Dje është kërcënuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për këtë arsye, mbrëmë si masë e kujdesit të shtuar, ishte rritur edhe niveli i sigurisë në shtëpinë e tij.
Lidhur me këtë çështje, Kurti ka folur sot në një konferencë për media.
Ai tha se nuk ndihet i rrezikuar por se organet e rendit kanë marrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje.
“Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar por janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje dhe as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kërcënimi ndaj Kurtit është i papranueshëm, sipas tij, edhe shtimi i sigurisë kanë lënduar autoritetet e kryeministrit, madje i quan edhe qesharake autokolonat e makinave për mbrojtjen e kryeministrit.
“Kërcënimi i kryeministrit Kurti është i papranueshëm e skandaloz. Por, duke parë se nga erdhi ai kërcënim, se sa jo serioz ishte dhe banal, reagimi që ndodhi për shtimin e sigurisë ndaj kryeministrit e cenuan dhe lënduan autoritetin e kryeministrit, sepse reagimi i mbrojtjes për kryeministrin u bë sikur po shpërthente lufta e tretë botërorë. Është qesharake që autokolona e makinave shoqëruese e mbrojtjes të kryeministrit të Kosovës të jetë sa një tren me 30 vagona. Është fyese për popullin e Kosovës”, tha ai.
Shahu shtoi se askush nuk dëshiron ta vras Kurtin, sepse po të donin, nuk do të mund ta mbronte askush. Pra, edhe deklarata e Kurtit, është deklaratë e duhur, sepse realisht nuk ndjehet i rrezikuar.
“Askush asnjëherë nuk ka dashtë as nuk don me e vra kryeministrin e Kosovës, cilido qoftë ai, sepse po të duan ta vrasin nuk ka mbrojtje që e mbron as kryeministrin e Kosovës e askënd në botë që jeton jetën. Deklarimi i z.Kurti se nuk ndjehet i rrezikuar është i duhuri, sepse realisht nuk ndjehet i rrezikuar. Askush nuk ka mbrojte as imunitet para krimit. Por, askush nuk ka dashtë as don me e vra as Kurtin as Ramen e askënd asnjëherë. Mirë është që t’i kursehen popullit strese të tilla dhe policia e media televizive të mos shumëfishojnë këto histori të ndërtuara keq”, përfundoi Shahu