Së fundi, rajoni i Ballkanit ka qenë qendër e konflikteve dhe tensioneve të shumta.
Marrëdhëniet në shtetet e këtij rajoni, përfshirë Kosovën kanë qenë të tensionuara dhe një nga arsyet ka qenë Serbia me politikat e saj, të cilat mbështeten nga Rusia.
Siç duket këto kriza në Ballkan, Amerika i ka analizuar dhe ka vepruar menjëherë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka emëruar pesë diplomatë në Ballkan. Të gjithë janë të njohur në fushën e diplomacisë.
Në mesin e këtyre diplomatëve janë Kristofer Hill i cili do të udhëheq ambasadën amerikane në Beograd, Gabriel Escobar i cili do të jetë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit që do të merret me Ballkanin Perëndimor, Jeffrey M. Hovenier i cili pritet të zëvendësojë Philip Kosnettin në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Po ashtu, është përmendur edhe emri i James O’Brien i cili është nominuar nga Joe Biden si koordinator për politikat e sanksioneve dhe emri i Michael Murphy i cili është një politikan me përvojë të madhe sa i përket politikës së jashtme amerikane.
Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar emërimin e këtyre diplomatëve amerikanë.
Ai u shpreh se kjo është një shenjë e qartë e SHBA-të po rikthen në rajon, ku kjo erdhi si pasojë e ndikimit rus dhe marrëdhëniet e tensionuara në mes shteteve të Ballkanit.
“Angazhimi i diplomatëve me përvojë në Ballkanin Perëndimor është një shenjë e qartë se Shtetet e Bashkuara po kthehen në rajon. Ndikimi rus, marrëdhëniet e tensionuara rajonale dhe incidentet e fundit në pjesë të ndryshme të rajonit kanë rritur nevojën për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në rajon”, deklaroi Vasolli.
Gjithashtu, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane vlerësoi se po Amerika po i jep rëndësi të madhe gjeo-strategjisë të Ballkanin Perëndimor.
Vasolli përmendi edhe konfliktet dhe krizat e fundit që kanë ndodhur në Mal të Zi, Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinë.
“Duke emëruar diplomatë me përvojë kaq shumë vjeçare në rajon, të cilët e kuptojnë shumë mirë të kaluarën e rajonit dhe sfidat që ka kaluar ky rajon, SHBA po tregon se gjeostrategjia e këtij rajoni është e rëndësishme. Muajt e fundit, kanë ndodhur gjëra që na kujtojnë të gjithëve fillimin e krizës në rajon, incidentet në Mal të Zi, në Kosovë por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë lejnë të kuptojmë se rajoni është ende një vatër konflikti ku investimet e bëra prej shumë dekadash po rrezikohen”, theksoi ai.
Në fund, Vasolli potencoi se edhe problemet e brendshme të BE-së kanë ndikuar që fuqitë e ndërkombëtare si Kina, Rusia dhe Turqia të shtrijnë ndikim e tyre në këtë pjesë të Evropës.
“Nga ana tjetër, BE, me probleme të brendshme, nuk ka qenë në gjendje të mbushë boshllëkun, kështu që fuqitë e tjera ndërkombëtare si Kina, Rusia por edhe ato rajonale si Turqia e kanë përdorur këtë situate ato në avantazhin e tyre”, përmbylli Besnik Vasolli për gazetën “Bota sot”.