politike ndaj pushtetit shovinist të Vuçiqit, që t’i ndalon provokimet e vazhdueshme. Pastaj , BE-ja po mban bukur shumë qëllime politike dualiste, që nuk po i kontribuojnë stabilitetit në veri. Ndërmjetësit Ndërkombëtar në bisedime, Lajçek dhe Borell po lëshojnë deklarata të pa matura politike, madje ky i fundit kishte një paraqitje skandaloze, duke i kritikuar organet tona për ndërhyrje policor , për të zbatuar ligjin e asgjë më tepër”, theksoi Mulliqi.
Tutje potencoi se është e vështirë që të futet Serbia në aventurë të re ushtarake, edhe pse Vuçiqi është duke u përpjekur shumë që të formoj Serbinë e madhe, madje për të formuar edhe një “Republikë Serpska”, në Kosovë.
“Kur fletë Peci për operacione të mundshme ushtarake, mendojë se forcat e KFOR-it janë në terren për të ruajtur kufirin. Pastaj, po të kishte qenë lehtë, Vuçiqi do të ndërhynte moti ushtarakisht, siç po paraqitet. Është vështirë që Serbia të futet në ndonjë aventurë te re ushtarake. Dihet se sa është investuar nga Amerika dhe shtetet mike të Evropës, për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, për tua lëshuar në dorë Rusisë dhe Serbisë, Kosovën dhe rajonin. Shovinisti Vuçiqi shumë është duke bërë përpjekje që të formon Serbinë e Madhe, duke tentuar përmes Dodikut të shkëputë “Republika Serpska”, në Bosnje, dhe duke tentuar që edhe në Kosovë, përmes Asociacionit të formon edhe një “Republika Serpska” tjetër”, shtoi ai.
Më tej tha se Serbia do ta ketë të vështirë që të ndërhyjë ushtarakisht, madje sipas tij, as Perëndimi nuk ka nevojë për operacion ushtarak.
“Me përkrahjet e fundit që iu dhanë pushteti të Prishtinës, lidhur me reciprocitetin dhe për luftimin e krimit, nga NATO, dhe veçmas nga Gjermania, janë tregues se çdo tentim për ndarje të veriut nga ana e Rusisë dhe Serbisë me forcë, do të zmbrapset. Natyrisht se Prishtina zyrtare, veç po koordinohet, mendoj unë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian si e kërkon këtë edhe Lulzim Peci. Se do ta ketë të vështirë Serbia të ndërhyjë ushtarakisht, po ashtu mendojë se as Perëndimi nuk ka nevojë momentalisht për ndonjë operacion ushtarak, me qëllim të integrimit të Ballkanit Perëndimor, siç thotë Peci, ende me probleme etnike të pa zgjedhuara”, ka përfunduar Mulliqi.