Zhvillimet në veri të vendit shkaktuan shumë polemika dhe debate jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe në gjithë botën.
Këto zhvillime ndikuan edhe deri te arritja e një marrëveshje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me reciprocitetin e targave.
Këtë marrëveshje e vlerësuan lart ndërkombëtarët, mirëpo e kundërshtuan kundërshtarët politik të kryeministrit Albin Kurti, më saktësisht opozita.
Publicisti Idriz Zeqiraj ka komentuar vendimet e Qeverisë Kurti, më saktësisht reciprocitetin e targave dhe paralajmërimin për vendosje të reciprocitetit të targave.
Krahas kësaj, ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli edhe për kritikat dhe akuzat që opozita po i bënë në këtë rast Qeverisë së Kosovës lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel.
“Fitorja plebishatare e 14 shkurtit e LVV dhe ndëshkimin përbuzës, që populli i Kosovës u bëri subjekteve partiake të vjetra, ishte sa shokues, aq edhe meritor. Kjo goditje e çorientoi aq shumë opozitën aktuale, sa edhe tani, pas 7 muajve nga humbja, nuk po arrijnë ta pranojnë katandisjen e tyre. "Krenohemi që së bashku me qytetarët kemi transformuar Kosovën. Misioni ynë është zhvillimi dhe krijimi i mundësive të barabarta për qytetarët",- deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi! Sa shpejt e harroi zotëria klanin e PRONTO mafisë!?”, deklaroi publicist.
Po ashtu, Zeqiraj tha se vendosja e reciprocitetit ndodhi pikërisht në kohën e duhur dhe u pranua edhe nga ndërkombëtarët.
Sipas tij, vendosja e reciprocitetit u menaxhua në mënyrë shumë të mirë, ku nuk ranë në provokimet dhe fyerjet e ulëta nga bandat e porositura nga Beogradi.
“Vendosja e paralajmëruar e reciprocitetit, fillimisht, për targat e makinave dhe zotimi për shtrirjen e reciprocitetit në fushat tjera, Qeveria Kurti e bëri në kohën e duhur. Dhe, u mirëkuptua edhe nga ndërkombëtarët, si normë e njohur në marrëdhëniet ndërshtetërore.
Menaxhimi korrekt i nismës praktike të zbatimit të masës së reciprocitetit, ishte një befasi pozitive, për të gjithë ata që janë ndjekës të zhvillimeve politike në rajon, në veçanti, në Kosovë. Bllokimi kriminal i auto rrugëve për Jarinje e Bërnjak, nga bandat serbe, të porositura nga Beogradi, qoftë edhe të makinave të shërbimit policor e doganor, në administrimin institucional e ligjor; pengimi i kalimit motorik në kufi, i forcës të policisë të ndërhyrjes emergjente; fyerjet dhe provokimet e ulëta ndaj kësaj force profesionale, i vlerësuan në masën sipërore, nga opinioni vendor dhe ndërkombëtar”, theksoi Zeqiraj.
Kurse, sa i përket KFOR-it, ai potencoi se erdhi si pasojë e marrëveshjes në Bruksel, të cilin e e vlerësoi si marrëveshje të favorshme për Kosovën.
“Ndërhyrja zhbllokuese e KFOR-it, më kërkesën e ndërkombëtarëve, mbikëqyrjen fizike të zbatimit të marrëveshjes, për largimin e pengesave të serbëve të manipuluar dhe tërheqja e Forcës Speciale Policore të Kosovës, u bë në afatin e duhur.
Marrëveshja provizore 6-mujore, e arritur në bisedimet e Brukselit, me ndërmjetësi të ndërkombëtarëve, legjitimoi reciprocitetin e përkohshëm për targat e makinave, si dhe marrëveshjet shoqëruese, në funksion të qetësimit të situatës tensionuese, artificialisht e qëllimshëm, nga Serbia, gjithsesi, ishte e favorshme për Kosovën”, shpjegoi ai.
Në vazhdim, publicist tregoi edhe dy misionet e Forcës së Sigurisë në veri të vendit.
“Dërgimi i Forcës të Sigurisë, në zbatimin e nismës realizuese të reciprocitetit, e filluar me targat, ishte e drejtë dhe profesionale. Ajo kishte dy misione bazë:
Së pari, bëri sigurinë fizike të personelit policor kufitar dhe të doganierëve;
Së dyti, mbrojtja e djegies së objekteve në Jarinje dhe Bërnjak, siç kishte ndodhur kur kryeministri Thaçi provoi të vendosë policinë e Kosovës në kufi me Serbinë”, nënvizoi Zeqiraj.
Tutje, ai përmendi edhe disa gjëra të cilat i provoi vendosja e Njësisë Speciale në veri të Kosovës, ku ndër të tjera theksoi se epërsia ushtarake aktuale e Serbisë, është faktike, në raport me Kosovën.
“Nisma e zbatimit të reciprocitetit të ligjshëm, në mes të Kosovës dhe Serbisë, provoi edhe diçka që dihej, por, kamuflohet me "patriotizëm folklorik":
1) Kosova e sotme në fushëbetejë, në raport me Serbinë, është po ajo e vitit 1999. Epërsia ushtarake aktuale e Serbisë, është faktike, në raport me Kosovën;
2) Pa ndihmën ndërkombëtare, kryesisht, amerikane, me aleatë, forcat policore dhe administrimi i mirëfilltë e faktik, i Veriut të Mitrovicës, nuk mund të ndodhë”, vlerësoi publicisti.
Gjithashtu, ai tha se përveç këtyre gjërave, bllokadat serbe paralajmëruan se sa cinik dhe serioz ishte qëndrimi i ndërkombëtarëve në këtë çështje.
Ku, krejt në fund, Zeqiraj tha se pavarësisht këtyre zhvillimeve Policia e Kosovës veproi maturisht e profesionalisht, përgjatë gjithë aksionit ndërhyrës
“U dëshmua edhe diçka tjetër, jo më pak e rëndësishme:
Provokimi bllokues ishte i rëndë dhe kriminal, nga Beogradi zyrtar. Bllokimi i auto rrugëve nga bandat civile serbe, me mbështetjen e qeverisë qendrore, si dhe defilimi i armatosur ushtarak, me tanke, helikopterë e avionë luftarakë, nga shteti fqinj, Serbia, deri në thyerjen e zonës së ndërmjetme ndërkufitare, ishte një paralajmërim, sa cinik, aq edhe serioz, i ndërkombëtarëve, se "pa ne, jeni hiç, jeni të mbaruar!" Edhe pse në krijimin e kësaj situate, pjesë e fajësisë janë edhe ndërkombëtarët.
Realisht, për keqardhje, KFOR-i bëri sehir, ndërkohë që, makinat bllokuese, duhej t`i kthente në hekurishte për shkritore. Ndërsa Forca Policore e Kosovës, veproi maturisht e profesionalisht, përgjatë gjithë aksionit ndërhyrës, duke shmangur çfarëdo incidenti, në ato rrethana super specifike e provokative të bandave zyrtare serbe”, përfundoi Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.