Të dielën në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale. Në këto zgjedhje pati befasi nga më të ndryshmet.
Në shumë komuna LDK-ja filloi të rikthehet, ndërsa u pa edhe rënia e LVV-së.
Befasitë ndodhën në Prishtinë, ku është pritur fitorja e Arben Vitisë pa balotazh, por që nuk ia doli.
Gjithashtu befasi pati edhe në Gjilan ku Lëvizja Vetëvendosje doli para Lutfi Hazirit të LDK-së, dhe në Podujevë. Shpejtim Bulliqi edhe pse fitoi disa muaj më parë pa balotazh, tash LDK-ja arriti ta ndalë fitoren e tij.
Edhe Skenderaj kësaj radhe ishte interesante. Aty është pritur fitorja e Bekim Jasharit, por doli e kundërta. PDK-ja fitoi aty, por kjo fitore po shihet si e dyshimtë.
Bekim Jashari ka dorëzuar tashmë provat e tij në PZAP, që sipas tij, PDK-ja me shantazhe, frikësime e vjedhje të votës ia mori fitoren.
Për zgjedhjet në Skenderaj, ka reaguar edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.
Ai thotë se, ka pritur një fitore të PDK-së, apo siç shprehet ai të ‘Pronto-mafisë’, përmes milionave të korrupsionit.
Miftari befasohet me kërcënimet që janë bërë në Skenderaj, fitoren e shfrenuar të PDK-së dhe urrejtjen e nxitjen për vëllavrasje.
“Unë personalisht e kam thanë publikisht disa javë më herët, dhe kam prit se zgjedhjet në Skenderaj do t’i fitoj Pronto-mafia, përmes milionave të korrupsionit dhe privatizimeve, dhe në këtë mënyrë Bekim Jashari do t’i humbas këto zgjedhje. Nuk është tragjike humbja e Bekim Jasharit në Skenderaj nga PDK-ja. Tragjike është vjedhja e votës, blerja e votës, etiketimet për Bekimin, shantazhet, orkestrat e analistëve të PDK-së, kërcënimet me armë, dhe kulmi i ligësisë është festimi i shfrenuar me plotë inate me urrejtje e nxitje për vëllavrasje nga njerëz të dehur, njerëz ndoshta të droguar nga “Gjointi” e të orkestruar nga “babai i tyre Sami Lushtaku””, shprehet Naim Miftari për gazetën “Bota sot”.
Ai shprehet se tani Familja Jashari i ka pa gjërat se çfarë është në gjendje me bë për pushtet klani i Hashim Thaçit.
Miftari tregon edhe për një takim që kishte me Rifatin në Munchen, në vitin 1998.
“Familja Jashari shpresoj që tani i kanë pa edhe vet gjërat se çfarë janë në gjendje me bë për pushtet klani i korrupsionit, klani i Hashim Thaçit dhe Klani Pronto. Ndoshta tash bacës Rifat, Bekimit, Lulit dhe Muratit iu kanë ra ndërmend më në fund fjalët tona që iu patëm thanë si epror i UÇK-së, gjatë një vizite të shkurtër së bashku me një epror tjetër të UÇK-së, kur ishim dërguar nga Shtabi i UÇK-së nga Kosova që na kishin dërguar në Zvicër që të blejmë armë ushtarake. Atje pastaj i vizituam disa orë në Munchen. Kjo ishte në dhjetorin e vitit 1998”, përfundon Naim Miftari.